Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), më 31 dhjetor 2019, pritet të shkëpusë nga rrjeti i furnizimit, më shumë se 50 biznese të lidhura në tension 35 kilovolt. Këto të fundit kanë pasur dy vjet kohë për të gjetur një furnizues privat, ose të marrin energji nga kompania publike. Tashmë, koha po përfundon. Nga ana tjetër, procesi i liberalizimit po bëhet gati për fazën e re, atë të nxjerrjes në tregun e parregulluar të mbi 1100 konsumatorëve të lidhur në 20 kilovolt. Edhe këta të fundit do të kenë dy vite periudhë tranzitore. Por çfarë po ndodh sot me procesin, cilat janë efektet e tij në treg, si e shohin bizneset situatën? Po furnizuesit?
Nga Nertila Maho
Në mars të vitit 2018, më shumë se 90 biznese të lidhura në 35 kilovolt u nxorën në treg të lirë, për të siguruar të vetëm energjinë elektrike. Si pjesë e procesit të liberalizimit të tregut, përcaktuar në ligjin “Për sektorin e energjisë”, i vitit 2015, bizneset duhet të lidhin kontrata private me furnizuesit e tregut, ose nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, kanë të drejtë që për një periudhë dyvjeçare të marrin energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF).
Si pjesë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, FMF blen energji në tregun e parregulluar dhe ua shet bizneseve me një tarifë që përfshin një sërë elementesh, nga kostot e rrjetit deri te burimet njerëzore që angazhohen në këtë proces specifik. Tarifa miratohet çdo muaj nga Enti Rregullator i Energjisë, pas aplikimeve që bëhen nga kompania publike e shpërndarjes.
Por tashmë, kur po afron fundi i vitit 2019, bizneset që marrin ende energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, pasi nuk kanë një furnizues privat, duhet të mendojnë për një zgjidhje të shpejtë. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë njoftoi se këto biznese, në datën 1 janar 2020, duhet të furnizohen nga privatët, pasi OSHEE do të bëjë shkëputjen e tyre nga rrjeti.
“Aktualisht, mbi 33 subjekte kanë dalë në treg të parregulluar, furnizohen me energji elektrike me kontrata bilaterale me furnizues alternativë. Pjesa e mbetur prej 50 e ca subjekte duhet të gjejnë furnizuesin e tyre në mënyrë që viti i ri 2020 t’i gjejë në një furnizim të rregullt të energjisë elektrike, duke qenë se ky detyrim nuk është më i furnizuesit të shërbimit universal, por pjesë e tregut të parregulluar” – tha Elton Sevrani, Drejtor i Divizionit Tregtar në OSHEE.
Në rrjet do të mbahen institucionet publike me ndjeshmëri si ujësjellësit dhe spitalet
Teksa bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt do të nxirren me apo pa dëshirë në tregun e parregulluar, një grup tjetër shoqërish që janë publike do të vijojnë të furnizohen me energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë nënvizoi se janë të paktën 9 klientë të lidhur në tension të mesëm 35 kilovolt të cilët, nëse nuk kanë siguruar një kontratë me furnizues privatë, nuk do të shkëputën nga rrjeti. Bëhet fjalë për institucione publike me ndjeshmëri të lartë si ujësjellësit, spitalet apo institucione me të njëjtën rëndësi publike që, në asnjë rast nuk mund të lihen pa furnizim. Për prioritetin që kanë këto lloj institucionesh në garantimin e furnizimit me energji, sanksionimi bëhet edhe me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.
Nga ana tjetër, ka raste kur ujësjellësit, që janë konsumatorë relativisht të mëdhenj të energjisë, kanë tentuar të ndërmarrin vetë nisma që ndikojnë në reduktimin e faturave. Ujësjellësi i Tiranës ka nën zotërim hidrocentralin e Lanabregasit, i blerë disa vite më parë pas nxjerrjes në shitje nga shteti, ndërkohë që Ujësjellësi i Korçës ka aktualisht të instaluar një impiant fotovoltaik. OSHEE është e detyruar që të mbajë në rrjet institucionet publike me rëndësi, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre janë borxhlie ndaj saj. Të dhënat zyrtare tregojnë se nga 588 milionë euro borxhe që janë sot të akumuluara te kompania e shpërndarjes, institucionet jobuxhetore kanë rritur borxhin gjatë këtij viti me 2.45 milionë euro, duke regjistruar në fund të periudhës së raportimit që korrespondon me gushtin 2019, një total prej 84.62 milionë eurosh. Në fund të 2018-s, borxhi ishte 74.66 milionë euro.
E njëjta situatë paraqitet edhe tek borxhi që privatët kanë ndaj OSHEE-së, që nënkupton bizneset. Këto të fundit kanë rritur nga viti 2018 deri në gusht 2019 me 3.63 milionë euro borxhin që, në total, deri në gusht 2019 llogaritet 95.5 milionë euro.
Institucionet buxhetore, të cilat mbajnë edhe pjesën më të vogël të borxhit në totalin që të gjithë kategoritë i detyrohen Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, deri në gusht 2019 kishin 28.17 milionë euro të pashlyera. Në raport me fundin e 2018, edhe institucionet në varësi direkte nga buxheti i shtetit kanë rritur detyrimet me jo pak, por 2.49 milionë euro.
Asllan Baraj, administrator i kompanisë KID – Alb, e cila merret me prodhimin e tullave, është në tregun e parregulluar të energjisë prej kohësh. Atij i duhet që çdo muaj të llogarisë një faturë 10 milionë lekë, si shpenzim energjie që ia paguan furnizuesit me të cilin ka lidhur kontratë.
Z. Baraj thotë se deri më tani, furnizuesi me të cilin ka marrëveshje, është treguar elastik dhe pavarësisht se ka një kontratë njëvjeçare i është ofruar mundësia e rishikimit çdo dy muaj për t’ju përshtatur zhvillimeve në treg dhe situatës hidrike. Pavarësisht këtij opsioni, Baraj thekson se ka preferuar të mbajë marrëdhënien me furnizuesin, pasi çmimi që i është ofruar ka qenë më mirë se tregu.
“Kostoja e energjisë është e lartë dhe na ndikon drejtpërdrejt në çmimin final që ne dalim në treg. Një pjesë të mirë të tij e zë pikërisht kjo kosto. Ne jemi në treg të lirë dhe sigurojmë të vetëm energjinë, siç e përcakton ligji. Kemi një kontratë njëvjeçare, me një furnizues dhe e sigurojmë prej tij konsumin tonë mujor, që mesatarisht na vjen me një faturë 10 milionë lekë.
Kemi gjetur gjuhën e përbashkët me furnizuesin që, edhe pse kemi kontratë njëvjeçare, mund të shohim sasinë e rezervuar me baza dymujore, pasi situata hidrike mund të jetë e favorshme dhe normalisht mund të sigurosh energji me një çmim më të mirë. Në përgjithësi, edhe pse na është dhënë ky fleksibilitet, ne kemi mbajtur kontratën korrekte me furnizuesin, pasi çmimi ka qenë më mirë se tregu. Viti 2019 ka pasur një çmim energjie relativisht të lartë, lidhur dhe me faktin që situata hidrike nuk ka qenë aspak e mirë dhe çdo gjë është siguruar nga importet” – shprehet Baraj. Fabrika e tullave në administrim të tij është e pajisur me dy lidhje, njëra 35 kilovolt dhe tjetra 20 kilovolt.
Biznesi i ekspozuar ndaj kushteve të tregut, në janar çmimi arriti 18.73 lekë/kwh
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike u ka kërkuar bizneseve që të shkëputen nga rrjeti, për të gjetur furnizues të qëndrueshëm privatë dhe përmes kontratave më afatgjatë, të sigurojnë një çmim më të mirë energjie. Fakti që ata zgjedhin të furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit i ekspozon ndaj çmimeve sipas kushteve të tregut, pasi blerja e energjisë nga kompania publike bëhet në bazë mujore.
Kjo situatë ka dy anë. Nëse situata hidrike paraqitet e mirë me reshje, çmimet janë të ulëta dhe bizneset mund ta marrin energjinë me një tarifë të leverdishme, edhe pse jo më të ulët sesa konsumatori fundor. Nëse situata hidrike është problematike, me mungesë të theksuar reshjesh, atëherë bizneset mund të paguajnë çmime stratosferike siç ishte ai i janarit të këtij viti, kur tarifa që u aplikua ishte 18.73 lekë, gati dyfish i çmimit që paguanin më herët bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt.
Por, si ka qenë ecuria e tarifave muaj pas muaji, nga janari në tetor? E nisim nga tetori, që është vendimi i fundit i dhënë nga Enti Rregullator i Energjisë, ku u vendos se çdo biznes i lidhur në 35 kilovolt dhe që furnizohet ende nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, do të paguajë çdo kilovat/orë me 14.01 lekë. Ky është muaji me tarifën më të shtrenjtë që këto biznese paguajnë një kilovat pas janarit të këtij viti, kur çmimi ishte 18.73 lekë. Gjithsesi, dhjetori i 2018 dhe janari i 2019 ishin muaj me mungesë të theksuar të prodhimit, për shkak të situatës hidrike, çka detyroi që edhe konsumi në vend të mbulohej masivisht nga importi. Automatikisht, çmimet kërcyen edhe për bizneset. Por teksa në muajt e tjerë të vitit, çmimet janë kufizuar mes 12.75 lekë kwh dhe 13.9 kwh, tetori është muaji që ka shënuar tendencë drejt rritjes.
Situata lidhet edhe me faktin që gjatë tetorit, edhe vetë OSHEE u detyrua të bënte importe të vazhdueshme për të garantuar konsumin në vend, teksa për nëntorin, kompania publike anuloi sasinë e rezervuar pasi situata ndryshoi drastikisht nga reshjet e shumta të këtij muaji në të gjithë vendin.
Aktualisht, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, përmes njësisë së tij që funksionon si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) po përmbush detyrimin e garantimit të energjisë për ato biznese që nuk kanë gjetur furnizues në treg. Periudha tranzitore që këto biznese mund të furnizohen nga FMF është 2 vjet. Në treg të lirë, në fillim të vitit 2018 dolën rreth 90 biznese, të cilët u përballën me vështirësi në gjetjen e furnizuesve dhe lidhjen e kontratave.
Deri më tani, vetëm 33 biznese kanë arritur të sigurojnë të vetëm energjinë, teksa pjesa tjetër vijon të furnizohet nga FMF me çmime tregu. Liberalizimi pritet të kalojë në një fazë të re dhe të nxjerrë në treg të lirë grupin e bizneseve të lidhur në 20 kilovolt që llogariten rreth 1100 dhe që është pjesa kryesore e konsumit të energjisë në vend. Nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ky konsiderohet si një proces më i thjeshtë, pasi subjektet janë të grupuara më afër gjeografikisht dhe mund të lidhin kontrata të përbashkëta me furnizuesit.
ERE ndryshon metodologjinë për llogaritjen e çmimit: Të jetë sa më real
Enti Rregullator i Energjisë nisi në fund të tetorit rishikimin e metodologjisë me të cilin Furnizuesi i Mundësisë së Fundit llogarit çmimin për bizneset që furnizohen prej tij. Ndërhyrja, sipas ERE-s, është e nevojshme, pasi nëse fillimisht ligji parashikonte që periudha tranzitore për daljen në tregun e parregulluar të ishte dy muaj, tashmë ai është dy vjet. Kjo sipas ERE-s i mundëson OSHEE-së që të bëjë parashikim më të qartë të konsumit për bizneset që furnizohen prej tij në rolin e FMF dhe blerjet mund të jenë më afatgjata, duke siguruar një çmim më të mirë.
Në thelb, vendimi i ERE-s sanksiononte se metodologjia e re duhet të nxjerrë kostot reale të çmimit të energjisë dhe si e tillë, nga OSHEE duhet të mbaheshin parasysh tre aspekte.
Së pari, evidentimi i blerjes së dedikuar të energjisë për klientët FMF. Shoqëria e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik të furnizimit të mundësisë së fundit, të ketë detyrimin të dokumentojë sasinë dhe çmimin e blerjes së energjisë për mbulimin e kërkesës për klientët në kushtet e FMF nëpërmjet një bilanci energjetik, i cili të mund të argumentojë burimin e mbulimit të kërkesës mujore për klientët e FMF.
Së dyti, të mundësohet reflektimi i kostove reale të blerjes së energjisë elektrike në çmimin e shitjes së energjisë elektrike te këta klientë. Për këtë, propozohet të aplikohet mesatarja e ponderuar për përcaktimin e elementit CBEt në formulën përllogaritëse të nenit 8 të metodologjisë. Në dallim nga çmimi maksimal i blerjes së energjisë, aplikuar sipas metodologjisë aktuale, koncepti i çmimit mesatar të ponderuar për energjinë e blerë enkas për furnizimin e klientëve FMF, do të përcaktojë koston reale të blerjes së energjisë për ta.
Së treti, faturimi në Pik. “Gjithashtu, për arsye se CBEt propozohet të reflektojë kostot aktuale nëpërmjet aplikimit të mesatares së ponderuar, për përcaktimin e çmimit të FMF, lind nevoja e aplikimit të çmimit në Pik për konsumin e energjisë në masë më të lartë se energjia në bazë, sikurse përcaktuar në pikën e dytë të vendimit të bordit të ERE-s, nr. 162, datë 30.12.2011 për fashën orare të përcaktuar në vendimin e bordit të ERE-s Nr.148, datë 26.12.2014” – vlerëson ERE.
Në 2020 dalin në treg bizneset e lidhur në 20 kv, janë mbi 1100 subjekte
Projekti i rimëkëmbjes i Bankës Botërore përfshinte një sërë elementesh, ndër të cilat edhe instalimin e pjesës teknike që mundëson daljen në tregun e parregulluar të konsumatorëve të lidhur në tension të mesëm. Në fund të vitit 2019, në tregun e parregulluar, do të dalin të gjithë konsumatorët e lidhur në 35 kilovlt, teksa faza e dytë është dalja në këtë treg e konsumatorëve të lidhur në 20 kilovolt. “Ne parashikojmë që kjo kategori biznesesh të dalin në tregun e parregulluar brenda pjesës së parë të vitit të ardhshëm. Aktualisht janë duke u përfunduar instalimet e njësive të nevojshme, pra aspekti teknologjik, që mundëson këtë hap, një proces që ka avancuar, pasi ka nisur prej kohësh” – tha Sevrani nga OSHEE.
Lidhur me numrin e saktë të bizneseve të lidhura në këtë tension, ai shpjegon se instalimi i anës teknologjike do të japë edhe një numër zyrtar, por ato llogariten me përafërsi në 1100. Z. Sevrani e konsideron procesin kompleks, pasi një pjesë e bizneseve të lidhura në këtë tension kanë konsum të ulët dhe gjetja e një furnizuesi do të kërkojë, që ato të grupohen në rastet kur kanë mundësi.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë e ka theksuar vazhdimisht liberalizimin e tregut të energjisë dhe paralelisht, edhe krijimin e bursës, duke i cilësuar këto dy projekte si të integruara dhe që ndihmojnë njëri-tjetrin.
Në raportin e fundit për zbatimin e reformave nga ana e Shqipërisë, Sekretariati nënvizon se shumica e tyre kanë mbetur vetëm në letër gjatë vitit 2019 dhe në sektorin e energjisë janë bërë pak hapa para. Në pjesën dedikuar tregut, në raport thuhet se shumica e tij mbetet i rregulluar, ndërkohë që për bursën, nuk ka një afat zyrtar për operimin.
“Çmimet e shitjes janë të rregulluara përmes një procesi detyrues të shërbimit publik. Një marrëveshje për blerjen e energjisë me shumicë mes OSHEE dhe KESH mbulon gjithë volumin e furnizimit me energji nën shërbimin universal, si dhe për humbjet dhe shpërndarjen. Rregullat e operimit në tregun e energjisë elektrike janë vendosur në vitin 2017, por kushtëzohen nga operimi i një burse energjie. Në vitin 2019, Këshilli i Ministrave ngarkoi Operatorin e Sistemit të Transmetimit për të ngritur Bursën Shqiptare të Energjisë dhe caktoi strukturën e mundshme aksionere. Nuk u caktua ndonjë afat për përzgjedhjen e aksionerëve të interesuar.
Rregullat e balancimit tranzitor aplikohen ende. Edhe pse rregullat lejojnë balancim konkurrues dhe ofruesit potencialë janë të disponueshëm, KESH është i vetmi që ofron shërbimet e balancimit. Në nivelin retail, të gjithë konsumatorët, përveç atyre të lidhur në tension të lartë, mund të furnizohen me çmime të rregulluara nga OSHEE si Furnizues i Mundësisë së Fundit për dy vjet. Si rezultat i të gjithë konsumatorëve të shpërndarjes, me përjashtim të atyre të lidhur në 35 kilovolt, pjesa tjetër mbeten efektivisht të rregulluar brenda furnizimit publik” – nënvizon raporti.
Netiona Koprencka – Menaxhere e Tregtimit të Energjisë Elektrike Albanian Energy Supplier (AES)
“Bizneset janë familjarizuar me procedurat e blerjes së energjisë në treg”
Kur po bëhen dy vite nga nisja e procesit të liberalizimit në tregun e energjisë, furnizuesit shprehen se bizneset janë familjarizuar me të gjitha procedurat që duhet të ndjekin për të siguruar energjinë. Netiona Koprencka, Menaxhere e Tregtimit të Energjisë Elektrike Albanian Energy Supplier (AES) shprehet se në rolin e furnizuesit, ata janë të detyruar që t’i ofrojnë biznesit ndihmë, për të kuptuar procesin dhe elementet e tij që lidhen me profilin e furnizimit me energji, sigurimin e një çmimi të mirë apo si të mund të ulen shpenzimet.
Sa kompani furnizoni aktualisht të grupit dhe jashtë tij?
Albanian Energy Supplier (AES) është kompani e licencuar për furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike prej 18.03.2015. Aktualisht, furnizon me energji elektrike Albchrome, përkatësisht njësinë e Uzinës së Ferrokromit në Burrel, si dhe njësinë e Ferrokromit në Elbasan, si kompani të grupit Balfin. AES ka qenë ndër të parat kompani, e cila nisur furnizimin me energji të konsumatorëve të lidhur në tensionin e mesëm 35 kV (mars 2018) duke rritur në 11 numrin e konsumatorëve.
Sa informacion kanë bizneset për hapat që duhet të hedhin për të siguruar energji në tregun e lirë?
Ne kemi zhvilluar takime periodike me shumë konsumatorë në këtë nivel tensioni, duke folur gjatë për procesin e liberalizimit dhe mundësinë për daljen e tyre në treg të lirë. Edukimi i konsumatorëve rreth procesit të ndryshimit të furnizuesit ka qenë dhe motivimi për ta pranuar këtë fakt. Sigurisht, bizneset kanë nevojë që t’ju ofrosh këshillim, që të kenë mundësi të planifikojnë nevojat e tyre për energji elektrike, në mënyrë që të ulin shpenzimet dhe të sigurojnë çmime të favorshme.
Bizneseve të liberalizuara, si dhe atyre që priten të dalin në treg të lirë u është vënë në dispozicion dokumentacioni përkatës, ashtu siç është i përcaktuar edhe në Marrëveshjen e Sigurimit të Shërbimit të Energjisë Elektrike me OSHEE, e zbatuar me përpikëri dhe sukses nga të dyja shoqëritë. Bizneset tashmë janë të familjarizuar me hapat që duhet të ndjekin në procesin e ndërrimit të furnizuesit të energjisë elektrike dhe të gjetjes së një furnizuesi të sigurt.
Si ka ndikuar procesi i liberalizimit të tregut që ka nisur me subjektet e lidhur në 35 kV te furnizuesit? Si e shihni vijimin, kur do të dalin në treg edhe 1100 bizneset e tjera të lidhur në 20 kV?
Me secilin konsumator kemi pasur një bashkëpunim, pasi procesi i ndryshimit të furnizuesit ka qenë i natyrshëm dhe pa përbërë asnjë lloj pengese për vazhdimësinë e proceseve të konsumatorëve. Sistemet tona të brendshme dhe modelet e profileve të grupeve të ndryshme të konsumatorëve janë të përgatitura dhe të ndërtuara, në mënyrë që të akomodojnë nevojat specifike të secilit konsumator individual dhe t’i harmonizojë ata në grup.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.