Liberalizmi i tregut të energjisë që nisi në vitin 2018 me daljen në treg të lirë të konsumatorëve të lidhur në tension 35 kilovolt parashikohet të shtrihet në disa etapa që kanë parë zgjatje të vazhdueshme të afateve. Në një dokument zyrtar së fundmi parashikohen fazat konkrete të kësaj politike që nxjerr konsumatorët në treg për të siguruar të vetëm energjinë dhe jo sipas praktikës së çmimeve të rregulluara dhe furnizimit nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Kështu pas bizneseve të lidhur në 35 kv në treg pritet të dalin ata të lidhur në tension 20 kv.
“Duke qenë se OST përfundon projektin e paisjes me matje në distance për të gjithë përdoruesit e rrjetit të OSSH të lidhur në tension të mesëm dhe matje në këtë tension (në kuadrin e komponentit të tretë të PRP) në qershor 2021, kemi konsideruar 60% të përdoruesve lidhur& matur në TM 20 kv në Zonën Urbane do të kalojnë në treg të lire përgjatë gjysmës së dytë të 2021 (prandaj kane efekt 50%)” thuhet në dokument.
Sa i takon fazës tjetër janë konsumatorët e lidhur në tension 10 kv. Për këta të fundit në dokument specifikohet se në fund të vitit 2022, OSSH krijon infrastrukturën e plotë për dalje në treg të lirë të çdo përdoruesi të lidhur& matur në tension të mesëm. “Në këto kushte, parashikojmë të kalojnë në treg të lirë 20 kV tërësisht dhe 80% e 10 kV dhe 65% e 6 kV të Zonës Urbane”.
Etapa tjetër është ajo për konsumatorët e lidhur në tension 0.4 kv. Në fund të vitit 2023, OSSH krijon infrastrukturën për përdoruesit e lidhur në tension të ulët 0.4 Kv të furnizuar nga fidera 20 kv për të dalë në treg të lirë. Në këto kushte, parashikohet të kalojnë në treg të lire përveç atyre të mbetur të lidhur&matur në TM edh 60% e përdoruesve të segmenteve Familjar dhe Tregtar.
“Në fund të vitit 2024, OSSH krijon infrastrukturën për përdoruesit e lidhur në tension të ulët 0.4 kV të furnizuar nga fidera 10/6 kv për të dalë në treg të lirë. Në këto kushte, parashikojmë të kalojnë në treg të lirë përveç atyre të mbetur të lidhur në TU 0.4 kV dhe furnizuar nga fidera 20 kV, edhe përdoruesit e segmentit Familjar dhe Tregtar të Zonave Urbane.
Në fund të vitit 2025, do të kalojë edhe pjesa e mbetur e konsumatorëve të lidhur në TU 0.4 kV të furnizuar nga fidera 10/6 kv (zonat Rurale)” thuhet në dokument. /N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.