Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi në mbledhjen e kësaj jave dy fonde të reja të investimeve në valutë të huaj.
Bëhet fjalë për fondet “ABI FLEX EURO” dhe “ABI FLEX USD”, të administruara nga Shoqëri Administruese e Fondeve të Pensionit dhe e Aseteve të Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive ABI Invest. Pas licencimit të tyre, numri i fondeve të investimit në Shqipëri ka arritur në 11, nga të cilat gjashtë janë në valutë të huaj.
Ndërkohë, në AMF është paraqitur edhe një tjetër aplikim për licencimin e një fondi tjetër investimesh, Sigal Investment, nga shoqëria administruese Sigal Life Uniqa Group Austria.
Vetëm vitin e kaluar, Bordi Drejtues i AMF licencoi katër fonde të reja investimesh, Albsig Standard, Raiffeisen Miks, WVP Global dhe ABI EIA.
Nga 11 fonde të licencuara aktualisht, katër administrohen nga Raiffeisen Invest, një nga Credins Invest, dy nga ËVP Fund Management Tirana, një nga Albsig Invest dhe tre nga ABI Invest.
Duke pasur parasysh shkallën e lartë të përdorimit të valutës dhe kryesisht të euros, në vitet e fundit shoqëritë administruese po shfaqen më të interesuara për ngritjen e fondeve në valutë të huaj. Megjithatë, zakonisht në fondet e investimit në valutë kanë një luhatshmëri më të lartë dhe një profil mes riskut dhe përfitimit më të lartë në raport me fondet në lekë. Gjatë vitit 2020, kthimet vjetore nga këto fonde ranë në territor negativ, ndërsa në pjesën e parë kthimet kanë përmirësuar ndjeshëm.
Mbështetur në statistikat e AMF, në fund të tremujorit I 2021, tregu i fondeve të investimeve kishte një vlerë neto të aseteve prej 69.05 miliardë lekëve ose 2.4% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2020. Me bazë vjetore, rritja e tregut është lehtësisht më e lartë, me rreth 3.1%.
Numri i anëtarëve ka arritur në pak më shumë se 34 mijë, me një rritje vjetore prej 4.2%.
Pas vitit 2015, tregu i fondeve të investimit duket se ka arritur një fazë ngopjeje dhe nuk po arrin më rritje domethënëse të vlerës së aseteve. Pavarësisht kësaj, në dy vitet e fundit ai ka tërhequr investitorë të rinj, më konkretisht grupet financiare Albsig, Banka Amerikane e Investimeve dhe Sigal Uniqa Group Austria.
Veç fondeve të investimit të instrumente financiare, këtë vit AMF regjistroi edhe shoqërinë e parë të investimeve alternative, Sea Land Investment. Fondet alternative janë ligjërisht të lejuara për të bërë edhe investime jolikuide, të tilla si pasuritë e paluajtshme. Por, sipas ligjit në këto fonde mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar, si për shembull bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.