Për herë të parë pas 30 vitesh, shqiptarët u gjendën përpara mungesës së zgjedhjes në votimet e javës së kaluar, në një proces që deri tani është shoqëruar me një kakofoni shifrash dhe marzhe gabimi të nivelit amatoresk.
Në pamundësi për të gjykuar, mbi një rezultat të besueshëm përfundimtar të përgjithshëm të votimeve, për vetë kakofoninë e shifrave të shpërndara nga KQZ, “Monitor” ka bërë një lexim të votës së 30 qershorit, duke u kufizuar në 3 momente, që i gjykuam domethënës në funksion të kësaj:
1. Te vota për kryetarin e Bashkisë për kryeqytetin, bazuar në të dhënat paraprake të publikuara në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në datën 4 korrik (të dhënat janë ende paraprake pasi nuk ka përfunduar ende, dorëzimi i procesverbaleve nga të gjitha KZAZ – Komisioneve të Administrimit Zgjedhor, ndërsa të dhënat për votat e pavlefshme dalin në gusht);
2. Te pjesëmarrja në zgjedhje në Bashkinë e Durrësit;
3. Te performanca e KQZ-së në përgjithësi.
Vota për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës
Ne po tentojmë të bëjmë leximin e vullnetit të sovranit duke u kufizuar në atë të votës së “sovranit” të Tiranës, edhe sepse është vështirë të gjykosh në shifrat në rang vendi, pasi ato kanë ndryshuar në vijimësi që prej mbylljes së kutive e gjatë numërimit dhe e patëm të pamundur të vendosnim se mbi cilat shifra të ndërtojmë arsyetimin tonë.
Sqarim: Shifrat e numrave të votuesve të Bashkisë së Tiranës që e ushtruan të drejtën e votës nuk ndryshojnë shumë midis atyre që janë raportuar si të tillë në orën 22:00 në komunikimin zyrtar të KQZ në datë 30 Qershor për sa i përket pjesëmarrjes totale në votime, me ato të raportuara nga KQZ në datën 02 Korrik paradite, kur u shpall i përfunduar, procesi i numërimit të votave për kandidatët për Kryetar Bashkie në Tiranë.). Për Bashkinë e Tiranës ka një deklarim zyrtar deri në datën 5 korrik për numër votuesish në 171.3 mijë, por burime paraprake nga KQZ bëjnë të ditur se numri i votuesve ka arritur në rreth 180 mijë (deri në datën 5 korrik në mbrëmje, tabelat zyrtare për Tiranën nuk ishin miratuar).
Katër vjet më parë, zgjedhësit e kryeqytetit, duhet të vendosnin mes 6 kandidatëve, një kandidati nga secila prej partive kryesore në vend dhe katër kandidatë të tjerë në përfaqësi të partive më të vogla apo në titull individual. Një fushatë e tillë realisht ofroi zgjedhje midis alternativave qeverisëse për Tiranën që diferencoheshin në mendësi e në stil. Dhe “sovrani” kryeqytetas e bëri zgjedhjen e tij me votën, që hodhi në kuti.
Këtë herë ishte ndryshe. Në shumë aspekte.
Në një atmosferë gati surreale, ku një pjesë e qytetarëve pretendonte se s’kishte asgjë anormale dhe një pjesë këndonte këngë të periudhës së diktaturës komuniste për të dhënë interpretimin e saj të situatës, në mëngjesin e 30 qershorit 2019, pra rreth 30 vjet pas kalimit në një sistem zgjedhjesh pluraliste, 663 mijë qytetarët e Tiranës me të drejtë votimi, u zgjuan me një dilemë në mendjen e tyre.
Teksa opozita tradicionale e bojkotoi procesin dhe mazhoranca paraqiste si kandidaturë të saj kryetarin aktual të Bashkisë, Erion Veliaj, pakkush e dinte se në fletët e votimit kishte edhe një kandidat tjetër për këtë pozicion.
Edhe fushata që parapriu këtë ditë votimesh, u fokusua në tema tërësisht jo të zakonshme për një fushatë për votime për pushtetin lokal. Në fakt, fokusi kryesor i fushatës u përqendrua te “denigrimi dhe mundja e kundërshtarit” dhe aspak tek ofrimi i alternativës më të mirë tek ajo që është më e prekshme për qytetarin, shërbimi ndaj tij apo përgjegjësia në kryerjen e detyrës që pretendohet të merret ndaj tij.
Ndoshta kjo e dyta u quajt e ezauruar, për vetë faktin se ekspozimi i Veliajt në 4-vjeçarin e mandatit të parë të tij si kryetar Bashkie ka qenë maksimal dhe për pasojë nuk iu la hapësirë e madhe në raport me fushatën kombëtare, që u udhëhoq nga vetë Rama e që kishte fokus tërësisht denigrimin e kundërshtarit dhe fitoren përfundimtare ndaj tij. Ndërsa vetë Opozita nuk pati fare vëmendje ndaj “problematikës lokale”, por foli ekskluzivisht për problemet e ndërthurjes së politikës me krimin dhe manipulimin e zgjedhjeve nga ky “duet”, duke i kërkuar kryeministrit Rama që të marrë përgjegjësi direkte për këtë situatë.
Zhvillimet demografike favorizojnë Tiranën dhe në fakt numri i votuesve u rrit me 9%
Tirana është një nga të paktat qytete që vijon të shtohet, ndryshe nga rajonet e tjera të vendit që po zbrazen, si rrjedhojë e ringjalljes së ciklit të emigracionit. Të dhënat e INSTAT për migracionin e brendshëm neto tregojnë se çdo vit, shtesa neto e popullsisë së kryeqytetit (diferenca mes të ardhurve dhe të larguarve) luhatet midis 7 mijë deri në 16 mijë persona. Mesatarisht, Tiranës i janë shtuar neto sipas INSTAT, 45 mijë persona që nga 2015-a. Ritmi më i lartë i të ardhurve ishte në 2016-2017 (me 14-17 mijë të ardhur neto), ndërsa në 2018-n, intensiteti i tyre ra ndjeshëm, duke u përgjysmuar në rreth 7 mijë.
Këto zhvillime demografike kanë favorizuar dhe rritjen e numrit të zgjedhësve në kryeqytet, ku së bashku me shtimin e atyre që votojnë për herë të parë, në listat e zgjedhësve kishte rreth 54 mijë votues më shumë se në 2015-n, me një rritje prej gati 9%, sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Por, me gjithë shtimin e popullsisë në regjistra, edhe Tirana e “vuan” sëmundjen e përgjithshme të “emigracionit” dhe një pjesë e mirë e atyre që janë në regjistra, nuk janë rezidentë realë të Tiranës e për pasojë, nuk kanë se si të shfaqen në kutinë e votimit në ditën kur “sovrani” tiranas thirret për votë. Në 2015, numri i votuesve ishte rreth 49.9% e atyre që ishin të regjistruar në regjistra si zgjedhës. Duke u nisur nga fakti, që nuk kemi ndonjë element që të mund të ketë ndikuar këtë faktor në periudhën midis dy zgjedhjeve, do të mund të supozojmë që kjo shifër do të ishte pak a shumë në të njëjtat nivele, pra mund të ishte e pritshme që popullsia, e cila do të duhet të dilte në zgjedhje në kushte normale do të mund të ishte në nivelin e 50% të asaj rezidente, pra rreth 333 mijë votues.
Investimi dhe fushata
Në të katër vitet e mandatit të parë, si Veliaj, ashtu edhe mazhoranca Rilindëse/socialiste ka synuar të bëjë Tiranën një vend ku do të arrinte jo vetëm një zgjedhje të sigurt të Veliaj për një mandat tjetër, por edhe që të sigurojë një fitore “publicitare” ndaj kundërshtarëve dhe kjo e vendoste stekën mjaft lart për ta edhe në kushtet e kësaj dite votimesh të pazakontë.
Nëse Veliaj do të synonte të ruante apo të përmirësonte performancën e tij ndaj elektoratit rezident që voton në kryeqytet, ai do të duhet të merrte minimalisht 26.3% të votuesve të mundshëm, pra rreth 174.4 mijë vota. Ai vetë ishte investuar në mënyrë agresive në këtë aspekt gjatë 4-vjeçarit të mandatit të parë dhe kjo ka qenë e dukshme për të gjithë, si për simpatizantët tij, ashtu edhe për kundërshtarët e tij, duke u bërë një element diskutimi e debati për ata që ishin pro apo kundër këtij fenomeni.
Në katër vitet nga 2015 deri në 2018-n, praktikisht Bashkia e Tiranës ka “notuar” në para, duke pasur në dispozicion nga fondet e veta që mbledh nga taksat tashmë të rritura për kryeqytetasit, nga të ardhurat e mëdha, si rrjedhojë e numrit të lartë të lejeve të ndërtimit, por edhe nga “bujaria e veçantë” e Qeverisë ndaj Tiranës për transfertat e pakushtëzuara, rreth 60 miliardë lekë, ose 470 milionë euro. Kjo shumë është pothuajse dyfishi i periudhës 2011-2014, sipas të dhënave që janë publikuar nga portali financatvendore.al , teksa një pjesë e madhe e projekteve më evidente të Bashkisë [Sheshi Skënderbej, Bulevardi i ri, Unaza e re, apo Pazari i ri- (ky i fundit nga fonde të AEDF.)] janë financuar direkt nga buxheti i shtetit.
Nga ana tjetër, fushata agresive qendrore e mazhorancës e përforcuar me një prezencë dominuese nga vetë KM Rama, synonte që në radhë të parë në Tiranë të kishte një “disfatë” sa më evidente në kryeqytet për alternativën “destruktive” që kishte braktisur institucionet dhe pretendonte që vota socialiste dhe progresiste të dilte masivisht jo vetëm për të shprehur mbështetjen ndaj “bashkinë që duam”, por edhe për “t’u ndarë njëherë e mirë nga e kaluara”.
Opozita edhe në Tiranë nuk bëri dallim në lidhje me fokusin e fushatës dhe thjesht bënte kujdes që të përmendte se Veliaj nuk ishte aspak më poshtë se “Gjushi” në raport me akuzat e saj, duke e përmendur veçanërisht problematikën e “presionit” ndaj administratës publike, që në Tiranë përbën një masë të madhe dhe është një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e fituesit.
Votimet
Në total, sipas të dhënave paraprake, të publikuara nga KQZ, në Tiranë votuan 171.4 mijë persona, ose gati 25.9% e totalit të votuesve të regjistruar në lista. Nga këta, 171.4 mijë votues, kryetari aktual i Bashkisë, Erjon Veliaj, mori 152 mijë vota, që përbën në vlerë absolute votash, 8 mijë vota ose rreth 5.0% më pak në raport me zgjedhjet e 2015-s, kur ai ishte në koalicion me të majtët, (kujtojmë se peshën kryesore ndër aleatët e kishin LSI dhe PDIU).
Për të konfirmuar të njëjtën përqindje të votës ndaj elektoratit total Tiranas (duke reflektuar edhe rritjen e popullsisë së vetë Kryeqytetit) Veliajt i mungojnë më shumë se 22 mijë vota. Nëse Veliaj do të kishte pasur një ekspozim “normal” në media gjatë mandatit të parë, një buxhet më të ulët të Bashkisë apo një mbështetje buxhetore të Qeverise Qendrore më të ulët (në projekte investimi për qytetin) ndoshta kjo performancë në këto zgjedhje do të mund të quhej e pranueshme, madje e kënaqshme, por në kushtet e një investimi agresiv në media gjatë 4 viteve, në kushtet e një buxheti pothuaj dyfish më të madh dhe të një “mobilizimi” shembullor të administratës bashkiake e asaj qendrore, realisht këto numra votash nuk janë një tregues i një performance të mirë për të.
Ndërsa nëse do të gjykojmë për këtë shifër në raport me fushatën Qendrore të mazhorancës, qartazi kemi të bëjmë me një “fiasko publicitare”, për vetë faktin se këto shifra duket të jenë më të vogla edhe se vetë elektorati rezident i mazhorancës në zgjedhjet e kaluara në kryeqytet e jo më që të kënaqin pritshmëritë e një dalje masive në votë për të konfirmuar një “disfatë përfundimtare” të kundërshtarit, që ka braktisur institucionet e ka zgjedhur bojkotin.
Nëse do të duam t’i shikojmë shifrat e votuesve pro Veliajt në raport me fushatën qendrore të mazhorancës do të mund të themi se këto përfaqësojnë rreth 46% e votuesve që do të duhet të kishte në Tiranë në 30 Qershor (në hipotezën e mungesës së bojkotit të Opozitës) dhe kjo shifër ndonëse do të mund të kishte dërguar përsëri Veliajn në konfirmim të një mandati të dytë, sigurisht nuk do të mund t’i jepte mazhorancës një fitore në një referendum për çështjen kardinale të fushatës së saj atë të mundjes së “opozitës destruktive”.
Shumë vota të pavlefshme
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, votat e pavlefshme në Tiranë për kryetarin e Bashkisë llogariten në 9,700. (vlerësime të KQZ bëjnë të ditur se ato mund të arrijnë deri në 13 mijë, por ne nuk po iu referohemi më këtyre vlerësimeve, pasi realisht bëhet e vështirë të gjykosh për vërtetësinë apo bazën e tyre). Në mungesë të alternativave të votimit, shumë qytetarë kanë zgjedhur ta bëjnë votën e pavlefshme, një tregues indirekt ky i presionit të lartë që kanë pasur për të votuar.
Një shpjegim tjetër mjaft i përfolur për këtë numër të madh të votave të pavlefshme është edhe se kjo tregon një formë “refuzimi” të personave që kanë qenë “të detyruar” për të shkuar në kutinë e votimit, në mënyrë që të mos “zbulohej” aprovimi i bërë prej tyre i thirrjes së opozitës tradicionale për të bojkotuar këto votime.
Po t’u referohemi të dhënave zyrtare, qytetarët që kanë vendosur që të shkojnë në votime këtë vit, por të nxjerrin votën e pavlefshme, përbëjnë 5.6% të totalit të atyre që votuan. Në 2015-n, kur fleta e votimit ishte edhe më e “komplikuar” (më shumë kandidatë e bëjnë më të kollajtë gabimin e zgjedhësit) përqindja e votave të pavlefshme ishte vetëm 2% (6,180 në vlerë absolute në votimet për kryetarin).
Vota për kandidatin tjetër
Për ironi, numri i votave të pavlefshme (9,797) ka qenë më i lartë se ai që ka marrë kandidati i vetëm konkurrent, Arben Skënderaj (9,367). Kjo qartazi nuk është një nënvlerësim për Skënderajn, pasi pakkush pati mundësi të dëgjojë alternativën e tij për kryeqytetin, por realisht ai nuk kishte as hapësirën kohore e as mediatike për të bindur ndonjë votues për të votuar për të. Aq e vërtetë është kjo, sa në shumë forume diskutimesh, vetë vota e Skënderajt interpretohet si votë “JO” për Veliajn, më shumë se sa një votë PRO për të dhe në gjykimin tonë, kjo gjë është realisht afër së vërtetës për shumicën e këtyre votave.
Refuzimi i heshtur i Durrësit
Durrësi, qyteti i dytë më i madh për nga popullsia dhe një prej skenave kryesore të telenovelës së përgjimeve, që nxori në pah përdorimin e elementëve kriminalë në këmbim të votës, duket se ka reaguar në heshtje me një refuzim domethënës ndaj këtij fenomeni, por dhe kundër zhdukjes graduale të vlerave historike që mbart ky qytet, që në kohën e perandorisë romake, kur kishte emër e lavdi të ngjashme me atë të qyteteve kryesore të kohës.
Me qytetari, Durrësi refuzoi ftesën për të votuar. Opozita e vendos shifrën e pjesëmarrjes në votime në Durrës në nivelin nën 10%, por edhe sipas të dhënave zyrtare të vetë KQZ-së, deri në 5 korrik, pjesëmarrja e durrsakëve në votime ishte vetëm 14%, e katërta më e ulët në rang vendi, pas Shkodrës, Kamzës e Kavajës, të tria këto bastione historike të PD-së!
Nëse dikush do të injorojë këtë shprehje të vullnetit të sovranit durrsak dhe do të vijojë sikur asgjë s’ka ndodhur, realisht u lë durrsakëve alternativat aspak të dëshirueshme të emigrimit apo të revoltës e të refuzimit, që do të shfaqen pashmangshmërisht në momentin kur këta ta gjykojnë oportune.
Performanca e KQZ
Në këto votime, u pa qartazi se në kushtet e një mungese vullneti të faktorit politik për të respektuar vullnetin e qytetarëve, kur ky vjen ndesh me interesat e tij, administrata, që ka përgjegjësinë e organizimit të votimeve dhe numërimit të votës do të duhet të ishte e balancuar politikisht në çdo nivel të saj dhe në mënyrë absolute në nivelin më të lartë të saj.
Fatkeqësisht, në këto ditë kur ky institucion është qendra e vëmendjes së gjithkujt, përfshi këtu vetë “Sovranin”, por edhe institucione ndërkombëtare e gjithë opinionin publik ndërkombëtar dhe të gjithë kanë pritshmërinë që të kemi një institucion profesional që administron në mënyrën më transparente e të pandikuar shprehjen e vullnetit të popullit për atë temë që është ftuar të shprehet, kemi parë një performancë “groteske” në të gjitha aspektet si ato të substancës ashtu edhe ato të formës.
Për ta shtuar konotacionin negativ ndaj kësaj shfaqjeje qesharake, arsyeja e kësaj performance, nuk është në gjykimin tonë paaftësia individuale apo mangësitë e institucionit, por “zelli” për t’iu nënshtruar vullnetit politik “për të fituar me çdo kusht”.
Ky është një mësim që del qartë nga kjo përvojë edhe për ata që kishin nevojë që ta konfirmonin një konkluzion të ngjashëm të dalë nga zgjedhjet e 26 Majit 1996.
Tashmë kemi të gjitha provat se në kushtet aktuale, kur marrja në përgjegjësi e personit që nuk kryen funksionet për të cilat është caktuar, nuk është praktikë e zbatuar në këto raste, nëse ky Institucion nuk është “politikisht i balancuar” ai është i prirur të performojë me “zell” për të zbatuar në mënyrë “kreative” vullnetin politik të forcës politike, që e ka emëruar aty dhe kjo gjë nuk ka as lidhje me faktin se cili është “vullneti politik”, që kërkon të imponohet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.