Të paktën 12 subjekte janë njoftuar gjatë vitit 2023 për nisjen e procedurave të revokimit të lejeve minerare që mbajë për shkak se nuk kanë paguar garancitë e nevojshme financiare për rehabilitimin e mjedisit. Këto pagesa lidhen me vitet 2021-2021 por edhe 2022 apo 2023.
Të dhënat e bëra publike nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tregojnë se njoftimet janë bërë kryesisht në muajin mars me të paktën 10 të tilla ndërkohë që në prill dhe maj ka respektivisht nga 1 urdhër.
Njoftimet për revokimin e lejeve minerare të dhëna përfshijnë kompani që i kanë përfituar ato viteve të fundit por edhe më të hershme duke nisur nga viti 2009.
Lejet e revokuara përfshijnë materiale ndërtimore por edhe minerale të tjera. Kështu nga njoftimet bie në sy leje për mineralin argjilë, për krom, në zonën e Kalimashit apo Tropojë, gëlqeror pllakor, hekur-nikel.
Pagesa e garancisë financiare të rehabilitimit është një pagesë periodike që duhet të kryhet për çdo vit të aktivitetit nga ana e subjekteve që kanë përfituar një leje minerare kërkimi apo shfrytëzimi. Sipas një vendimi kjo pagesë garancie llogaritet në bazë të vlerës së përgjithshme të garancisë financiare të rehabilitimit të mjedisit, viteve të vlefshmërisë së lejes minerare dhe sasisë së punimeve gjeologjike të p[programuara për t’u kryer çdo vit.
Vlera e përgjithshme e garancisë financiare për rehabilitetimin e mjedisit për lejet e kërkim-zbulimit llogaritet sa vlera monetare për financimin e aktiviteteve për realizimin e veprimtarisë së mbylljes së punimeve gjeologjike të kërkim -zbulimit dhe rehabilitimit përfundimtar të mjedisit.
Subjektet që përfitojnë një leje minerare hartojnë planin e rehabilitimit të mjedisit për këtë lejë dhe në vitin e parë të aktivitetit paguajnë një vlerë garancie financiare për rehabilitimin të ndarë në vitet e vlefshmërisë së lejes kurse në vitin e dytë dhe në vazhdim kjo garanci rivlerësohet.
Pagesa e garancisë së rehabilitimit në disa raste neglizhohet nga subjektet të cilat mund të mos kenë kryer aktivitet ose orientojnë fondet në aspekte të tjera. Në vitin 2022 u bënë të paktën 22 njoftime për revokim lejesh ku ndër të tjera një nga arsyet është edhe mospagesa e garancisë së rehabilitimit./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.