Lejet e lundrimit do të merren online, Ministria e Infrastrukturës gati procedurat e reja për monitorimin dhe Regjistrin Elektronik

03/07/2020 10:00 AM 0 komente

Procedurat e regjistrimit dhe të monitorimit të mjeteve lundruese turistike dhe të kënaqësisë që përdoren në bregdetin shqiptar do të ndryshojnë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur konsultimin për ndryshimet në ligjin për regjistrimin e mjeteve lundruese me motor mbi 30 kw ose 40.8 kf, me tonazh nën 150 GT.

Me ligjin aktual, pronarët e mjeteve lundruese duhet të marrin leje me shkrim nga policia kufitare, ndërsa me ndryshimet e ligjit,  sistemi aktual do të mundësojë aplikim dhe dhënie  të lejes të lundrimit në rrugë elektronike.

Projektligji parashikon ngritjen e dy sistemeve të regjistrimit. Sistemi i parë do të quhet “Regjistri Elektronik i Mjeteve Lundruese” i cili do të ketë si funksion krijimin e një regjistri elektronik ku do të regjistrohen të gjitha mjetet lundruese dhe në të cilin do të kenë akses institucionet ligjëzbatuese si Gjykata, Prokuroria, Policia etj.

Sistemi i dytë që do të ngrihet do të jetë “Sistemi i posaçëm elektronik për lëvizjen e mjeteve Lundruese”. Ky sistem do të vendoset në kapitenëritë e porteve të cilat në zbatim të Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë do të monitorojnë lundrimin e të gjitha mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe ujërat e brendshëm tokësor të Republikës së Shqipërisë.

Sipas një vlerësimi paraprak të Ministrisë të Infrastrukturës është parashikuar që kostoja ekonomike për ngritjen e këtyre dy sistemeve do të jetë afërsisht 35 milion lekë të cilat do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Mjetet turistike dhe ato të kënaqësisë që nuk do të regjistrohen brenda afateve të përcaktuara në ligj do të dënohen me 20 mijë lekë gjobë. Pronarët e mjeteve lundruese do të gjobiten me 50 mijë lekë gjobë deri në bllokim të mjetit për 90 ditë edhe për rastet e mospasjes apo refuzimin e paraqitjes së dokumenteve gjatë lundrimit, mungesa e regjistrimit, ndryshimi apo falsifikimi i karakteristikave të mjeteve lundruese, tejkalimi i numrit të personave që transportohen, Përdorimi i mjetit lundrues për veprimtari të kundërligjshme, etj.

Sanksione do të zbatohen për pronarët që do të fshehin të dhënat e vendëndodhjes të mjetit lundrues apo do të ndryshojnë montimin e mjetit.

Si ndryshon regjistrimi dhe monitorimi i mjeteve lundruese

Respektimi i normave të lundrimit

1.Mjetet lundruese objekt i këtij ligji duhet të respektojnë rregullat e regjimit të lundrimit në det dhe në ujërat e brendshme tokësore, duke përfshirë dhe normat që lidhen me pajisjet e shpëtimit, me sinjalet ndriçuese për lundrimin natën, me pajisjen me radiondërlidhjeje, të sintonizuar në frekuencat e ndihmës detare, si dhe me sistemin për lokalizim gjeografik, GPS, sipas certifikatës së sigurisë së mjetit”.

Detyrimi i përgjithshëm

Mjetet lundruese, objekti i këtij ligji, në çdo rast duhet të kenë në bord dhe të paraqesin me kërkesën e autoriteteve përgjegjëse dokumentacionin e mëposhtëm: Dokument identifikimi të personit/personave, drejtuesit dhe personave në bord; Certifikatën e sigurisë të mjetit lundrues; Dëshmia e Aftësisë së lundrimit për mjetin e vogël lundrues/Dëshmi Pronësie/ Dëshmi flamuri; Dëshmi Aftësie Drejtimi për mjetin e vogël lundrues; Policën e sigurimit për dëmet ndaj të tretëve;

Mjetet lundruese me fuqi motorike më të vogël se 30 KË ose 40.8 hp me distancë lundrimi deri në 2 milje nga bregu, regjistrohen vetëm në zyrën e ZRMLD;

Këto mjete zbatojnë të gjitha rregullat dhe detyrimet e sigurisë e të lundrimit, përgjigjen për shkeljet ligjore sipas sanksioneve të parashikuara në këtë ligj, por përjashtohen nga pajisja me dëshminë e aftësisë për drejtuesin dhe pajisjen me sistemin GPS.

Njoftimi për operimin e mjetit lundruese

Mjetet lundruese të kënaqësisë dhe ato turistike njoftojnë në nisje dhe mbërritje;

Njoftimi për hyrjen dhe daljen apo lëvizjen në hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë, bëhet në sistemin posaçëm elektronik të lëvizjes së mjeteve lundruese

Njoftimi për lëvizje duhet të përfshijë: Emri i mjetit, Numri Regjistrimit; Emri pronarit/Drejtuesit të mjetit; Ora e përafërt e nisjes/mbërritjes; Destinacioni; Numri  dhe gjeneralitetet e personave në bord.

Regjistri Elektronik i Mjeteve Lundruese

Drejtoria e Përgjithshme Detare krijon, mirëmban dhe përditëson Regjistrin Elektronik të mjeteve lundruese; Në këtë sistem do të kenë të drejta aksesi organet shtetërore të njohura me ligj si: Gjykata; Prokuroria; Policia e Shtetit; Roja Bregdetare; etj.

Regjistri Elektronik i Mjeteve Lundruese do të vendoset në funksion brenda 1 vit nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Deri në vënien në operim të Regjistrit Elektronik shkëmbimi i informacionit me institucionet ligjore do të kryhet me kërkesën me shkrim drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme Detare nga institucioni i interesuar.

Rregullorja për funksionimin e Regjistrit Elektronik do të miratohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrisë përgjegjëse për policinë e shtetit, pas propozimit të Drejtorisë së Përgjithshme Detare.

Shkelja e rregullave në plazhe, zona ujore dhe nënujore

1.Shkelja e kushteve për ushtrimin e aktivitetit të rregullt e të sigurt me mjetet  lundruese dhe për mënyrën e përdorimit të tyre për qëllime argëtimi e sportive, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 100, 000 (njëqind mijë), si dhe me bllokimin administrativ për 90 (nëntëdhjetë) ditë të mjetit lundrues.

2.Drejtimi i mjetit lundrues nën efektin e pijeve alkoolike dhe substancave psikotrope përbën kundërvajtje penale. Drejtuesi i mjetit lundrues dënohet me gjobë 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë, heqje të dëshmisë së aftësisë për drejtimin e mjetit lundrues për 6 (gjashtë) muaj.

3.Zhytja e pa autorizuar në objektet historike dhe kulturore nënujore të paautorizuara konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në vlerën 300,000 (treqind mijë) lekë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of