Leskaj në Komisionin Hetimor për CEZ: Nuk ka pasur asnjë strategji negocimi

26/10/2016 6:10 PM 0 komente

 

Kryetari i Kontrollit të lartë të Shtetit, Bujar Leskaj ka raportuar sot në komisonin hetimor të ngritur për zgjidhjen e konfliktit mes operatorit çek të energjisë CEZ sha dhe qeverisë shqiptare.

Leskaj pohoi se grupi i punës që ishte ngritur për shqyrtimin e zgjidhjes së marrëveshjes nuk ka pasur asnjë strategji negocimi dhe nuk është zbatuar urdhri u kryeministrit Rama, që e kishte cilësuar këtë çështje të një rëndësi të veçantë.

“Në raport është konstatuar se nga ana e grupit të punës nuk është përmbushur detyra e ngarkuar në pikat 1, 2 të urdhrit të kryeministrit, numër 228, datë 02.12.2013 , pra të kryeministrit Rama, dalë në zbatim të VKM nr. 969, datë 25.10. 2013, ku përcaktohet shprehimisht që çështja për të cililin ishte ngarkuar një grup pune, ishte e një rëndësie të veçantë për interesat e shtetit shqiptar dhe grupi i punë duhet të marrë të gjitha masat e duhura, që në bazë të rrethanave të konfliktit me shoqërinë CEZ as të përcaktojë strategjinë dhe platformën e negocimit”, tha Leskaj. Sipas vendimit, grupi i punës të  merrte masa për përcaktimin e mënyrës së komunikimi ndërmjet palëve, administrimit të dokumentacionit të negociatave dhe kofidencialitetin e bisedimeve. Leskaj tha se e vërteta është se nuk është bërë asnjë edhe një gjë nga këto kërkesa e urdhrit të kryeministrit.

Grupi i punës, sipas tij e kishte për detyrë të zbatonte vendimin e Këshillit të Ministrave në pikat 1,2 dhe 5 ku përcaktohet shprehimisht që grupi i punës të marrë të gjitha masat  e duhura që në bazë të rrethanave të konfliktit me kompaninë CEZ as të përcaktojë strategjinë dhe platformën e negocimit, adminstrimit të dokumentacionit e negociatave, komunikimit ndërmjet palëve dhe konfidencialitetit e bisedimeve. “Nga ana e grupit të punës nuk është marrë asnjë masë dhe as që është përcaktuar ndonjë strategji negocimi. Nga ana e grupit të punës nuk është përcaktuar ndonjë mënyrë përfaqësimi por vetëm është përcaktuar grupi negociator, me vendimi nr.1 dhe  vendimi 2 ka qenë përfundimtar. Nga grupi i punës nuk ka një vendimmarrje në lidhje me komunikimit ndërmjet palëve, nuk ka ansjë raport apo takim të dokumentuar nga ana e kryetarit të grupit të punës që anëtarët të jenë vënë në dijeni për miratimin”, tha leskaj para deputetëve.

Ndërsa Gjykata e Lartë rrëzoi para pak ditësh kërkesën e KLSH për rihapjen e hetimeve për CEZ, Leskaj tha se në vendimin e pushimit të cështjes nga ana  e prokurorit është shmangur totalisht trajtimi i raportit të ekspertit. “Nuk merret në analizë raporti i ekspertit mbi të cilin bazohet një pjesë e konsiderueshme e kallëzimit penal të KLSH-së. Në vendimin e pushimit lihen pa trajtuar një sërë cështjesh të ngritura në kallzimin e KLSH  përsa i përket konstove shtesë që shteti shqiptar mori përsipër të trajtonte”.

 

 

Konflikti

Në janar 2013, qeveria Berisha i hoqi licencën operatorit çek të energjisë CEZ, i cili kishte privatizuar në 2008 kompaninë shtetërore të shpërndarjes së energjisë nën pretendimin se nuk ka respektuar detyrimet.

Qeveria socialiste më pas në qershor të vitit 2014 zgjidhi përmes negociatave konfliktin e krijuar me kompaninë çeke të energjisë CEZ. Kjo zgjidhje parashikonte që shoqëria e re e shpërndarjes e energjisë, e kontrolluar nga shteti merrte përsipër t’i paguajë palës çeke një vlerë prej 87.1 milionë euro. Kjo vlerë u dakortësua të paguhet me këste deri në vitin 2018 me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milionë euro mbi principalin e dakortësuar. Deri tani është paguar rreth gjysma e kësaj shume.

Opozita, në bazë edhe të një raporti të KLSH-së, sipas të cilit nga zgjidhja e kësaj marrëveshjeje shteti kishte humbur rreth 500 milionë euro, kërkoi nisjen e një hetimi parlamentar.  Nga rezultatet e një auditimi të kryer nga KLSh, institucion i pavarur kushtetues, rezulton se shtetit shqiptar, nga realizimi i kësaj marrëveshje, i është shkaktuar një dëm ekonomik që arrin në vlerën 479 milion euro, dhe më konkretisht: (i) vlera 95 milionë euro – pagesa e dakordësuar në Marrëveshje; (ii) vlera 352 milionë euro – detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keqmenaxhimit 2009-2012; dhe (iii) vlera 32 milionë euro  –  zhvlerësimi në zero i vlerës se 24% te aksioneve te Shtetit).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of