Librat elektronikë do përjashtohen nga TVSH-ja, propozimi i fundit ligjor në diskutim

25/11/2018 11:01 PM 0 komente

Një draft i fundit që sjell ndryshime në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë” përfshin përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të atyre që sot njihen si e-librat, apo libra që lexohen në platforma elektronike dhe jo në versionin tradicional letër. Draft ligji i nxjerrë për konsultim bën dy shtesa të rëndësishme. E para bëhet një shtesë pas nenit 18 që sanksionon marrjen e masave për përhapjen dhe nxitjen e leximit” Institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore, në bazë të rekomandimeve të Këshillit Kombëtar të Librit dhe të Nxitjes së Leximit, të përcjella nga ministri, marrin masat e nevojshme për përhapjen e librit dhe nxitjen e leximit” .

Neni 18/1 nënvizon se “furnizimi i shërbimeve të shtypshkronjave, shtëpive botuese, dhe materialet e ofruara në formën tradicionale dhe çdo formë tjetër elektronike të librit, pavarësisht përmbajtjes së tij, që mund të lexohet nëpërmjet pajisjeve të tjera ndihmëse përfshirë edhe platformat elektronike (e-libri), përjashtohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Ndryshimi i dytë I rëndësishëm po I lidhur me TVSH-në tek libri sanksionohet në nenin 49 shtohen dy pika të reja 3 dhe 4 të cilat përcaktojnë se pas miratimit të këtij ligji ka nevojë për ndërhyrje në dy ligje të tjera siç është ai për TVSH-në dhe ai për prokurimin publik.

Konkretisht pikat 3 e nenit 49 në draftin e propozuar thekson se “Në kuptim të nenit 18/1, të këtij ligji, ndryshimi i tatimit për vlerën e shtuar për furnizimin e shërbimeve të shtypshkronjave, shtëpive botuese dhe materialet e ofruara në formën tradicionale dhe çdo formë tjetër elektronike të librit, pavarësisht përmbajtjes së tij, që mund të lexohet nëpërmjet pajisjeve të tjera ndihmëse përfshirë edhe platformat elektronike (e-libri), do të zbatohet me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të nevojshme në nenin 53, pika j, të ligjit nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nenit 46, të Udhëzimit të Ministrit të Financave me nr. 6, 30.01.2015 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.”.

Pra vetëm pas miratimit të ndryshimeve në ligjin e TVSH-së, mund të bëhet aplikimi i tyre ndërkohë që kalimi vetëm përmes ligjit “Për librin” nuk e plotëson dot i vetëm ciklin dhe nismën.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of