Liberalizimi i energjisë, OSSH do krijojë profile të standardizuar për klientët fundorë

18/12/2019 10:00 AM 0 komente

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), pjesë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) do të jetë përgjegjësi për të krijuar profilet e standardizuara të ngarkesës për konsumatorët fundorë. Kjo kërkesë vjen në kuadër të procesit të liberalizmit të tregut të energjisë që ka nisur në fillim të vitit 2018 dhe pritet të vijojë edhe më tej në disa faza. Enti Rregullator i Energjisë në shërbim të kësaj ka nxjerrë për konsultim rregulloren për profilet e standardizuara të ngarkesës duke përcaktuar kështu fushën e zbatimit, kriteret për vlerësimin e kushteve teknike të sistemeve të matjes, të drejtat e klientëve, krijimin e profileve të standardizuar të ngarkesës apo kategoritë e klientëve.

Sipas rregullores Furnizuesi Universal/ Furnizuesi i Mundësisë së Fundit do të informojë të gjithë Klientët Fundore të saj, nëpërmjet një teksti të miratuar nga ERE dhe të përfshirë tek faturat e klientit edhe/ose me ane te medias, për të drejtën e tyre për të ndryshuar furnizimin e tyre me energji elektrike nga furnizues i shërbimit universal ose furnizues i mundësisë së fundit tek një furnizues alternativ.

Për ta pasur më të thjeshtë gjetjen e një furnizuesi tjetër klientit do t’i jepen të dhënat e nevojshme për energjinë e tij dhe profilin e ngarkesës.

OSSH do të krijojë profile të standardizuara të ngarkesës për të gjitha kategoritë e klientëve në rastin kur të dhënat e kërkuara të matjes për shlyerjen e disbalancës nuk janë në dispozicion nga sistemi i matjes i klientit.  Për të shmangur dyshimet, nëse periudha e vendosur për disbalancat është çdo orë, profili i standardizuar i ngarkesës duhet të jetë të paktën në intervale një orëshe. Nëse profili i standardizuar i ngarkesës është i ndarë në segmente më të vogla se një orë, të dhënat duhet të vendosen në intervale një orëshe.

Profilet e ngarkesës do të krijohen në bazë të kategorisë së klientit dhe zonës administrative ku është vendosur ai.

Sipas ERE klientët të cilët i përkasin një kategorie kanë të njëjtat karakteristika dhe për shlyerjen e disbalancave, konsumi i tyre i energjisë elektrike standardizohet për një profil ngarkese të veçantë. Për disa kategori klientësh kriteri zonës mund të merret në konsideratë. “ Profili i Standardizuar i ngarkesës për çdo kategori klientësh do të vendoset nga OSSH për një periudhë prej të paktën një vit kalendarik. Profili i Standardizuar i ngarkesës për çdo kategori klientësh për çdo vit kalendarik do të publikohet të paktën tre muaj para fillimit të vitit tek faqja e OSSH.  Para publikimit të profileve të standardizuara të ngarkesës, OSH do të konsultohet me pjesëmarrësit e tregut, ERE dhe palët e tjera të interesuara” thuhet në rregullore.

Kjo e fundit pritet që të hyjë në fuqi në vitin 2021 nëse do të respektohen të gjitha etapat e miratimit por edhe nëse reforma e tregut të energjisë dhe pjesa e liberalizmit do të ecin sipas parashikimeve.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of