Leku forcohet më tej ndaj euros, ndonëse monedha e përbashkët po rritet në bursa

09/12/2020 2:54 PM 0 komente

Leku po vazhdon të fitojë lehtë terren edhe këtë javë në kursin e këmbimit me euron, ndonëse në tregjet ndërkombëtare euro po këmbehet në nivelet më të lartë në dy vite e gjysmë kundrejt dollarit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të mërkurën me 123.74 lekë, duke prekur nivelin më të ulët të dy javëve të fundit. Agjentët e këmbimit shprehen se kjo lëvizje e kundërt me tregjet ndërkombëtare lidhet me faktin se kërkesa për euro në tregun valutor paraqitet e ulët. Deri tani, oferta në treg po i përgjigjet mëse mjaftueshëm kërkesës për euro të ekonomisë shqiptare. Megjithëse që nga mesi i vitit vërehet një rritje graduale e importeve dhe e deficitit tregtar, kursi i këmbimit të euros nuk është mbiçmuar dhe po qëndron pranë nivele të verës. Në mungesë të të dhënave direkte të bilancit të pagesave pas tremujorit të dytë, vlerësimet për një sezoni turistik më të mirë se parashikimet mund të kenë sjellë rritje të rezervave të euros në ekonomi.

Një faktor me ndikim të konsiderueshëm në tregun valutor këtë vit ka qenë edhe qeveria shqiptare. Në pjesën më të madhe, deficiti buxhetor në tremujorët e tretë dhe të katërt të vitit është financiar me paratë e eurobondit të emetuar në muajin qershor. Duke qenë se shpenzimet e qeverisë janë në lekë, këto para janë konvertuar në monedhën vendase. Mes muajve qershor dhe tetor, qeveria shqiptare vlerësohet se ka shitur rreth 225 milionë euro nga fondet e saj në valutë, mbështetur kjo në pakësimin e llogarive të saj në valutë të huaj pranë bankës qendrore.

Leku fitoi sërish pikë të mërkurën edhe në kursin e këmbimit me dollarin amerikan, që u këmbye me 102.02 lekë, në rënie me 0.29 pikë nga kursi i ditës së hënë. Të premten dollari pati zbritur në 101.89 lekë, që përfaqëson vlerën më të ulët që nga maji i vitit 2014. Zhvlerësimi i dollarit në kursin e këmbimit me lekun është rezultat i drejtpërdrejtë i rënies së monedhës amerikane kundrejt euros. Kursi i dollarit dhe valutave të tjera ndaj lekut përcaktohet nga ecuria e tyre ndaj euros, sepse volumet e këmbimit të tyre në tregun shqiptar janë modeste, ndërsa monedha e huaj referuese në ekonominë shqiptare është ajo europiane. Sot dollari këmbehet në tregjet ndërkombëtare me 0.83 euro, duke qëndruar në nivelet më të ulëta të dy viteve të fundit. Analistët e tregjeve presin që dollari të vazhdojë të dobësohet ndaj euros dhe valutave kryesore edhe gjatë vitit 2021.

Të mërkurën, dollari u këmbye në nivelet më të ulëta në dy vite e gjysmë kundrejt euros, teksa progresi në luftën kundër pandemisë së COVID-19 nxiti oreksin për rrezik të investitorëve. Dollari u dobësua 0.2% kundrejt euros në $1.2126 dhe po shkon drejt një humbjeje vjetore prej 8% kundrejt monedhës së përbashkët, më e forta që nga 2017-a.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of