Nuk ishte e thënë që konsumatorët shqiptarë të telefonisë mobile të gëzonin të njëjtat të drejta si qytetarët europianë apo ata të rajonit sa i takon shërbimit të avancuar 3G. Pas një hezitimi të gjatë dhe pas një konsultimi absurd menjëherë pas dështimit të tenderit të radhës, AKEP vendos të përsërisë sërish tenderin e radhës më 10 tetor, duke ofruar njëkohësisht për shitje dy licencat e mbetura, me çmim minimal prej 4 milionë eurosh. Kjo tentativë e entit rregullator që në rastin më të mirë do të thoshim se niset për të krijuar sa më shumë të ardhura në buxhet me shitjen e dy licencave, bie ndesh me parimet me të cilat AKEP do të duhet të kryejë mbikëqyrjen e tregut dhe të drejtën e konsumatorëve për të pasur shërbime sa më të lira dhe cilësore.
Aktualisht, shërbimi i avancuar i komunikimit 3G, ofrohet nga dy kompani celulare, të blera fillimisht rreth tre vjet më parë nga “Vodafone” për afro 31 milionë euro dhe një vit më pas nga AMC, për gati 14 milionë euro, kur çmimi dysheme i vendosur nga AKEP ishte në të dyja rastet 12.5 milionë euro. (3G është një lloj shërbimi që kompanitë mobile iu ofrojnë abonentëve të tyre të shërbimeve GSM duke lejuar një komunikim më të shpejtë në data apo internet).
Që në fillimet e procesit, autoriteti u kritikua nga kompanitë për formulën e dhënies së autorizimeve, duke i shitur shtrenjtë dhe në faza të ndryshme dhe jo njëherësh me kosto më të ulët, në mënyrë që të përfitonin pa diskriminim të gjithë përdoruesit e telefonisë mobile.
Ndryshe nga sa pritej, pas vonesave të shumta dhe të shoqëruara me pikëpyetje të mëdha, AKEP, e orientuar nga Ministria e Teknologjisë, ka vendosur tashmë të shpallë tenderin me objekt “Dhënia e 2 të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 1950-1965dhe 1915-1920 MHz”, quajtur ndryshe autorizim për ofrimin e shërbimit të avancuar 3G.
Tenderi do të zhvillohet më 10 tetor dhe vlera minimale e tregut për këto frekuenca është 4 milionë euro. Pra, do të jepen dy licenca njëherësh dhe konkurrentë për marrjen e këtij shërbimi janë “Plus” dhe “Eagle Mobile”. Në plan të parë duket si proces i mbyllur, dy licenca për dy shoqëri celulare, por burime nga AKEP bëjnë të ditur se në garë mund të ofrohen edhe shoqëri të tjera në fushën e internetit, duke qenë se në vendin tonë operojnë 32 të tilla, por që në fakt vetëm 5 e “bëjnë ligjin”.
Penalizohen konsumatorët
Qeveria po shet shtrenjtë një shërbim, i cili do t’i ofrohet konsumatorit nga privati. Kjo logjikë u ndoq me tenderin e parë, në 2010-n, kur u shit për 31 milionë euro, në një kohë kur çmimi dysheme ishte vendosur 12.5 milionë euro. Këtë licencë e mori një kompani, e cila e ofroi e vetme për me shume se një vit. Natyrshëm në këtë situatë është e kotë të thuash se çfarë përfitoi konsumatori. Kompania bleu shtrenjtë një shërbim dhe logjika ekonomike e kërkon ta ofrojë me çmime monopolistike. Situata duket se ndryshoi paksa një vit më pas, por fakti se licenca e dytë u shit sërish me çmim të shtrenjtë, për përdoruesit e telefonisë dhe të internetit nuk kishte shumë hapësira konkurruese për cilësi dhe kosto të ulët shërbimi.
Në këto dy vjet, duke hyrë në të tretin, AKEP-it i është sugjeruar nga grupet e interesit për ta liberalizuar sa më shpejt shërbimin e komunikimit të avancuar 3G, nisur nga nevojat e vendit, por edhe nga praktikat e njohura në vendet e ndryshme. Ishin vetë kompanitë, të cilat pranuan të hynin në një garë me konkurrencë të plotë, duke e pasur të gjitha ofrimin e shërbimit, por qeveria i rrëzoi pretendimet dhe preferoi të fuste para në buxhet, në kurriz të konsumatorëve.
Është e çuditshme për administrimin e licencave të brezit 3G bëhet i njëjti gabim që është bërë nga autoritetet e vendit që kanë pasur në administrim këtë sektor me atë të dhënies së licencave GSM. Në fakt ky treg u mbajt në situatë oligopoli për rreth 10 vjet duke i lënë dy kompanitë greke që vepronin gjatë asaj kohe të “milnin” tregun me çmime të larta duke e ndarë atë në mënyrë pothuajse perfektë 50% secila.
Edhe në këtë moment të administrimit të licencave të 3 e te 4 të 3G, AKEP harron të rregullojë tregun e telefonisë celulare, por luan lojën e “kungulleshkave” me çmimin e licencave duke rrezikuar kështu që të nxjerrë nga tregu të dy operatorët celularë që Qeveria i futi në treg me qëllimin për të nxitur konkurrencën në tregun e telefonisë mobile.
Shifrat tregojnë qartë, nga 4 milionë e gjysmë përdorues të celularit, sipas AKEP, më pak se 10 për qind kishin akses në shërbimin e 3G. Pikëpyetje shtrohen lidhur me zvarritjen trevjeçare të procesit, se sa kanë humbur konsumatorët, që janë privuar nga shërbimi i gjeneratës së tretë (internet të shpejtë) me kosto të lirë dhe për të gjithë, një situatë e ngjashme me tarifat e larta që ata paguan për bisedat celular deri nga viti 2010, kur tregu filloi të liberalizohej.
Zvarritjet dhe çmimi alogjik
Dyshimet mbi një proces korrekt u shfaqën që në fillim të vitit, kur AKEP-it iu deshën më shumë se dy muaj për të shpallur rezultatet e një tenderi në dukje tepër të qartë se ishte i dështuar. Për licencën e tretë, të ofruar në muajin shkurt të këtij viti, qeveria kërkoi të njëjtin çmim, 12.5 milionë euro, ndërsa kompanitë e vlerësuan, respektivisht “Plus” 2.2 milionë euro dhe “Eagle” 3.4 milionë euro. Pra, kompanitë e kanë dhënë vlerësimin e tyre se sa vlen licenca e tretë, por pavarësisht kësaj, AKEP e nxori tani në gusht me çmim minimal prej 4 milionë eurosh.
Në konsultimet e AKEP bie në sy fakti që operatorët që tashmë e kanë marrë autorizimin 3G kanë kërkuar që dhe dy operatorët e mbetur ta blejnë atë për 12.5 milionë euro, në mënyrë që të mos ketë diskriminime në treg, pavarësisht faktit se ata kanë përfituar nga ky diskriminim në tre vjet që kanë pasur ekskluzivitetin e ofrimit të këtij shërbimi. Nga ana e tyre, operatorët që nuk e kanë pasur deri tani këtë shërbim, kanë theksuar se “operatorët e mëdhenj dhe të fuqishëm financiarisht kanë marrë përfitime nga autorizimet e marra, ndërsa operatorët e rinj dhe më të vegjël janë duke u përgatitur për Autorizimin e 3G dhe çdo ditë vonesë në dhënien e autorizimit dëmton operatorët e vegjël dhe konkurrencën e ndershme”.
Duket se AKEP në vendimin e tij për caktimin e çmimit minimal prej 4 milionë eurosh, është duke bërë “loje kungulleshkash” mes operatorëve që e kanë marrë licencën dhe atyre që duan ta marrin, në favor të operatorëve të mëdhenj, teksa vetëm pak muaj më parë “Plus” dhe “Eagle” kanë shuma ndjeshëm më pak nga ajo qe AKEP kërkon sot pas 10 muajsh vonese.
Kompania “Vodafone” e mbajti për një vit gjatë 2011-s të drejtën ekskluzive të shërbimit 3G, avantazh ky tepër i madh në një kohë që tregu i “voice” po maturohet dhe të gjithë operatorët po shikonin tregun e të dhënave (data) si burimin e ri të të ardhurave. AMC e fitoi tenderin në tetor 2011, duke ofruar rreth 14 milionë euro dhe këtë shërbim e ofroi pak muaj më vonë. Të dhënat zyrtare të AKEP-it dëshmojnë qartë se në 2011-n tregu i telefonisë u tkurr me 4 për qind dhe se dy kompanitë, AMC dhe “Eagle Mobile” pësuan rënie të xhiros përkatësisht me 19 për qind dhe 8.5 për qind, në një kohë kur “Vodafone” arriti ta shfrytëzojë këtë avantazh, duke pasur të ardhura prej 20.2 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel në raport me 2010-n, ndërkohë që fitimi u reduktua nga 8.5 miliardë lekë në 5 miliardë lekë.
Tenderi
Duket se AKEP në vendimin e tij për caktimin e çmimit minimal prej 4 milionë eurosh, është duke bërë “loje kungulleshkash” mes operatorëve që e kanë marrë licencën dhe atyre që duan ta marrin
Kriteret
Paraqitja e ofertave
AKEP ka publikuar së fundmi në faqe kriteret për të marrë pjesë në tender. Në një nga pikat thuhet se, oferta në tenderin e datës 10 tetor 2012 mund të paraqitet edhe nga bashkime investitorësh që veprojnë së bashku për qëllime të pjesëmarrjes në tender dhe që synojnë të kryejnë transaksionin nëpërmjet një shoqërie që do të krijohet. Në këto raste, cilëson AKEP, njëri prej investitorëve i përfaqëson të tjerët gjatë procedurës dhe, në rast përzgjedhjeje, edhe gjatë procedurave pas shpalljes së rezultateve të tenderit. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare përjashton nga pjesëmarrja në tender të gjithë sipërmarrësit e autorizuar për përdorimin e brezave të frekuencave UMTS në Republikën e Shqipërisë, si dhe ortakët e tyre të çdo lloji.
Tenderi
AKEP i jep rëndësi çmimit se sa mbulimit
Mjafton të shikosh kriteret e vlerësimit në tender për të kuptuar qartë se për qeverinë shqiptare nuk ka rëndësi cilësia e shërbimit dhe kur mund të ofrohet, por paratë që do të vjelë nga shitja e licencës. Në kriteret e tenderit, AKEP vlerëson me 90 pikë ofertën që do të paraqitet me çmimin më të madh, kurse kohën e mbulimit me shërbimin në shkallë gjeografike me 10 pikë. Periudha minimale e mbulimit me rrjet do të jetë minimalisht: Deri në fund të 6-mujorit të parë, jo më pak se 35 për qind të territorit; deri në fund të 12 muajve jo më pak se 65 për qind të territorit dhe deri në fund të 18 muajve, jo më pak se 85 për qind të territorit.
Dhënia e Autorizimit Individual do të bëhet brenda 10 ditëve kalendarike pas shpalljes së fituesit dhe kryerjes së të gjitha pagesave të referuara në Seksionin 17 të Kreut II, sipas përcaktimeve të dokumentit të tenderit dhe në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008. Çmimi i ofertës, i ofruar nga ofertuesi, që ka fituar të drejtën e përdorimit të frekuencës/brezit të frekuencave të tenderuar, derdhet prej tij në buxhetin e shtetit dhe pagesa do të kryhet nga ofertuesi fitues brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e njoftimit si fitues.
TREGU
Të ardhurat
Të ardhurat totale të sipërmarrësve në tregun e komunikimeve elektronike për vitin 2011 ishin 51.922 milionë lekë
Ndarja
Të ardhurat e operatorëve celularë përbëjnë rreth 75% të të ardhurave të të gjithë tregut, kurse “Albtelecom” zë 18%
Flet Julien Coustaury, Drejtor Ekzekutiv i “Plus”
Vendimi i AKEP nuk i jep mundësi konsumatorëve të përfitojnë
Kompania “PLUS Communication” shpreh shqetësimin e saj pas shpalljes së tenderit të AKEP për dy licencat 3G me çmim dysheme 4 milionë euro. Sipas Drejtorit Ekzekutiv të “Plus”, Julien Coustaury, kjo situatë dëmton konkurrencën në treg dhe vendos një situatë duopoli të dëmshëm. “Plus” shpreson që AKEP të konsiderojë anulimin e vendimit dhe lehtësimin e kushteve për një konkurrencë të plotë në favor të konsumatorëve shqiptarë.
Si e komentoni vendimin më të fundit të AKEP për shpalljen e tenderit të ri për licencat 3G?
Jemi të shqetësuar që komentet tona nuk janë marrë parasysh. AKEP vendosi një çmim afërsisht dy herë më të lartë se oferta e dhënë gjatë konsultimeve publike, si dhe larg logjikës ekonomike të përdorur në vende të tjera perëndimore. Mbetet edhe më shqetësues fakti, që kjo situatë mban në fuqi statuskuonë e vendosur nga një duopol, që i ka dëmtuar tashmë konsumatorët shqiptarë për vite me radhë.
Çfarë pritet të ndodhë nga ky vendim, cilat mendoni se do të jenë efektet që do të sjellë?
Në vazhdën e një procesi në pikënisje transparent dhe pro liberalizimit të licencave 3G, shpresojmë që AKEP do të shprehë angazhim më të madh për të promovuar konkurrencën në këtë treg. Vendimi i fundit e prapëson këtë proces, duke krijuar jo vetëm anomali në treg, por duke mos lejuar që konsumatori fundor të përfitojë nga produkte inovative dhe skema çmimesh të ndryshme nga ato që ofrohen sot në treg.
Cilat do të jenë hapat tuaj të mëtejshëm?
Sigurisht që ne shpresojmë së pari në anulimin e këtij vendimi dhe marrjen parasysh në mënyrë serioze të komenteve të “Plus” gjatë procesit të konsultimit paraprak. Ne si kompani duam të mbetemi inovativë dhe lider në produkte dhe oferta, duke e shtrirë gamën edhe në shërbimin data. Shpresojmë që AKEP të tregojë mprehtësi dhe fleksibilitet dhe të na lejojë të jemi pjesëmarrës në treg, nëpërmjet konkurrencës së ndershme, nga e cila sigurisht do të përfitojnë mbi të gjitha konsumatorët fundorë.
Vetëm 6% përdorin shërbimin 3G
Më datë 10 janar 2011, “Vodafone Albania” prezantoi për herë të parë shërbimet 3G në Shqipëri dhe AMC një vit më pas e mori këtë të drejtë. Nga të dhënat zyrtare, mësohet se, numri i pajtimtarëve që përdorin shërbimet 3G në të dy rrjetet është rreth 280 mijë, ose gati 6 për qind në raport me totalin. Njëkohësisht përdoruesit me karta modem/USB 3G, që lejon aksesin në internet, nëpërmjet PC është rreth 34 mijë, që përbën 20 për qind të pajtimtarëve totalë (fiks dhe 3G) me akses broadband në Shqipëri.
Opinioni i dy operatorëve që ofrojnë shërbimin 3G
Pro liberalizimit, por jo me favorizime
Planifikimi për dhënien e dy licencave të tjera 3G do të rrisë praninë e operatorëve të tjerë në treg, duke rritur konkurrencën midis tyre dhe do të sjellë përfitime të mëtejshme për abonentët me çmime më të leverdisshme për konsumatorët dhe një gamë më të gjerë të shërbimeve që do të ofrohen sipas nevojave të tyre.
Dhënia e dy licencave të tjera 3G në të njëjtën kohë do të krijonte pozita diskriminuese midis operatorëve. Në respekt të parimit të mosdiskriminimit, dhënia e licencës tjetër 3G duhet të marrë në konsideratë investimin e bërë dhe kohën e nevojshme për hedhjen në treg të shërbimeve 3G dhe dhënia e vetëm një të drejte përdorimi me anë të procesit të tenderimit, siç është vepruar deri tani, do të ishte mënyra e duhur për t’u ndjekur nga AKEP.
Sa i takon çmimit të vendosur në tender, prej 4 milionë eurosh, operatorët mendojnë në mënyrë të përmbledhur se, vlera për dhënien e frekuencave varet nga shërbimet që mund të ofrohen në lidhje me këto të drejta përdorimi, si dhe nga pritshmëritë e kompanive në lidhje me zhvillimet e ardhshme në treg dhe fitimi. Frekuencat UMTS janë një burim i fundmë dhe gjenerojnë një tjetër burim fitimi dhe shërbime me vlerë për operatorin që do të marrë këto të drejta përdorimi.
Gjithashtu, në respekt të parimit të mosdiskriminimit, AKEP duhet t’i vendosë operatorët në treg në të njëjtat kushte dhe detyrime, duke u dhënë shanse të njëjta për të konkurruar në treg dhe të marrë në konsideratë disa faktorë: kushtet aktuale të tregut shqiptar të telefonisë celulare, suksesin e shërbimeve 3G dhe kërkesën në rritje për këto shërbime në tregun me pakicë, si dhe faktin që kuotat e tregut në terma të të ardhurave dhe të abonentëve të dy operatorëve kandidatë janë rritur.
Në tenderët pararendës, të gjithë operatorët pjesëmarrës kanë qenë të barabartë për të dhënë ofertën e tyre, në kushte të njëjta, përfshirë edhe ata operatorë që garojnë sërish sot si palë të interesuara për brezin e frekuencave. Ndaj dhe çdo ndryshim nga kushtet fillestare, sidomos çmimi minimal, në këtë fazë kur dy prej operatorëve nuk garojnë më, por kanë paguar shuma të mëdha për marrjen në përdorim të frekuencave për breza të ngjashëm, do të vinte në kundërshtim me parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit në një treg të lirë konkurrues.
(komentet e operatorëve që e kanë tashmë autorizimin 3G në rezultatet e konsultimit të publikuara nga AKEP)
AKEP
Kushtet tona, të drejta!
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në komentet mbi procesin e radhës të tenderimit për dhënien e licencave të shërbimit 3G, analizon faktet pse e shtynë të shiste këtë të drejtë me çmim 4 milionë euro dhe pse njëherësh.
AKEP thotë se nisur nga ofertat e paraqitura në procedurën për dhënien e së drejtës së tretë të përdorimit në këto breza frekuencash, si dhe analizën e tregut të komunikimeve elektronike në lidhje me shtrirjen dhe tarifat për shërbimet e standardit 3G, mori vendimin për të vendosur një çmim minimal prej 4 milionë eurosh. Autoriteti shton gjithashtu se për vendosjen e kësaj tarife dysheme, ka ndikuar marrja në konsideratë edhe e propozimeve të ardhura në këshillimin publik lidhur me këtë proces.
Por pse AKEP fron dy licenca njëherësh, ndryshe nga herët e kaluara? “Dhënien e dy të drejtave të përdorimit në të njëjtën kohë, AKEP e sheh si një mundësi për të rritur konkurrencën në treg; shfrytëzimin sa më efikas të brezave të frekuencave UMTS; shtrirjen e shërbimeve broadband me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit; përmbushjen e interesave publike me shërbime të mbështetura në këto breza dhe hapjen e tregut të komunikimeve elektronike për investime të reja”, thotë ndër të tjera autoriteti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.