Shtëpia botuese Feltrinelli, e themeluar në vitin 1954 nga Giangiacomo Feltrinelli, hap librarinë më të lartë në Europë, në Malin e Bardhë, në lartësinë 3.466 metra.
Në stacionin Punta Helbronner The Sky, në Malin e Bardhë, në lartësinë 3.466 metra, lind libraria e re Feltrinelli, që ka diçka vërtet të veçantë: është libraria më e lartë në Europë.
Duke qenë se librat shërbejnë për të zgjeruar horizontet dhe mund të na nxisim të përshkojmë rrugë të paeksploruara më parë, nuk ka asgjë më të mirë se t’i lexosh në majë të maleve, pranë qiellit, duke kapërcyer kufijtë. Kjo është ideja që përshkon laFeltrinelli 3466 dhe teleferikun Skyway Monte Bianco, – thotë drejtuesja e Funivie Monte Bianco Spa, Federica Bieller.
Sepse nga lart, gjithçka ka një perspektivë tjetër, bota nuk është më ajo që është dhe ky vizion i zgjeruar, i mundur vetëm në mal, është i përsosur për të vazhduar më tej – lexohet në prezantimin e laFeltrinelli 3466. “Ajo që e bën malin unik dhe eksploruesin me fat është mundësia për ta parë botën nga një këndvështrim tjetër dhe emocionues. Është pikërisht kjo që i bën kaq të ngjashëm një libër të mirë dhe malin, lexuesin dhe udhëtarin”.
Dhe pastaj në një vend të ngjashëm, zhytur në qetësi, gjetja e frymëzimit sigurisht nuk do të jetë e vështirë. Lexuesin do ta shoqërojnë edhe shumë libra kushtuar gjithë llojeve të udhëtarëve. Më saktë, 1727 libra të ndarë sipas tematikave: nga librat best seller te librat më të bukur me ilustrime dhe fotografi, me temë malin, nga shkrimet kushtuar itinerareve në Valle d’Aosta (një rajon i Italisë veriperëndimore, në kufi me Francën dhe Zvicrën) te librat enogastronomikë të përqendruar te kuzhina valdostane (e Valle d’Aosta) dhe letërsia për fëmijë.
Libraria u përurua më 20 korrik. Libraria është e arritshme nëpërmjet teleferikut Skyway Montebianco në muajt qershor, korrik dhe gusht, gjithë ditët e javës, nga ora 9:30 deri më 17:30. Një librari e veçantë në llojin e saj, ideale nëse e doni malin dhe pëlqeni të eksploroni. Nga lart, perspektiva juaj mbi botën do të ndryshojë, me siguri.