Lejet e ndërtimit, Tiranë – T I 2019

11/06/2019 1:15 PM 0 komente

Ndërtimi në Tiranë pritet të vazhdojë me vrull. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti janë dhënë gjithsej për kryeqytetin 94 leje ndërtimi, me një rritje prej 44% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndonëse në raport me tremujorin e fundit 2018, kur numri i lejeve ishte 120, kemi rënie, në sipërfaqe vijon që të mbetet rekord, për shkak të miratimit të ndërtesave të larta. Sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në tremujorin e parë të këtij viti në kryeqytet ishte gati 480 mijë metra katror (5% rritje në raport me tremujorin e fundit 2018), duke arritur një nivel rekord, që pas vitit 2013. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë kemi pothuajse një pesëfishim të sipërfaqes së lejeve të dhëna për ndërtim (shiko grafikun).

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në Tiranë, sipas INSTAT, ishte gati 18 miliardë lekë (141 milionë euro) në tremujorin e parë, nga 14.3 mld lekë në tremujorin e fundit 2018 (rritje 22%) dhe 3.3 mld lekë në T I 2018.

Dy vitet e fundit, lejet e ndërtimit kanë shënuar rritje të dukshme në kryeqytet. Për të gjithë vitin 2018 janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Vetëm në tremujorin e katërt janë dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 456 mijë metra katrorë, ose 70% e sipërfaqes së dhënë gjithsej në vend për leje ndërtimi për këtë periudhë. Ritmi i lartë i tremujorit të katërt 2018 vijoi dhe në janar-mars të këtij viti.

Numri i lartë i lejeve bëri që bashkia Tiranë të arkëtonte të ardhura rekord nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, që arritën në 5.5 miliardë lekë, ose rreth 44 milionë euro në 2018-n, duke shënuar një nivel rekord dhe duke përbërë 42% të të ardhurave totale që Bashkia mbledh nga taksat e tarifat e veta.

Bashkia ka arkëtuar nga dhënia e lejeve për ndërtime gati 60% më shumë sesa kishte planifikuar në fillim, teksa në buxhetin fillestar ishte planifikuar që të mblidhte 3.4 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Në projekt buxhetet e Bashkisë parashikohet që të ardhurat nga kjo taksë të vijojnë të mbeten në nivele të larta.

Lejet në vend

Sipas INSTAT, Në tremujorin e parë 2019, janë miratuar gjithsej 245 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 221 leje të miratuara në tremujorin e parë 2018, duke shënuar një rritje prej 10,9%. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2019, është rreth 581.236 m2, nga rreth 200.944 m2, miratuar në tremujorin e parë 2018, duke shënuar një rritje me rreth 2,9 herë.

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e parë 2019, është 25,2 miliardë lekë, nga 10,2 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2018. Ky tregues në tremujorin e parë 2019, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me rreth 2,5 herë.

Burimi: INSTAT

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of