Pas miratimit të ligjit të ri për sipërmarrjet e investimeve kolektive, ka nisur edhe licencimi i para të shoqërive për administrimin e fondeve të investimeve alternative.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka licencuar shoqërinë Credins Invest si të parën shoqëri që do të ofrojë Fonde të Investimeve Alternative, vetëm për klientët profesionistë dhe të kualifikuar. Credins Invest pritet të administrojë fondin e ri të investimeve alternative Sea Land Investment.
Ky fond është themeluar në formën e një shoqërie tregtare, me aksioner kryesor Credins Bank, por ende nuk është licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Shqyrtimi i aplikimit për licencim pritet të bëhet në një nga mbledhjet e ardhshme të Bordit Drejtues të AMF-së. Depozitar i fondit pritet të jetë Banka Amerikane e Investimeve, që u licencua në muajin dhjetor si i pari depozitar i fondeve të këtij lloji në Shqipëri.
Deri tani, në Shqipëri kanë vepruar vetëm shoqëri që ofrojnë fonde investimi në instrumente financiare. Ligji i ri për sipërmarrjen e investimeve kolektive, që hyri në fuqi në qershor të vitit të kaluar, krijoi bazën ligjore edhe për fondet e investimeve alternative, që iu ofrohen vetëm investitorëve profesionistë.
Sipas ligjit, këto fonde mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare (shoqëri e investimeve me kapital fiks) dhe me formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, të tilla siç janë pasuritë e paluajtshme. Ligji përcakton si klientë profesionist subjektet e licencuara për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare, si bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj.
Gjithashtu, si investitorë profesionistë njihen edhe ndërmarrjet e mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret, e të pasurit aktive totale të paktën 2.6 miliardë lekë, xhiro neto është të paktën 5.2 miliardë lekë dhe kapitale të veta të paktën 260 milionë lekë. Investitorë profesionistë përkufizohen edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.
Licencimi i fondeve të invstimeve alternative këtij lloji përbën një diversifikim të mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri, duke krijuar mundësi për alternativa të reja investimi tpër investitorët profesionistë. Tregu i sipërmarrjeve të investimeve kolektive ka aktualisht pesë shoqëri dhe nëntë fonde investimi të licencuara. Në fund të muajit shtator 2020, tregu i fondeve të investimeve kishte një vlerë neto të aseteve prej rreth 67 miliardë lekësh ose 540 milionë eurove. Prej më shumë se pesë vitesh, tregu duket se ka arritur një fazë ngopjeje dhe nuk po arrin më rritje domethënëse të vlerës së aseteve apo bazës së investitorëve.
Të paktën në monedhën vendase, tregu nuk ofron alternativa të tjera investimi, veç bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Ky është një faktor që pengon diversifikimin e portofolit të investimit dhe nuk krijon shumë hapësira për sigurimin e kthimeve më tërheqëse për investitorët./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Si ka mundesi qe AMF dhe Banka e Shtetit Shqiptar licensojne shoqeri per te ofruar fond alternativ kur ne shoqerine Sea Land Investment (Nipt: M02409022L) eshte aksionar mbi 99% nje Banke e licensuar ne Rebuliken e Shqiperise. Bankave u ndalohet te jene aksinare ne shoqeri tregtare (Shoqëritë tregtare janë shoqëritë kolektive, shoqëritë komandite, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara dhe shoqëritë aksionare; neni 1, ligji 9901, date 14.4.2008) me shume se 10% te kapitalit te nje shoqerie tregtare qe nuk eshte banke apo institucion financiar (neni 70, pika 1; ligji 9962, date 18.12.2006). Pavaresit faktit qe mund ta quajne ne emrtim… Read more »