Leksionet e Nobelit të Ekonomisë për varfërinë

25/10/2019 10:02 PM 0 komente

Këtë vit e fituan tre laureatëve, politikat e të cilëve po përpiqen të lehtësojnë barrën e rëndë të varfërisë. Gjetjet e rastësishme ndihmojnë politikëbërësit të kuptojnë se cilat politika funksionojnë dhe cilat jo

 

Pyetja më e rëndësishme në ekonomi është gjithashtu më e vështira: pse disa vende vazhdojnë të mbeten të varfra ndërsa disa të tjera bëhen gjithnjë e më të pasura? Në vitin 2015, 10% e popullsisë së botës jetonte me më pak se 1.90 dollarë në ditë, nga 36% në vitin 1990. Por më shumë se 700 milionë njerëz vazhdojnë të jetojnë ende në varfëri ekstreme dhe fatkeqësisht numri i tyre rritet çdo ditë në pjesë të caktuara të botës, veçanërisht në Afrikën Subsahariane.

Për kontributin e tyre, për të kuptuar boshllëqet në zhvillim, aq më shumë për t’i zvogëluar dhe për t’i mbyllur ato sa më parë, Abhijit Banerjee, Esther Duflo dhe Michael Kremer iu dha këtë vit çmimi Nobel për Ekonominë. Të tre janë amerikanë, megjithëse z. Banerjee dhe znj. Duflo janë emigrantë (dhe të martuar me njëri-tjetrin). Pas dhënies së këtij çmimi, znj. Duflo renditet si gruaja e dytë që e merr këtë çmim dhe njëkohësisht më e reja, në moshën 46-vjeçare.

Tridhjetë vjet më parë, ekonomistët studiuan transformimet strukturore në shkallë të gjerë: nga ato rurale dhe bujqësore deri tek ato urbane dhe industriale. Makroekonomistët krijuan teoritë e rritjes rreth ndryshoreve, të tilla siç është kapitali njerëzor, pastaj u zhvilluan regresione të rritjes ndërvendore për të studiuar marrëdhëniet ndërmjet viteve të shkollimit dhe PBB-së për person. Por të dhënat ishin të pakta ose të dobëta, dhe numri i madh i faktorëve potencialisht të rëndësishëm e bënë të vështirë për të kuptuar se cilët ishin faktorët që shkaktonin situata të ndryshme.

Në mesin e viteve 1990, z. Kremer, në Universitetin e Harvardit, eksperimentoi diçka ndryshe. Me bashkëpunëtorë dhe bashkautorë të tjerë, ai filloi të studionte varfërinë nëpërmjet metodave jo të zakonshme dhe që shpeshherë ishin ndjekur nga kimistë apo biologë të tjerë. Ai u bazua te gjetjet e rastësishme. Nëse kapitali njerëzor, shëndeti, arsimi, aftësitë dhe kështu me radhë janë thelbësore për zhvillimin, atëherë ekonomistët do të bënin të pamundurën për të vepruar në mënyrën më të mirë.

Në Kenia, ai kreu eksperimente në terren, në të cilat shkollat u ndanë rastësisht në grupe, disa si subjekt i politikave ndërhyrëse dhe disa të tjera jo. Ndër të tjera, ai testoi tekstet shkollorë shtesë, stimujt financiarë për mësuesit që lidhen me përparimin e nxënësve të tyre, etj. Çdo eksperiment i tillë hedh pak dritë mbi “pyetjen më të vështirë të ekonomisë”. Burimet arsimore, librat shkollorë, për shembull, kishin ndikim shumë të vogël në rezultatet e të mësuarit. Duke i bërë nxënësit më të shëndetshëm, do të rritej rrjedhimisht edhe pjesëmarrja e tyre në shkolla, por kjo nuk do të thoshte se ata do të mësonin më shumë.

Eksperimentet patën një rezultat më të gjerë: ato u mësuan ekonomistëve që provat apo gjetjet e rastësishme mund të funksiononin dhe mund të kishin rezultat në këtë fushë. Z. Banerjee dhe znj. Duflo vendosën bazat tek të cilat u mbështet më pas edhe z. Kremer, se nëpërmjet gjetjeve të rastësishme mund të studiohej kujdesi shëndetësor, sipërmarrja, si dhe arsimi.

Të tre studiuesit janë marrë me studimin e programeve të imunizimit, menaxhimin e infrastrukturës publike dhe përdorimin e teknologjive që rrisin produktivitetin. Ata kanë kaluar orë të panumërta duke vëzhguar dhe duke mësuar nga luftërat e përditshme me të cilat duhet të përballen “të varfrit në botë”.

Duke i shpërbërë pyetjet e vështira në pyetje më të vogla dhe më të thjeshta, dhe duke e trajtuar secilën prej tyre me anë të eksperimenteve të kryera me kujdes, ata arritën të kapërcejnë disa prej problemeve më të vështira të epistemologjisë. Ekonomistët që përdorën regresione ndërvendore nuk mund të thoshin me siguri nëse shkollimi shtesë ndikonte në nxitjen e rritjes apo ndodhte së bashku me të.

Në të kundërt, eksperimentet në terren mund të tregojnë jo vetëm lidhjen midis një mësimdhënieje më të mirë dhe të mësuarit në një shkallë më të lartë, por edhe mënyrën se si një lidhje e tillë funksionon. Por pikërisht këtu qëndron edhe problemi më i madh, sepse njerëzit janë shumë të ndërlikuar dhe bota është gjithnjë në ndryshim, kështu që është e vështirë të jesh i sigurt se lidhja midis dy ndryshoreve do të vazhdojë të mbetet e njëjtë.
Studiuesit gjithashtu duhet të jenë të vetëdijshëm se grupet që testohen mund të ndryshojnë hollësisht nga një popullatë më e gjerë, ose që diçka në eksperiment mund të ndikojë në sjelljen e pjesëmarrësve. Gjatë përsosjes së kërkimeve në terren, z. Banerjee dhe znj. Duflo treguan se si mund t’i kapërcejnë këto vështirësi. Eksperimentet “natyrore”, siç është një tronditje në çmimet e naftës, nuk mund të ripërsëriten, vetëm e vetëm për të shuar dyshime të ndryshme, ndërsa eksperimentet në terren mund të përsëriten.

 

Një histori në zhvillim

Çdo pjesë e së vërtetës e çmuar, marrë nga të dhënat e gjeneruara nga eksperimentet në terren, paraqet një kontribut të madh për të kuptuar mënyrën sesi funksionon bota. Ajo çka shpresohet në këtë drejtim është që të gjitha këto pjesëza të vogla të mund të bashkohen dhe të formojnë një të vërtetë të madhe. Puna e këtyre laureatëve përdor teorinë ekonomike si një udhëzues, por sidoqoftë është larg disiplinave të ndjekura nga ekonomistët.
Gjetjet e rastësishme janë pjesë e një zhvillimi të rëndësishëm në dekadat e fundit, larg prej teorive të shumëpërfolura dhe duke shkuar drejt një argumentimi empirik. Dhe pikërisht me dhënien e çmimit të Ekonomisë për këtë vit, Komiteti Nobel e miratoi këtë gjë. Për më tepër, dhënia e këtij çmimi është vlerësim për punën e këtyre laureatëve që po përpiqen të gjejnë mënyra për të përmirësuar jetën.

Por pyetjes më të vështirë ende nuk i është dhënë zgjidhje. Z. Banerjee dhe znj. Duflo shprehen se puna e tyre do të ndikojë në dhënien sa më të shpejtë të një zgjidhjeje. Të marra së bashku, eksperimentet e tyre zbulojnë se hendeku në produktivitet midis prodhuesve më shumë dhe më pak efikas është më i gjerë në ekonomitë në zhvillim sesa në ato të përparuara. Nëse kjo do të përmirësohet nëpërmjet ndërhyrjeve të vogla herë pas here, mbase pyetja më e vështirë, nuk do të konsiderohet më si një e tillë. Megjithatë, misteri i varfërisë globale do të vazhdojë të mbetet i tillë. Por nëse numri i ekonomistëve, që do të mbështesin këto zbulime si ai i tre laureatëve që fituan çmimin Nobel të Ekonomisë së këtij viti, do të rritet atëherë ky mister nuk do të mbetet përgjithmonë i tillë.

 

Gjetjet

-Duke i shpërbërë pyetjet e vështira në pyetje më të vogla dhe më të thjeshta, dhe duke e trajtuar secilën prej tyre me anë të eksperimenteve të kryera me kujdes, ata arritën të kapërcejnë disa prej problemeve më të vështira të epistemologjisë. Ekonomistët që përdorën regresione ndërvendore nuk mund të thoshin me siguri nëse shkollimi shtesë ndikonte në nxitjen e rritjes apo ndodhte së bashku me të.

-Në të kundërt, eksperimentet në terren mund të tregojnë jo vetëm lidhjen midis një mësimdhënieje më të mirë dhe të mësuarit në një shkallë më të lartë, por edhe mënyrën se si një lidhje e tillë funksionon. Por pikërisht këtu qëndron edhe problemi më i madh, sepse njerëzit janë shumë të ndërlikuar dhe bota është gjithnjë në ndryshim, kështu që është e vështirë të jesh i sigurt se lidhja midis dy ndryshoreve do të vazhdojë të mbetet e njëjtë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of