Lidhja e prodhuesve të energjisë në rrjetin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit bëhet në bazë të disa rregullave dhe garancive që palët duhet t’i japin njëri-tjetrin, marrëveshje e cila pritet të ndryshojë.
Enti Rregullator i Energjisë publikoi së fundmi disa pika që do të ndryshohen në këtë marrëveshje TIP mes palëve ku ndër të tjera sanksionohet se ajo lidhet për një periudhë të pacaktuar me përjashtim të rastit kur vendoset një afat i dakordësuar.
Sipas ndryshimeve sa i takon kohëzgjatjes nënvizohet se në rastin kur Përdoruesi synon ta përfundojë këtë Marrëveshje duhet të bëjë të ditur qëllimin e saj, duke njoftuar OST me anë të njoftimit të regjistruar 6 (gjashtë) muaj përpara.
Në rastin kur OST synon ta përfundojë këtë Marrëveshje, njofton Ministrinë Përgjegjëse për Energjisë të paktën 6 (gjashtë muaj) përpara. Zgjidhja e Marrëveshjes sjell shkëputjen fizike të pikës së lidhjes (sipas projektit për lidhjen).
Një tjetër ndryshim është bërë në nenin katër sa i takon deklarimeve dhe garancisë ku thuhet se përdoruesi i garanton OST-së se zotëron autorizimet e nevojshme për punimet dhe komisionimin e objektit dhe aseteve të lidhjes, disponon ose do të ketë të gjitha mjetet, financiare, teknike dhe teknologjike me qëllim realizimin e projektit që lidhet me ndërtimin e objektit, aseteve të lidhjes, dhe të të gjitha veprimtarive të tjera që lidhen me mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin në punë nga vetë përdoruesi.
Po kështu përdoruesi do të zbatojë me përpikmëri të gjitha procedurat dhe rregullat e zbatueshme në përputhje me Kodin e Rrjetit të Transmetimit apo që në finale shoqëria do ti kalojë OST në pronësi asetet e lidhjes me rrjetin e transmetimit dhe do ti garantojë dhe sigurojë OST sh.a., gëzimin e qetë, për të përdorur dhe gëzuar pronën e kaluar, me anë të një kontratë dhurimi.
Në nenin 8 detyrimet e OST janë rishikuar ku nënvizohet se OST sh.a. duhet të:
a) marrë përsipër planifikimet dhe detyrimet përkatëse.
b) marrë në dorëzim pjesët përkatëse të linjës dhe shtyllave
c) brenda një periudhe të arsyeshme nga momenti kur Shoqëria ka përmbushur përcaktimet e bëra në nenin 9 dhe 11 si dhe me një njoftim me shkrim të saj, t’i sigurojë Shoqërisë akses në Rrjetin e Transmetimit, për të mundësuar përfundimin e punimeve duke energjizuar Nënstacionin.
Dy aspekte të tjera të rishikuara janë ajo për planifikimin e ndërprerjes dhe de-energjizimin si dhe ajo për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve. Këto ndryshime janë nxjerrë nga ERE në faqen e konsultimeve duke pritur komentet dhe më pas për të kaluar në procedurën standarde të miratimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.