Liderët e Bashkimit Europian nuk ranë dakord mbi propozimet për lidershipin e ri, pas përfundimit të një samiti aspak të qetë, të zhvilluar gjatë mbrëmjes së djeshme, ku u eliminuan të gjithë kandidatët e mundshëm të tre aleancave kryesore politike të Europës.
Pas katër orë bisedimesh mbi zgjedhjen Presidentit të ri të Komisionit Europian, liderët e BE-së ranë dakord të zhvillojnë një samit tjetër pas 10 ditësh, për shkak se asnjë prej kandidaturave kryesore nuk mori mbështetjen e duhur.
“Për asnjërin prej kandidatëve nuk u arrit shumica e duhur e votave”, u shpreh Donald Tusk, Presidenti i Këshillit Europian. Rezultati është një pengesë serioze, por jo vendimtare për Partinë Popullore Europiane të qendrës së djathtë, e cila kishte zgjedhur si kandidatin e saj kryesor Manfred Weber.
Kjo situatë do ta përkeqësojë të gjithë procesin për zgjedhjen e liderit të ri të Komisionit, sepse Partia Popullore Europiane deklaroi se çdo përpjekje për të eliminuar nga këto zgjedhje z. Weber do të shoqërohej edhe me lëvizje nga ana e tyre, duke kërkuar largimin e socialistit Frans Timmermans dhe liberales Margrethe Vestager.
Në fund të samitit dhe, mbi të gjitha, duke parë ecurinë e tij aspak të qetë, znj. Merkel bëri një njoftim për të qetësuar disi situatën, ku citonte se të gjitha palët duhet të njohin vështirësitë politike për të siguruar mbështetje të mjaftueshme për cilindo kandidat në Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian.
E pyetur nëse bllokimi politik për zgjdhjen e lidershipit të ri kishte shkatërruar edhe procesin e Spitzenkandidat (zgjedhjes së lidershipit të ri), znj. Merkel u shpreh se nuk mund të jepte asnjë përgjigje të saktë deri në fund të këtij procesi. Gjithsesi, ky proces mbetet një sfidë shumë e madhe, tha ajo më tej. Samiti i djeshëm shënoi një ditë të zymtë për z. Weber, të cilit gjithsesi iu bë e qartë përpara zhvillimit të tij se ai nuk do të merrte kurrë mbështjetjen e nevojshme për të fituar lidershipin.
Emmanuel Macron, Presidenti francez, tha se ngërçi në Këshillin dhe Parlamentin Europian e qartësoi faktin se në samitin e radhës, kandidaturat për lidershipin duhet të jenë të reja, duke lënë pas kështu kandidatë si z. Weber. “Unë mendoj se ajo çka në duhet të bëjmë në samitin e radhës është që të shpallim emrat e disa kandidatëve të rinj, të cilët kanë kualifikimet dhe përvojën e duhur në politikë”, tha më tej z. Macron.
Negociatat priten të rifillojnë javën e ardhshme në Osaka, Japoni, ku Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda do të marrin pjesë në samitin e udhëheqësve të G20.
Burimi: Financial Times