Leksione për Shqipërinë, si po e nxit Europa kthimin e emigrantëve

14/09/2019 10:06 PM 0 komente

Në një botë, ku barrierat e lëvizjes janë reduktuar dhe të rinjtë në kërkim të një jete më të mirë dhe më shumë të ardhura janë të prirur të ikin nga vendlindja e tyre, Shtete të ndryshme të Europës po synojnë mbajtjen e talenteve, madje dhe kthimin e emigrantëve, përmes politikave nxitëse. Po ju sjellim dy modele nga Italia dhe Portugalia

 

 

Portugalia po paguan emigrantët që të rikthehen

Skema Regressar (Të rikthehesh) u ofron qytetarëve portugezë, të cilët kanë jetuar larg vendit për të paktën tre vjet, lehtësi për t’u kthyer sërish në vend. Ata që do të pranojnë të kthehen do të kenë lehtësi të shumta, si për shembull përgjysmimi i taksës së tatimit mbi të ardhurat për një periudhë pesëvjeçare.

 

Portugalia njihet në të gjithë botën për vijën e mrekullueshme bregdetare, për plazhet me ujëra të kristalta, për ditët e shumta me diell dhe për kuzhinën e pasur, shkruan Forumi Ekonomik Global. E, megjithatë, përqindja e qytetarëve të saj që jetojnë jashtë shtetit është një nga më të lartat në botë.

Përballë një popullsie që po plaket dhe mungesës së fuqisë punëtore, qeveria po përpiqet të gjejë metodat e duhura për t’i tunduar ata që të kthehen sërish në atdhe. Skema Regressar (Të rikthehesh) u ofron qytetarëve portugezë, të cilët kanë jetuar larg vendit për të paktën tre vjet, lehtësi për t’u kthyer sërish në vend. Ata që do të pranojnë të kthehen do të kenë lehtësi të shumta, si për shembull përgjysmimi i taksës së tatimit mbi të ardhurat për një periudhë pesëvjeçare.

Shteti ka mjaftueshëm para për të ndihmuar zhvendosjen e cilitdo që vendos të rikthehet në Portugali dhe të fillojë aty një punë. Portugalia ofron të drejtën për të jetuar brenda vendit për të gjithë investitorët dhe ata që kanë hapur vende pune. Ajo ofron edhe ulje taksash për të gjithë punëtorët e kualifikuar që vijnë për të punuar nga shtete të huaja. Qëllimi kryesor i skemës Regressar është që njerëzit të rikthehen në atdhe, edhe nëse nuk janë punëtorë të kualifikuar.

 

 

Sfida më e madhe

Për shkak të goditjeve të rënda që ky shtet ka marrë në dekadat e kaluara, një numër i madh njerëzish kanë emigruar. Pjesa më e madhe e atyre që emigruan ishin të rinj të arsimuar, akademikë, etj., duke shënuar një ikje prej 50,000 njerëzish në vit gjatë periudhës 2011-2014. Ekonomia nisi ta rimarrë veten, pas një pakete shpëtimi të dhënë nga BE-ja, si dhe nga turizmi dhe industria e teknologjisë në rritje dhe fuqizimi i eksporteve. Por, ndërsa Produkti i Brendshëm Bruto është rikthyer në nivelet e para krizës dhe niveli i papunësisë ka rënë, kompanitë po ankohen për mungesë të madhe stafi të kualifikuar.

Më shumë se gjysma e CEO-ve në vend u shprehën për sondazhin e kryer nga firma e konsulencës Stanton Chase, se pikërisht gjetja e këtyre punonjësve të kualifikuar ishte sfida e tyre më e madhe. Edhe për kreun e Konfederatës Portugeze të Biznesit, problemi është i pranishëm në çdo sektor. Qeveria thotë se shumë prej atyre që u larguan nga vendi në fillim të dekadës u përkasin një prej brezave më të kualifikuar që Portugalia ka pasur ndonjëherë, duke e kthyer skemën Regressar, në “domosdoshmëri”.

 

Shqetësime të tjera

Portugalia nuk është i vetmi vend europian që dëshiron të rikthejë në atdhe të gjithë (ose pjesën më të madhe) ata që kanë emigruar. Polonia e ka hequr taksën e të ardhurave për emigrantët e rinj, në një përpjekje për të rikthyer në vend numrin e madh të personave të larguar (rreth 1.7 milionë njerëz në 15 vitet e fundit) dhe për të plotësuar hendekun e thellë të mungesës së fuqisë punëtore. Sipas një studimi të fundit të kryer nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme të 14 shteteve të BE-së, emigrimi po kthehet në shqetësimin kryesor të tyre.

Në Itali, Rumani dhe Spanjë, qytetarët janë më të shqetësuar për njerëzit që largohen nga vendi sesa për ata që hyjnë në këto shtete. Madje disa prej tyre mendojnë, se shtetasit duhet të parandalohen dhe të mos lejohen të largohen nga vendi i origjinës, për periudha të gjata kohore.

 

Një zgjidhje thelbësore

Një studim i kryer së fundmi nga Instituti i Teknologjisë në Miçigan, i cili u mbështet në sondazhet e kryera në 27 shtete europiane në 40 vitet e fundit, arriti në përfundimin se njerëzit janë bërë më mendjehapur ndaj idesë së emigracionit. Edhe pse shumica e këtyre shteteve nuk e konsiderojnë emigracionin dhe kontrollin e kufijve kombëtarë si shqetësimin e tyre parësor, sipas anketës së kryer nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme, këto janë disa çështje të cilat duhet të shihen me më shumë përparësi sepse po ndodhin aktualisht në shtete të ndryshme.

Pjesa më e madhe e njerëzve të anketuar në çdo shtet anëtar të BE-së, ishte pro “një mbrojtje më të mirë” të kufijve të Europës. Nga Brexit dhe fushatat për zgjedhjet e fundit europiane deri në forcimin e populizmit në vende si Italia dhe Hungaria, emigracioni vazhdon të dominojë axhendën politike në pothuajse të gjithë kontinentin.

Megjithatë, për Portugalinë, hapja e kufijve të saj është përparësi. Kryeministri António Costa thotë se emigracioni është thelbësor për të mposhtur krizën demografike të vendit dhe së fundmi bëri gjithashtu thirrje se Europa duhet të “mobilizohet kundër populizmit dhe ksenofobisë”. Ndërkohë skema Regressar po shihet me shumë interes, rreth 1,700 njerëz nga 72 shtete janë regjistruar në portalin online të kësaj skeme, të krijuar për të gjithë njerëzit që dëshirojnë të kërkojnë punë përpara se të rikthehen.

 

 

Bari “shpëton” nga arratisja, falë turizmit dhe teknologjisë së informacionit

Popullsia e Barit ka rënë me 2% në katër vitet e fundit, por është rritur në dekadën e fundit. Rizhvillimi urban dhe lehtësitë për biznesin kanë ndikuar pozitivisht. Lonely Planet e ka cilësuar Barin destinacionin e pestë më të mirë në Europë

Me Abruzzon dhe Sardenjën, Puglia është ndër rajonet në Jug të Italisë që në vitin 2018 regjistroi një ndër normat më të mira të rritjes, me +1,3% (4,5% nga viti 2015 deri në vitin 2018, shkruhet në raportin e fundit të SVIMEZ (Associazione per lo Sviluppo Industriale del Mezzogiorno – Shoqata për Zhvillim Industrial të Jugut). Por nga viti 2008 deri më 2018, norma e rritjes ishte -6,7%). Gjatë viteve 2014 – 2018, popullsia e Barit ka rënë me 2% (320.862 banorë më 31 dhjetor të vitit të kaluar, 327.361 banorë në vitin 2014), por është rritur me 1,8% në dhjetë vjet, duke nisur nga viti 2008, shkruan Domenico Palmiotti për il Sole 24 ore.

Në kryeqytetin e rajonit, vlera e shtuar për frymë është rritur nga 15.3 mijë euro në vitin 2000 në 19.6 mijë euro vitin e kaluar. Por, në rang kombëtar, vlera e shtuar për frymë është tkurrur, duke nisur nga vendi i 72-të në vitin 2000, pas rënies në 2005 në vendin e 80, ndërsa në katër vitet e fundit është ngjitur në vendin e 75-të (Puglia ruan që prej vitit 2012 vendin e 17; në vitin 2000 renditej në vendin e 18). “Ne nuk jemi në nivelet e para viteve 2008. Megjithatë, një seri treguesish të qytetit dhe rajonit janë pozitivë. Kur flitet për popullsinë, ne humbasim më pak se të tjerët”, komenton kryetari i Bashkisë së Barit, Antonio Decaro, i cili është njëkohësisht edhe president i ANCI (Associazione Nazionale Comuni Italiani – Shoqata Kombëtare e Komunave Italiane).

Decaro thekson se “kjo është një ndërthurje e një sërë faktorësh, nga plani i vendbanimeve, që ka çuar në rizhvillimin urban të shumë zonave, me prishje dhe rikonstruksione, duke sjellë efekte pozitive në aktivitetin e ndërtimit, tek lehtësitë që u krijon Rajoni kompanive të interesuara që të investojnë.

Bari ka fituar një rol dhe imazh dhe është zgjedhur nga Lonely Planet si destinacioni i pestë më i mirë në Europë për verën. Rritja e regjistruar në port dhe aeroport, mes trafikut të lundrimit dhe fluturimeve është 3.095 milionë pasagjerë në shtatë muajt e 2019, +12,5%”.
“Po, natyrisht, ka tregues pozitivë, – komenton Michele Capriati, profesor i politikës ekonomike në Universitetin e Barit, pasi turizmi, politikat e zhvilluara në vitet e fundit me fonde strukturore, me përjashtim të atyre për bujqësinë dhe zgjerimi, mbi të gjitha i sektorit të ICT (Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit), i kanë dhënë sigurisht një shtysë, por gjithsesi po humbim energji të reja me të rinjtë që largohen nga Puglia”.

“Ky nuk është një problem i Universitetit, sepse të diplomuarit e Puglia-s, gjejnë një vend jashtë rajonit, dhe madje shpejt. Kjo do të thotë se nga Universiteti dalin të diplomuar të zotë. Problemi është që oferta është e ulët në sasi dhe e varfër në cilësi” – shton Capriati.
Ai thotë më tej se “Universiteti dhe Politekniku janë realitete të gjalla dhe të mirëvlerësuara nga ANVUR (Agenzia Nazionale di Valutazione del Sistema Universitario e della Ricerca –

Agjencia Kombëtare e Vlerësimit të Sistemit Universitar dhe Kërkimit). Por kërkesa për t’i mbajtur të rinjtë është e vakët”. “Numri i studentëve universitarë që studiojnë në Puglia është afërsisht i barabartë me ata që studiojnë jashtë – vëren rektori i ri i Politeknikut të Barit, Francesco Cupertino, me rreth 11 mijë studentë dhe 270 profesorë. Kërkesa e tyre në fushën e inxhinierisë informatike, mekanikës dhe automatizimit është më e lartë se ajo që mund të përmbushim.

Kompanitë i zgjedhin që në vitin e parë të studimeve, të rinjtë më të talentuar dhe premtues, për nivelin e masterit. Kompani si AvioAero punojnë brenda Politeknikut me një staf prej 20 inxhinierësh”. Të rinjtë largohen nga Puglia, pasi rajonet në Italinë e Veriut, me një ekonomi më të gjallë e dinamike, ofrojnë më shumë mundësi për punësim, por edhe sepse Politekniku i Torinos dhe Milanos ofrojnë një gamë më të gjerë specializimesh sesa Universiteti ynë.

 

Fenomeni i kundërt

“Ne po përpiqemi ta shmangim këtë – shpjegon rektori i Politeknikut – me marrëveshje ndëruniversitare si ajo me Universitetin e Salentos. “Unë nuk e injoroj eksodin drejt Veriut, megjithatë në Bari po ndodh edhe fenomeni i kundërt me kompanitë”, – thotë kryetari i Bashkisë së Barit, Antonio Decaro.

Për shembull, kompania e shërbimeve Ficons, e ka zhvendosur selinë qendrore në Bari dhe ka një zhvillim punësimi interesant. Kompani si Amazon dhe Ernst & Young dëshirojnë të hapin seli në Bari. Roboze, një kompani që ndërton printer 3D për përdorime inovative, është duke u rritur. Një tjetër kompani është Exprivia, e cila integron segmentin e Teknologjisë së Informacionit me atë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, falë blerjes së 81% të aksioneve të Italtel. Apo MerMec, lider në inspektimin hekurudhor dhe diagnostikimin në sinjalizimin hekurudhor”. Për kryetarin e Bashkisë së Barit, sipërmarrjet dhe aktivitetet e reja mund të frenojnë eksodin.

Ndërkohë, niveli i punësimit dhe papunësisë tregojnë një ecuri pozitive në Bari. Në lidhje me shkallën e punësimit, ajo ishte 45,1% në vitin 2014, duke u rritur në 46,2% në vitin 2015, 47,0% në vitin 2016, 49,3% në 2017 dhe në fund 50,1% në vitin 2018. Ndërsa shkalla e papunësisë ishte vetëm 13,0% vitin e kaluar dhe 15,4% në vitin 2017. “Por sektori automobilistik në Bari, bosht i zonës industriale në Bari, po vuan”, – thotë Pino Gesmundo, sekretar rajonal i CGIL Puglia (Confederazione Generale Italiana del Lavoro – Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës).

Ndërkohë kompania Magneti Marelli, është shitur, ndërsa Getrag e cila vepron në Bari, ka investuar, por nuk mund të jetë një “katedrale në shkretëtirë”*. Situata në lidhje me naftën po ndikon negativisht në këtë sektor, i cili tani ka nevojë për një rikonfigurim, ndërkohë që po shkohet drejt mobilitetit elektrik. Për këtë, presupozohen që të bëhen investime të mëdha. Një problem tjetër është ai i të drejtave të qytetarisë për mijëra të rinj në rajon.

“Besoj se është e ngutshme rifillimi i investimeve infrastrukturore”, – thekson Domenico De Bartolomeo, president i Konfindustrisë në Puglia. “Rritja e PBB – nënvizon ai – është një tregues inkurajues, por nuk është i mjaftueshëm. Konkurrueshmëria varet edhe nga cilësia e rrugëve, hekurudhave, porteve dhe aeroporteve”.

“Në anën e bregdetit të Adriatikut kemi ende ngushtimin në Termoli me 20 kilometra binar hekurudhor të vetëm”, – thotë Gesmundo. “Dhe mes dy kryeqyteteve të Jugut të Italisë, si Napoli dhe Bari, ne arsyetojmë për kapacitet të lartë dhe jo me shpejtësi të lartë – thekson kryetari i Bashkisë së Barit, Decaro. Këtë e them si inxhinier. Krijoni infrastrukturë për t’u rritur më shumë”.

“Në Puglia, thotë De Barolomeo – ndërmarrje të ndryshme të vogla dhe të mesme kanë vijuar të zgjerojnë prodhimin, të inovohen dhe të ndërkombëtarizohen. Ne presim një përpjekje më të madhe në investimet publike dhe një plan për të rinjtë. Në fund ajo që vuan është ikja e trurit – por ka edhe shumë të rinj me ambicien për të bërë biznes të cilët duhen mbështetur dhe nxitur”.

 

* “Katedrale në shkretëtirë”, në gjuhën gazetareske dhe politike, është një shprehje e krijuar nga politikani Luigi Sturzo në vitin 1958 për të treguar sipërmarrje industriale të mëdha dhe të kushtueshme (të lindura përgjithësisht nga shteti) në zona që konsiderohen të papërshtatshme.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of