Prodhuesit e lëngjeve të frutave në vend, një industri ende modeste por me interes, shprehen se operimi i tyre në sektor është vështirësuar, e lidhur kjo me taksat e importit për lëndën e parë apo me klimën në përgjithësi. Ata konsiderojnë si frenues klimën e përgjithshme të të bërit biznes, problematikat me infrastrukturën dhe energjinë, por sidomos paragjykimin e konsumatorëve për produktet shqiptare. Prodhimi i lëngjeve të frutave ka ardhur në rritje nga viti në vit, por kompanitë shprehen se po shtrydhin fitimet e tyre për të mbijetuar në luftë me barrën e rritur dhe konkurrencën e importit. Në treg po përvijohet edhe një tendencë e re, ajo e dyqaneve të dedikuara me lëngje frutash të shtrydhura në moment.
Nga Nertila Maho
Emil Jaho investoi vitin e kaluar në fabrikën e tij të lëngjeve të frutave në Berat 600 mijë euro për linjën e re teknologjike. Sot shprehet i penduar për këtë lëvizje, pasi sheh se kthimi i investimit do të dojë një kohë të gjatë, ndërkohë që situata në treg nuk duket edhe aq optimiste. Ai shprehet se qeveria ka rritur taksën e importit për lëndën e parë, duke e bërë më të shtrenjtë koston e prodhimit ndërkohë që ky sektor, pra prodhimi i lëngjeve të frutave po shtrydh fitimin e tij vetëm për të mbijetuar para “lumit” të madh të importit.
Vit pas viti, prodhimi i lëngjeve të frutave ka njohur rritje, por ende mbetet modest si treg po të kemi parasysh sasinë totale. Në vitin 2015, ky treg prodhoi 144 800 hektolitra lëngje frutash ndërkohë që në vitin 2016, kjo shifër do të arrinte në 182 270 litra pra me një rritje 25.8% brenda një viti. Ky zgjerim i përket futjes në punë të operatorëve të rinj. Në vitin 2017, prodhimi i lëngjeve të frutave ishte 186 470 hektolitra, me një rritje prej vetëm 2.3% në raport me një vit më parë. Ndërsa të ardhurat e kompanive kanë rezultuar përgjithësisht me rënie.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se në prodhimin e lëngjeve të frutave, që përfshihet tek agroindustria operojnë sot në gjithë vendin të paktën katër operatorë; Partner Ballkanik (Amita); Dea; Fresh; Kop.Frut.Dibër.2012; Alfa Glina. Ndërsa A & B Group, që prodhonte markën Gerfrut, me qendër në Vlorë dhe i krijuar në vitin 2006, ka bërë kërkesë për faliment për arsye ristrukturimi në 2017-n, si rrjedhojë e borxheve ndaj tatimeve e bankave, sipas vendimit të kërkesës për faliment, depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Prodhuesi më i madh i lëngjeve në vend është Partner Ballkanik, me markën “Amita”. Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat nga aktiviteti të kompanisë ishin 632 milionë lekë, me një rënie prej 4% me bazë vjetore. DEA, e krijuar që në vitin 1997, raportoi të ardhura prej 115 milionë lekësh në 2017-n, me një tkurrje prej 8% me bazë vjetore. Fresh Kompani arriti të rrisë të ardhurat me vetëm 1.5% në 97 milionë lekë.
Dyfishim të aktivitetit raportoi Kop.Frut.Dibër.2012, një nga operatorët më të rinj në treg, i specializuar në lëngun e mollës, por gjithsesi duke u nisur nga një bazë e ulët. Të ardhurat e këtij operatori ishin 10 milionë lekë në 2017-n.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tregojnë se importet në grupin e lëngjeve të frutave kanë pasur një rritje të vazhdueshme nga viti në vit. Raportimi në këtë grup përfshin edhe mushtin e rrushit dhe lëngjet e zarzavateve dhe në vitin 2016, ky grup regjistroi një sasi importi prej 2.2 milionë kilogramësh dhe një vlerë prej 286 milionë lekë.
Në vitin 2017, importet për grupin u zgjeruan me 27% duke regjistruar një sasi 2.8 milionë kilogramë dhe një vlerë në lekë prej 364 milionësh. Të dhënat për 5-mujorin e parë të këtij viti tregojnë se importet në sasi ishin 1.1 milionë kilogramë për këtë grup dhe 139 milionë lekë në vlerë.
Eksportet, nga ana tjetër, në vitin 2016 regjistruan një total prej 123 mijë kilogramësh dhe një vlerë prej 11 milionë lekësh kurse në vitin 2017 kemi rënie të theksuar me gati 82%. Në vlerë eksportet e këtij grupi në vitin e kaluar ishin vetëm 1.9 milionë lekë.
Viti 2018 duket të jetë edhe më i vështirë nëse shohim shifrat krahasuese zyrtare. Në janar-maj 2018, eksportet kanë rënë me 80% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2017-s. Në sasi, këto eksporte janë 1992 kilogramë, kurse në vlerë vetëm 274 mijë lekë, shifra këto që tregojnë për një tkurrje të dukshme të eksporteve në këtë grup edhe pse nuk është përfaqësues direkt i tendencës së lëngjeve të frutave.
Taksa mbi lëndën e parë, prodhuesit: Është e lartë, të rishihet
Prodhuesit e lëngjeve të frutave janë në unison nëse i pyet se cila është problematika e tyre kryesore. Taksa që aplikohet mbi lëndën e parë shënoi rritje në fillim të 2018-s sipas tyre duke rënduar edhe situatën. Aktualisht kjo industri ndesh një konkurrencë agresive me importin dhe në këto kushte, është e detyruar që të shtrydhë fitimet e saj vetëm për të mos prekur çmimin final. Shumica e kompanive janë të vogla, të shpërndarja lokalisht, duke mbuluar zona të kufizuara.
Përjashtim bën vetëm Partner Ballkanik (Amita) e cila është kompania më e madhe vendase dhe që ka të mbuluar totalisht territorin shqiptar. Duke pasur kryesisht një tendencë lokale, disa prej tyre mundohen që çmimin ta kenë elementin konkurrues, diçka që është bërë më e vështirë pas rritjes së taksës në import. Prodhuesit shprehen se qeveria duhet të rishohë këtë aspekt duke i dhënë kështu një dorë të mirë industrisë vendase të prodhimit të lëngjeve të frutave.
Aktualisht gjithë pureja e frutave importohet jashtë dhe është pikërisht ideja e mbrojtjes së prodhimit vendas në qendër të logjikës së taksave të larta të importit. Por sot në Shqipëri nuk ka prodhues të mirëfilltë të saj, pra politika e ndjekur nuk është se po mbron ndonjë prodhim vendas, por nuk do të ishte e gabuar nëse do të nxitej kjo pjesë. Prodhuesit vlerësojnë se plotësimi i zinxhirit do t’i shërbente vetëm pozitivisht ekonomisë. “Pra të shihet një skemë stimulimi që nis nga bujqësia, te prodhuesit e lëndës së parë dhe më pas prodhuesit e lëngjeve të frutave. Kjo do të mbyllte ciklin. Ndoshta nuk do të ishte një industri udhëheqëse, por do të ishte një industri e qëndrueshme që hap vende pune, investon dhe shton vlerë në vend”, shprehen prodhuesit.
Infrastruktura dhe energjia ende mbeten frenues
Prodhuesit shprehen se kur vjen puna te problemet, ato janë të natyrave të ndryshme. Të bësh biznes në Shqipëri nuk është edhe aq e thjeshtë dhe në disa raste, kjo lidhet me elemente që jashtë nuk perceptohen. Për shembull, infrastruktura është një nga pengesat kyçe që hasen. Së dyti, linjat teknologjike që instalohen nëpër fabrika janë të destinuara që nëse fillojnë punën, të mos kenë ndërprerje energjie në të kundërt ato kanë kosto të lartë. Pjesës më të madhe i duhet që të kenë sisteme “back up” (sisteme mbështetëse) ose transformatorë. Edhe pse ndërprerjet e energjisë kanë qenë të reduktuara, ato sërish nuk mungojnë duke bërë që automatikisht të rriten kostot e biznesit.
Importet çfarë gjen në treg dhe çfarë preferojnë konsumatorët
Sot ka një numër të madh markash te lëngjet e frutave, të cilat i gjen në raftet e supermarketeve shqiptare. Por cila është panorama e shitjeve në supermarket. “Monitor” mori të dhënat e përpunuara nga rrjeti i supermarketeve “Conad”, ku rezulton se tregtohen të paktën 12 marka lëngje frutash nga të cilat 6 marka të importuara direkt, 4 marka importi të blera nga distributorë vendas, dhe 2 marka të prodhuara në vend. Në total kemi 2 vendase dhe 10 importi. Lidhur me raportin e shitjeve, të paktën 16% e totalit është prodhim vendas dhe 84% import. Prodhimi vendas është kryesisht në 1 lt karton, 250 ml karton (marka Amita) dhe në formatet qelq 1 lt marka Agrofruit.
Për markat e importit, vendi i origjinës është kryesisht nga Italia dhe Serbia. Formati më i preferuar në blerje nga ana e konsumatorëve është ai 1 litër, ndërkohë që vetëm 4% të gjithë shitjeve e zënë formatet voluminoze prej 2 litrash. Mjaft i preferuar mbetet edhe formati 200-250 mililitra që zë 31% të peshës totale të shitjeve në marketet “Conad” .
Ka një theks të vazhdueshëm këto kohë për jetesën e shëndetshme dhe në shumicën e menuve ditore të konsumit nuk përjashtohet edhe një lëng frutash, kombinimet e të cilit mund të jenë nga më të ndryshmet.
Është pikërisht kjo tendencë që ka bërë që në Tiranë të nisë “lulëzimin” një biznes i ri i dedikuar vetëm për lëngjet e freskëta të frutave të shtrydhura në moment, në prani të klientit. Gerhard Veizi ka vetëm një muaj që ka hapur dyqanin e tij “Gjelbër” në Bllok, i cili ka në themel të aktivitetit vetëm lëngjet e freskëta të frutave.
“Kam studiuar rrugën nga Ura për te Drejtoria e Policisë deri te sheshi ‘Wilson’ dhe më rezultoi që nuk kishte një dyqan të tillë. M’u desh të prisja të paktën një vit për t’u liruar një ambient që ta merrja me qira dhe të nisja aktivitetin që kam sot. Interesi ka qenë i kënaqshëm dhe shitjet janë relativisht në nivele të mira” tregon ai. Nismën e mori pas një përvoje të gjatë me kroçerat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë të paktën 11 kombinime lëngje frutash që ofrohen në dyqanin e tij ku një pjesë janë të shkarkuara nga interneti dhe një pjesë edhe të eksperimentuara vetë.
Edhe në këtë rast emrat që kanë lëngjet janë të lidhura direkt me shëndetin. Për shembull “Immmunity Booster” është pagëzuar lëngu që ka në bazë portokallin, mollën, limonin dhe xhinxherin apo Migrain Reliver që përfshin ananasin, mollën, spinaqin, selinonë, lime dhe xhinxher. “Gjithsesi më i preferuar mbetet lëngu i jetës që ka panxhar, mollë dhe karotë. Të paktën 80% e atyre që blejnë lëngje të freskëta frutash janë femra dhe kryesisht i përkasin grupmoshës 30-30 vjeç por sigurisht ka edhe të tjerë”, – shprehet Gerhardi.
Furnizimin me fruta e bën te tregu Agro-Ushqimor në kryeqytet duke kërkuar që të sigurojë një kosto sa më të ulët, që në finale të ruajë edhe çmime mesatare për klientët, ndërkohë që shprehet optimist për vijimin.
“Produktet shqiptare janë të paragjykuara, kjo na pengon të rritemi”
Paragjykimi i konsumatorëve shqiptarë për produktet shqiptare është ngërçi më i madh që has sot kompania Kop.Frut. Vehip Salkurti, administrator i kësaj kompanie, e cila prodhon kryesisht lëng molle shprehet se është e vështirë të fitosh terren në tregun shqiptar të mbytur nga importi dhe ku perceptimi konsumator është që lëngu të ketë ngjyrën që ka fruta. Në fabrikën ku ka investuar të pakën 1 milion euro, puna bëhet vetëm me një sezon nga shtatori në dhjetor dhe janë të punësuar rreth 5-6 familje.
Nuk mund të prodhojë gjithë vitin, pasi edhe zgjerimi që ka në treg nuk ia lejon këtë luks. Salkurti shprehet se rritja ka qenë graduale, por mbetet ende e vogël në treg pesha e kompanisë, pasi nuk ka gjetur edhe mbështetjen e zinxhirit shqiptar të shpërndarjes. Lidhur me operimin me kontrata, ai thotë se ka pasur interes nga Italia por tregu shqiptar funksionon në mënyrë që nuk të jep garanci për prodhimin dhe nëse ti nuk përmbush detyrimet, ke penalitete.
Mund të na bëni një përmbledhje të profilit që ka kompania Kop. frut? Çfarë produktesh prodhoni?
Aktivitetin e kemi filluar 2012 Kop. Frut me dhomat frigoriferike. Duke parë cilësinë e dobët të prodhimit menduam të ngremë një linjë të përpunimit të frutave, që nuk i tërhiqte tregu. Që kanë gjithë vlerat ushqyese por estetikisht ndoshta nuk ishin uniforme. Sot prodhojmë lëng me mollë të freskët, që nuk ka asnjë lloj konservanti brenda. Janë mollë të zonës së Dibrës. Prodhimin e bëjmë në sezonin kur vilet molla e freskët për një arsye të thjeshtë, pasi lëngu është më i shijshëm dhe më i freskët, por edhe nuk rrit kostot tona sepse po ta mbash në frigorifer, kostoja e mollës rritet.
I gjithë procesi zgjat 30 minuta nga molla te lëngu dhe paketimi që përfshin larjen shtrydhjen kalimi në sitën e kullimit të tulit të mollës. Kjo bëhet me superator, në mënyrë që të ketë sa më pak mbetje pra nuk është me filtra, pasi sa më shumë ta kullosh më pak vlera ushqyese ngelin. Më pas, gjithë lëngu kalon në temperaturë 80 gradë dhe mbyllet po në këtë temperaturë në shishe qelqi. Lëngu deri në këtë temperaturë ruan shumicën e vlerave ushqyese të një frute të freskët.
Çfarë vështirësish hasni ju si kompani lidhur me tregun?
Në fakt, ne kemi hasur më shumë vështirësi me konsumatorin sepse përgjithësisht, tendenca është që duan të shohin lëngje me ngjyrën e frutës, pra nëse molla është jeshile lëngu duhet të jetë në të njëjtën ngjyrë. Është e vështirë të bindësh konsumatorin që një frutë që ka kaluar procesin e pasterizimit nuk ruan dot ngjyrën e frutës, por vlerat i ka. Pastaj kemi hasur edhe një lloj paragjykimi për produktet shqiptare. Shumica e shohin me hije dyshimi produktin shqiptar në përgjithësi dhe kanë tendencën të shkojnë tek pijet importuara. Kjo do ndërgjegjësim dhe fushata të mëdha marketingu, por ne nuk i përballojmë dot sepse ato janë të kushtueshme.
Ne mundohemi të bëjmë shumë pak në këtë pjesë, sepse aq janë mundësitë. Po kështu, edhe zinxhiri i shpërndarjes, pra markete, supermarkete janë problematikë, nuk kanë dëshirën e mirë, edhe pse ti je duke u dhënë garanci për një produkt cilësor. Tregtarët shprehin edhe më shumë rezerva, duke e vështirësuar zgjerimin jo vetëm të produktit tonë, por në përgjithësi të produkteve shqiptare të kësaj kategorie. Aktualisht, lëngu që ne prodhojmë ka certifikimin ISO 22000 që është certifikimi më i lartë në zinxhirin ushqimor. Aktualisht pesha jonë në treg është ende e vogël, sepse jemi të rinj dhe nuk e mbulojmë dot gjithë territorin.
E gjithë lënda e parë është vetëm nga mollët e Dibrës? Keni kontrata të dedikuara me fermerë apo i blini në treg të lirë?
Zona e Dibrës mundohet të kultivojë mollë, por pemëtaria ka shpenzimet e saj spërkatjet, plehrat kimike dhe jo të gjithë i kanë mundësitë për t’i blerë që të arrijnë të prodhojnë një produkt cilësor, për ta shitur si frutë në treg. Ato që nuk destinohen për tregun i blejmë ne dhe në fakt ka 10 herë më shumë prodhim se kapaciteti ynë. Ne prodhim mund të bëjmë shumë më shumë por e kufizojmë atë në bazë të shitjes. Aq janë mundësitë. Aktualisht ne prodhojmë 100 mijë litra me 200 mijë kilogramë mollë që përpunojmë. Kapaciteti i fabrikës është 1 milion kilogramë në vit, por ne punojmë vetëm në periudhën e vjeshtës, shtator deri në dhjetor.
Po nga këto skemat e mbështetjes që ofrohen nga qeveria keni përfituar ndonjëherë?
Po kemi aplikuar për programin IPARD dhe kemi marrë subvencion, por realisht problemi ynë real sot është mentaliteti që ekziston për produktet shqiptare. Derisa të jetë ky lloj mentaliteti do të jetë e vështirë. Mungon mbështetja e biznesit me njëri-tjetrin kur nuk janë konkurrentë kuptohet.
Aktualisht prodhoni vetëm lëng molle? Keni menduar ndonjëherë ta zgjeroni gamën e produkteve?
Përveç lëngut të mollës, që është në tre variante sipas tre varieteteve të mollës, prodhojmë dhe uthull molle, një miks mollë me dardhë, një mollë me ftua. Përpara se të zgjerojmë gamën duhet me patjetër që të rritemi disi në treg, të kemi vendosur një rrjet të mirë shpërndarjeje. Kam eksperimentuar në një masë shumë të vogël dhe besoj që këtë vit do të jemi në sasi më të madhe me një produkt miks mollë me shegë dhe mollë me “arania”, që janë si boronicat por që kanë 4 herë më shumë antioksidantë. E kam gjetur në Peshkopi këtë frutë, por ka vende ku kultivohet në Lushnjë, por edhe në Kosovë. Shegët, nga ana tjetër, i kam gjetur në Lezhë dhe janë shegë të egra. Ftoin dhe dardhën gjithashtu i kam siguruar në Peshkopi. Në total, Kopfrut ka shtatë produkte, të vendosura në shishe qelqi 1 litër dhe 250 mililitra. Edhe te pjesa e shisheve kemi një lloj ngarkese pasi taksohet 10 lekë për kilogram si taksë ambalazhi.
Po qershi keni menduar të përpunoni, a ka sasi të mjaftueshme në treg?
Ka edhe qershi me shumicë, por qershia do konservantë dhe nuk prodhohet dot 100% lëng. Është i tillë procesi teknologjik. Por ndoshta një variant mollë me qershi do ta shohim në një moment të dytë.
Po investimi i fabrikës sa ka shkuar? Sa njerëz keni të punësuar?
Ne kemi bërë 1 milion euro investim në fabrikë. Të punësuar jashtë sezonit janë vetëm pesë persona dhe kjo në kohën e sezonit ndryshon. Por duhet të kemi parasysh efektin që ka fabrika në punësimin jo të drejtpërdrejtë. Ne mbajmë të angazhuar dhe mbledhim prodhimin e 100 fermerëve.
Keni parë ndonjëherë mundësinë për të eksportuar produkte ndoshta edhe duke lidhur kontrata afatgjatë?
Kemi nisur prodhimin në 2015-n dhe nga viti në vit është rritur kërkesa në vend, por siç thashë nuk jemi aty ku pretendojmë. Fillimisht sfidë është tregu vendas. Kemi pasur kërkesa edhe nga jashtë, për shembull na është kërkuar nga Italia, por kur lidh kontrata të mëdha, përgjegjësia është gjithashtu e tillë. Bujqësia jonë funksionon në mënyrë që s’të jep garanci për prodhim. Nëse ty të kërkohen 4 milionë litra lëng, të duhen 8 milionë kilogramë mollë.
Ti e bën kontratën, por çështja është ku do t’i gjesh mollët. Fermerët janë të ndarë, produktet nuk kanë certifikim. Ne kemi hasur shumë vështirësi me prodhuesit. Ke të bësh me grupe prej 300-400 prodhuesish, që e kanë shumë të vështirë të bien dakord mes tyre. Plus të papriturat e motit. Vjet për shembull pati ngrica që dëmtuan prodhimin.
“Sektori, rënie që nga shtatori i kaluar, ‘antiinformaliteti’ shkatërroi pikat e shitjes”
DEA sh.p.k. operon prej vitesh në treg me një shtrirje në një pjesë të mirë të Shqipërisë, duke ruajtur një rritje graduale por nga shtatori i vitit të kaluar, punët duket se nuk po ecin dhe aq mirë në treg në përgjithësi. Emil Jaho, administrator i kompanisë konfirmon ka një barrë të shtuar mbi këtë biznes, të paktën në aspektin e taksave, ndërkohë që investimet nga ana e kompanisë nuk kanë munguar, por kthimi i tyre është bërë gjithmonë e më i vështirë.
Sa vite keni që operoni në treg, çfarë shpërndarje kanë produktet e kompanisë?
Ne kemi të paktën 25 vjet që punojmë në tregun shqiptar. Kemi një shtrirje mesatare në gjithë Shqipërinë, duke lidhur kontaktet me rrjete të ndryshme të shpërndarjes. Prodhojmë lëngje frutash në paketime të ndryshme, përfshirë 2 litra, por edhe pije me gaz.
Si paraqitet situata lidhur me prodhimin, shitjet?
Po sipas mundësive që ofron tregu, ne kemi regjistruar rritje graduale vit pas viti, por nga shtatori i vitit të kaluar ka një rënie që ka vijuar edhe në pjesën e parë të këtij viti. Situata përkoi me nismën e antiinformalitetit që mori qeveria, pasi rënia ishte e menjëhershme, mesa duket nga klima e krijuar nga gjobat e vendosura. Kjo na krijoi probleme me pikat e vogla të shitjes të cilat u shkatërruan, duke na lënë në dorë të marketeve. Këta të fundit duan të negociojnë duke të mbajtur për një kohë të gjatë paratë një herë në disa muaj.
Po në aspektin e taksave, sa i favorizuar është ky lloj biznesi ose si paraqitet niveli i tyre në këndvështrimin tuaj?
Situata është vështirësuar. Rasti më i fundit i rritjes së taksës ka ndodhur para 6 muajsh dhe lidhet me lëndën e parë. Ne marrim në Europë lëngun e frutave apo purenë dhe më herët paguanim 20% të vlerës së saj. Tani kjo është rritur duke shkuar në 30%. Për të mos folur pastaj për kostot e tjera që kemi që lidhen me transportin taksat e tjera. Ne jemi sot një biznes në vështirësi. Kemi fitime minimale, veç për mbijetesë dhe nuk jemi trajtuar ndonjëherë me ndonjë paketë të veçantë, si sektor i veçantë prodhues.
Sa investim keni bërë në fabrikë dhe sa të punësuar keni në total?
Aktualisht kam të punësuar 50 punëtorë, që i përkasin kryesisht 5-6 familjeve. Sa u përket investimeve, vetëm i vjetshmi është diku tek 500-600 mijë euro. Investimin e bëra me kredi, nuk është se kam përfituar gjë nga grantet apo ndonjë subvencion. Linjën teknologjike e mora në Kinë dhe për të hyrë në këto skemat e granteve, duhet që linjën ta kesh marrë nga Europa. Gjithsesi nuk kam më plane për investime, sepse është bërë shumë e vështirë që të marrësh pas atë që ke dhënë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Duhet presion nga lobe biznesi prane deputeteve per te marre lehtesira. Zarfet duhet te fluturojne nva xhepat e prodhuesit te xhepat e horrave qe jane ne parlament