Liderët e shteteve kryesore industriale premtuan 1 miliard doza vaksina Covid për vendet e varfra si një “hap i rëndësishëm drejt vaksinimit të botës”, ka thënë Boris Johnson.
Pas takimit të parë të liderëve botërorë të G7 në dy vitet e fundit, z. Johnson tha se “bota po kërkonte nga ne që të hidhnim poshtë disa nga qasjet tona egoiste dhe nacionaliste të cilat shkatërruan përgjigjen fillestare globale ndaj pandemisë dhe për të kanalizuar të gjitha forcat tona diplomatike, ekonomike dhe shkencore për të mposhtur një herë e mirë Covidin”.
Ai tha se liderë e G7-ës u zotuan të furnizonin me vaksina vendet e varfra ose drejtpërdrejt ose përmes skemës Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke përfshirë 100 milionë doza nga Mbretëria e Bashkuar. Deklarata e Kryeministrit anglez në Samitin e G7, premton “t’i japë fund pandemisë dhe të përgatitet për të ardhmen për një përpjekje të intensifikuar ndërkombëtare, duke filluar menjëherë që të vaksinojë botën duke siguruar sa më shumë vaksina të sigurta për sa më shumë njerëz të jetë e mundur dhe brenda një kohe sa më të shkurtër.
Ai gjithashtu përfshin objektiva për të trajtuar ndryshimin e klimës, me liderët që angazhohen përsëri për të arritur emetimet neto zero të gazrave serrë deri në 2050 dhe duke u zotuar gjithashtu që të eleminojë shumicën e energjisë së prodhuar nga qymyri.
Johnson tha më tej se “nga 1.5 miliardë vaksina që janë shpërndarë në të gjithë botën, mendoj se njerëzit në këtë vend duhet të jenë shumë krenarë që gjysma e 1 miliard prej tyre janë si rezultat i veprimeve të ndërmarra nga qeveria angleze në bashkëpunim me Shkencëtarët e Oksfordit dhe AstraZeneca për t’i shpërndarë ato me koston e vërtetë që kanë dhe duke mos përfituar fare prej saj”.
Ai shtoi se “ne do të prodhojmë vaksina sa më shpejt që të mundemi dhe t’i shpërndajmë ato gjithashtu sa më shpejt të jetë e mundur”.
Liderët u zotuan gjithashtu se do të angazhohen për të ndërtuar kornizat për të parandaluar dhe për të luftuar pandemitë e ardhshme. Në komunikatën me 25 faqe, kishte disa pika që i referoheshin Kinës, për të cilat Presidenti Biden tha se ishte një ndryshim nga takimet e mëparshme të ekonomive të përparuara të botës.
Premtimet e bëra këtë herë përfshinin bashkëpunimin e tyre në drejtim të parandalimit të ndikimit të Kinës në tregtinë botërore.
Johnson gjithashtu hodhi poshtë sugjerimin që patentat për vaksinat duhet të hiqen në mënyrë që të rritet furnizimi global, diçka të cilën SHBA-ja e mbështeti muajin e kaluar. Ai tha se donte të mbronte inovacion ndërsa ndërtonte kapacitetet prodhuese, veçanërisht në Afrikë.
Në komunikatën e tyre, liderët e G7 gjithashtu u zotuan:
- Të përgatiten për krizat e ardhshme shëndetësore
- Të heqin dorë nga prodhimi i energjisë nga qymyri dhe të mbledhin 100 miliardë dollarë (70 miliardë paund) për të ndihmuar vendet e varfra që të reduktojnë emetimet
- Të mbështesin një revolucion të gjelbër që krijon vende pune, ul emetimet dhe kërkon të kufizojë rritjen e temperaturave globale në 1.5 gradë
- Të forcojnë ekonomitë e tyre “me plane që krijojnë vende pune, të investojnë në infrastrukturë, nxisin inovacionin dhe të mbështesin njerëzit në mënyrë të tillë që pavarësisht nga mosha, etnia apo gjinia askush të mos lihet pas”.
- Të krijojnë një fond për zhvillimet e infrastrukturës në vendet në zhvillim
- T’i përgjigjen ndikimit të Kinës në tregtinë botërore dhe praktikave sfiduese të cilat kërcënojnë funksionimin e drejtë dhe transparent të ekonomisë globale
- T’i bëjnë thirrje Kinës të respektojë të drejtat e njeriut, veçanërisht në lidhje me Xinjiang, si pasojë e akuzave për abuzime ndaj Myslimanëve
- Arsimimi i vajzave të jetë rritur me 40 milionë deri në vitin 2026
Komunikata bën gjithashtu thirrje për një hetim “transparent, të bazuar në shkencë dhe të udhëhequr nga ekspertët për të zbuluar origjinën e Covid-19. / BBC