Lideri “Walking Dead”

25/07/2019 2:05 PM 0 komente

Gazeta e famshme “Wall Street Journal”, fundjavën e kaluar kish botuar shkrimin e një personaliteti në fushën e sportit të bejsbollit. Emri i tij nuk më thesh gjë, por më tërhoqi titulli i shkrimit. (“A good life in my dying days”, Fay Vincent, WSJ)

I vënë në dijeni nga mjekët se ishte prekur nga një formë e rëndë kanceri në gjak dhe i vetëdijshëm për kohën e paktë që i mbetej për të jetuar, ish përpjekur të dëshmonte në pak rreshta sfidën e tij personale me armikun e pamëshirshëm të shfaqur papritur e që po i ndryshonte rrjedhën e jetës normale.
Çfarë më bëri veçanërisht përshtypje ishte përkthimi që ai vetë i kish bërë një shprehjeje të famshme të mendimtarit francez Blez Paskal, “njeriu është po aq delikat sa edhe një zambak, vetëm se është një zambak që mendon”.

Përshtatja origjinale që ai i kish bërë thënies së filozofit francez ishte si vijon: “Njeriu, sikurse një zambak, është më delikati i natyrës. Mjafton një pikë ujë që ta mbysë e t’i shkaktojë atij vdekjen. Por ndryshimi mes tij dhe asaj që po ia shkakton vdekjen është se ai e di që po i vjen vdekja”.

E më pas vijonte të ilustronte me shembuj konkretë nga veprimtaria e tij, por jo vetëm, vlerat e përballimit të një situate të tillë, që e kalon çdo individ në këtë botë, pavarësisht se në çfarë periudhe, me sa më shumë kurajë e me vullnetin për t’u treguar, para së gjithash familjarëve, miqve, por edhe bashkëqytetarëve karakterin e fortë dhe kapacitetin e qenies njerëzore për të përballuar me burrëri largimin nga kjo jetë, duke e vlerësuar çdo çast të mbetur, por duke e jetuar atë gjithmonë me dinjitet.

Hyrje pak e gjatë, por ja ku erdhëm te tema që na intereson.

Edhe jeta e një politikani, në mënyrë të ngjashme, ka një moment të tillë të largimit nga arena (jeta) politike që zakonisht, veçanërisht në demokraci, nuk përputhet me largimin nga kjo jetë e individit, personalitetit politik. Pikërisht në vendet me demokraci të zhvilluar e ku shkalla e civilizimit është relativisht e lartë, politikanët e marrin këtë sinjal relativisht lehtë nga votat kur qytetarët shprehen drejtpërdrejt, por edhe nga rrethi i familjes politike, mediat e opinioni publik, nga sondazhet apo qoftë edhe protestat masive refuzuese, sipas rastit.

Janë të panumërta rastet që do të mund të përmendnim, por mjafton të veçojmë disa të ndodhura në këta muajt e fundit, që nga demokracia shembullore e Mbretërisë së Bashkuar me Kryeministren May, por edhe nga Greqia këtu pranë nesh, me Kryeministrin Cipras. Të dy raste tipike kur Politikanit i lajmërohet ardhja e fundit të karrierës apo jetës së tij politike dhe atij i duhet të përballet me këtë moment absolutisht të vështirë e ku duhet të shohë në sy të vërtetën, që nuk është aspak ashtu siç ai do të dëshironte, por përkundrazi, shumë e hidhur për të.

Ai nuk është më i pranueshëm nga Sovrani, nuk është i pëlqyeri për të vijuar administrimin e vendit në emër e në favor të Sovranit. Ai vetë, mbase ndihet ende fizikisht i ri, me plot energji dhe besim në vetvete, ka edhe një axhendë dhe plan sipas tij perfekt. E, megjithatë, e pavarësisht gjithë këtyre, për fatin e tij të keq, ai thjesht nuk është më i përzgjedhuri. Për të ka ardhur momenti i largimit, i vdekjes së tij politike, i përballjes me këtë të vërtetë. Ai është gjallë, por i duhet të vdesë politikisht e kjo sigurisht që nuk është dilemë e thjeshtë. Ndaj, qëndrimi që burrat apo gratë e politikës mbajnë në këtë moment të jetës së tyre politike është përcaktues për vlerësimin që u rezervohet në histori.

Por arsyeja e këtij shkrimi nuk është as Anglia e as Greqia, por vendi ynë, e këtu nuk kemi shumë dyshime për të thënë që ne nuk kemi lidhje me nivelin e demokracisë së të dy vendeve që përmendëm më lart.

Pak javë më parë u zhvilluan edhe te ne votime. (fjala zgjedhje realisht do të ishte nderim i madh për çfarë na panë sytë).
Megjithatë, edhe në këtë farsë, Sovrani foli dhe qeveritarët, përfshirë Kryeministrin, e kanë të regjistruar në dokumente, përtej asaj se çfarë thonë nëpër ekrane, shkallën e ulët të mbështetjes që morën dhe që është i barasvlefshëm me një mandat të mirëfilltë të vdekjes së tyre politike, të nënshkruar nga Populli.

Pikërisht pas këtij vendimi të qartë të Sovranit, i cili e ka shpallur botërisht vdekjen politike të udhëheqësit të deridjeshëm, kur pritet që ky i fundit të vërë të paktën maskën e respektit dhe të dinjitetit dhe të largohet nga arena, ndodh çudia.
Ai, sikur të mos ketë ngjarë asgjë, tamam si një “walking dead” në filmat horror, vijon të vijë vërdallë e të shëtisë rrugëve të qyteteve të vendit, të flasë në kuvende e të kalojë ligje për PPP deri në 2 miliardë euro apo të mbajë plenume si ata të qëmotit, me këputje kokash të padëshiruara.

Ishin pikërisht pamjet në një edicion lajmesh të këtij plenumit të fundit, siç mund ta quajmë pa hezitim këtë asamblenë e Rilindjes (nuk i harrojmë dot edhe pas 30 vjetësh imazhet e plenumeve famëkeqe) që më kujtuan shkrimin e “Wall Street Journal”, për dinjitetin e njeriut para një momenti të tillë serioz si vdekja.

Ju lutemi, pak dinjitet!

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of