Theresa May duhet të pastrojë kabinetin e saj. Pastrimi i kabinetit ndoshta do të ishte lëvizja e duhur për të rigjallëruar qeverisjen e dobët të Britanisë
Vetëm gjashtë muaj më parë, Theresa May dukej e plotfuqishme. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme që pritej të forconin më tepër pozitat e konservatorëve, treguan të kundërtën, dhe më e keqja është se përveç humbjes së mazhorancës, ato morën me vete edhe një pjesë të padiskutueshme të autoritetit të znj. May, duke i dhënë një goditje të fortë, shkruan The Economist.
Qeveria e pakicës është e paralizuar: ajo nuk ka numrin e duhur të deputetëve, me anë të të cilëve mund të ndërmarrë veprime të rëndësishme në Parlament; kabineti nuk po arrin të bjerë dakord për asnjë gjë dhe partia është e frikësuar nga rrëzimi i mundshëm i udhëheqëses së saj të dobët. Qeveri si kjo e znj. May do të vazhdojnë të hasin pengesa për një kohë të gjatë. Dhe nëse znj. May nuk do të marrë përgjegjësitë që i takojnë, Britania do të dalë në mars të 2019-s, pa arritur të nënshkruajë një marrëveshje. Ajo duhet të fillojë duke zëvendësuar kabinetin e saj të pandershëm dhe jo të aftë me një “ekuipazh të ri anëtarësh në bord”.
Të rimarrësh kontrollin
Koha është tmerrësisht e shkurtër. Pjesa më e rëndësishme e bisedimeve do të përfundojë afërsisht rreth një vit më vonë nga tani. Gjatë javëve të ardhshme, liderët europianë do të vendosin nëse ka përparime të mjaftueshme në lidhje me faturën e daljes së Britanisë dhe kufirin irlandez për të ecur përpara dhe për të diskutuar marrëveshjet e tregtisë dhe ato kalimtare, siç dëshiron Britania.
Është në interesin e gjithsekujt për të vepruar kështu: një rregull i negociatave është se duke konsideruar gjithçka pjesë të së njëjtës paketë, rriten mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjes. Por Franca dhe Gjermania duken shumë të bindura për ta bërë Britaninë që të presë. Duke i shtuar kësaj edhe zvogëlimin e mundësive për arritjen e një rezultati të mirë nga ana e të dyja palëve, kjo rrit rrezikun që bisedimet të shkatërrohen plotësisht.
Negociatorët europianë janë të saktë kur mendojnë se bisedimet në Londër për të dalë nga BE-ja pa “asnjë marrëveshje” është blof. Ajo që ata nuk e kuptojnë është se kushtet politike kaotike të Britanisë nënkuptojnë se gjithsesi kjo gjë mund të ndodhë. Kaosi është nxitur nga Boris Xhonson, i cili botoi manifestin e tij prej 4,000 fjalësh në lidhje me Brexit, lëvizje të cilën ai e bëri fiks një ditë përpara se Kryeministrja të mbante fjalimin e saj, duke përpiluar edhe “barrierat” gjatë në një intervistë të mëvonshme, në të cilën kundërshtoi në mënyrë të pandërgjegjshme qëndrimin e qeverisë.
Pandershmëria e Sekretarit të Jashtëm të shtetit, vështirë se do të kompensohet nga aftësitë e tij si diplomat. Ai është tallur dhe kritikuar shumë edhe jashtë vendit dhe deklaratat nuk janë pëlqyer aspak as në Zyrën e Jashtme. Deri pak kohë më parë ai mundohej të krijonte një përshtypje tjetër, por tashmë edhe një numër i madh konservatorësh janë lodhur prej tij. Zonja May nuk duhet ta shtyjë për më vonë largimin e tij nga kabineti.
Por ajo nuk duhet të ndalet me kaq. Kabineti i saj është i tejmbushur me armiq, të cilët arritën pak edhe në kohën kur ishin në mazhorancë, duke përmendur këtu Chris Grayling, Andrea Leadsom dhe Priti Patel. Një fushatë po zhvillohet për të larguar kancelarin e aftë Philip Hammond, i cili favorizon një Brexit më të butë. Një ide më e mirë ndoshta do të ishte promovimi i një brezi të ri deputetësh konservatorë, shumica e të cilëve janë mbështetës të Brexit.
Pëlqimet dhe mbështetja ndaj Rishi Sunak, Kwasi Kwarteng dhe Nusrat Ghani, mbase do të ishin lëvizja e duhur për të sjellë në kabinet talentin e munguar dhe ndryshimin e shumëkërkuar, sidomos për sa i përket aspektit të moshës së deputetëve në Parlament. Por zëvendësimi i ministrave në kabinetin e saj nuk do t’i jepte fund problemeve të znj. May.
Konservatorët do të vazhdonin të ishin të ndarë në një prej çështjeve më të rëndësishme me të cilën përballet Britania. Por promovimi i disa imazheve të reja, së bashku me idetë e reja që ata do të sjellin, do t’i jepte qeverisë mbështetje më të fortë në trajtimin e një çështjeje të tillë. Ajo gjithashtu do të përgatisë terrenin për largimin e znj. May, dhe zgjedhjen e një udhëheqësi të ri.