Lidhjet e dobësuara me Greqinë

19/11/2013 12:47 PM 0 komente

Efektet e krizës greke po vazhdojnë të ndihen në tregun shqiptar. Tregtia dhe investimet po bien, por fqinji helen po kërkon të shkruajë një faqe të re në marrëdhëniet ekonomike. Ajo quhet energji. Objektivat e investitorëve grekë janë në projektet e ndërtimit të linjave të transmetimit të gazit, apo burimeve të tjera të energjisë.

Problemet ekonomike të Greqisë janë reflektuar në të gjithë rajonin e Ballkanit. Për Shqipërinë, ndikimi është i ndjeshëm, pasi Greqia ishte prej vitesh partneri ynë i dytë në tregti e investime. Tendenca rënëse e tregtisë po vazhdon prej katër vitesh, dhe nëntë muajt e këtij viti tregojnë se shkëmbimet tregtare me Greqinë u tkurrën me 10%. Ndërsa eksportet shqiptare në total u rritën 16%, ato drejt Greqisë ranë mbi 10%, çka ndikoi edhe në rënien e peshës së këtij tregu.

Për ekonomistët, është shqetësuese rënia afatgjatë e tregtisë me një vend, aq më tepër kur ai është partner i rëndësishëm. Tendenca rënëse për disa vite rresht nënkupton që bizneset që kanë punuar me fqinjin helen duhet të kërkojnë seriozisht partnerë të rinj tregtarë.

E për këtë janë tashmë të bindur sipërmarrësit që punuan me partnerë grekë për vite me radhë. Mustafa Devolli, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Gjirokastër, tregon se efektet negative për gjithë rajonin kanë qenë të dukshme. Pas uljes së porosive të kompanive që punojnë me Greqinë me sistemin e materiali të porositësit, deri në mbyllje të aktivitetit, Gjirokastra po përpiqet të shikojë përpara e të gjejë shtigje të reja.

Tkurrja e tregtisë filloi katër vite më parë, por më e theksuar ishte në vitet 2010-2011, periudhë kur disa fabrika të prodhimit të veshjeve në Gjirokastër e Korçë mbyllën aktivitetet, e të gjitha të tjerat që punojnë me tregun grek përgjysmuan porositë. Rënie më të theksuar kanë importet nga Greqia, e kjo sipas ekonomistëve tregon se sipërmarrjet greke kanë qenë më pak “agresive” për të shitur mallrat e tyre jashtë. Por, ulja e kërkesës do të ndikonte edhe në eksportet tona atje. Rënia e vlerës së mallrave të eksportuara filloi që gjatë vitit të kaluar, duke ndjekur një tendencë tërësisht të kundërt me eksportet tona në tërësi.

 

Eksportojmë fason e blejmë më shumë ushqime

Përveç zvogëlimit në vlerë e sasi, eksportet tona drejt Greqisë vuajnë gamën e kufizuar të prodhimeve. Vetëm tre grupe mallrash përbëjnë mbi 70% të këtyre eksporteve, ku vazhdon të mbizotërojë rieksporti i veshje-këpucëve fason. Vlera e eksportit tyre në periudhën janar-shtator të këtij viti ishte 1.96 miliardë lekë, ose 34% e eksporteve drejt Greqisë.

Në importe, shporta e prodhimeve që vijnë nga Greqia, është shumë më e larmishme. Për më tepër, në të rëndojnë më shumë prodhimet ushqimore. Me një vlerë importi prej 9.56 miliardë lekësh, ushqimet e pijet zënë gati 30% të totalit të vlerës së importuar nga Greqia.

 

Ndryshimi i tregtisë 2013/2012 (9-mujor)

Eksport

Greqi -10%

Total +16%

 

Importet

Greqi -10.5%

Total +6%

 

Burimi: INSTAT

 

Pesha e tekstileve në eksportet greke

Viti 2009: 50%

Viti 2013: 34%

 

Korça e Gjirokastra, drejt turizmit e traditës…

Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Gjirokastrës, Mustafa Devolli, sugjeron sipërmarrjet e Jugut të orientohen në ato produkte dhe shërbime për të cilat e ardhmja është premtuese. “Kompanitë e prodhimit duhet të kërkojnë tregje të reja, ndërsa nevojitet mbështetje financiare për bizneset e turizmit e bujqësisë”, thotë Devolli. Vende si Gjirokastra e Korça (shumë të lidhura ekonomikisht me Greqinë) mund t’i gjejnë burimet e zhvillimit në shtëpi, tek tradita e tyre, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë.

Gjirokastra shquhet për përpunimin e lëkurës, duhanit dhe prodhimin e cigareve, reçeleve, kompostove, salcës, përpunimin e qumështit. Edhe potencialet turistike të këtij vendi, ashtu si dhe të Korçës janë një kundërpërgjigje e mirë e efekteve të krizës greke. Të rinjtë e kthyer, sipas ekonomistëve, mund të merren shumë mirë me këtë sektor.

 

Çfarë ndodhi…

Më e goditur nga kriza greke ishte industria e përpunimit të veshjeve (me material porositësi). Sipërmarrësit e kësaj industrie në Gjirokastër e Korçë tregojnë se porositë nga Greqia kanë shënuar rritje të lehtë gjatë vitit të fundit, por mbeten shumë më ulëta krahasuar me pesë vite më parë. Bilanci i sektorit është ende i rëndë, pasi me dhjetëra fabrika fason u mbyllën rreth katër vite më parë, duke “nxjerrë në rrugë” qindra të papunë. Fabrikat e mbyllura ishin ato që punonin me kontraktorët publikë, ndërsa të tjera përgjysmuan punën.

“Goditjen” më të madhe e morën në vitin 2009. Sipërmarrjet në Korçë, kufizuan aktivitetin e tyre me tregun grek në masën 40% në atë periudhë, ndërsa pagesat e vonuara në më shumë se 90 ditë çuan në mbyllje të tri fabrikave në këtë qytet.

 

Investimet në rënie

Si në tregti, edhe në investime, sipërmarrja greke duket më e tërhequr. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet greke në vitin e fundit të vlerësuar (2011) ishin 520 milionë euro me një rënie prej gati 16% krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën kohë, Investimet e Huaja Direkte në total u rritën 13%, duke i kaluar 3 miliardë euro. Pesha e investimeve greke ndaj totalit ka zbritur gati 18%, ndërsa një vit më parë zinte 23%.

Piku i investimeve tashmë duket i kaluar. Në vitin 2010 u përmbyllën investimet prej 320 milionë eurosh të dy projekteve më të mëdha të kompanive greke. U ndërtua fabrika e prodhimit të çimentos nga Titan. Me një vlerë prej 250 miliardë eurosh, ai është ndër projektet më të mëdha të investimeve direkte në Shqipëri. Pjesa tjetër e investimeve u orientuan në fushën e shëndetësisë. Grupi HYGEIA investoi në ndërtimin e spitalit privat. Në tregun tonë vlerësohet të operojnë mbi 300 kompani greke apo në bashkëpunim, me investimet më të mëdha në sektorët e telekomunikacionit, atë bankar, në energji, sistemin e informacionit dhe ndërtim, ndërsa ka një numër të konsiderueshëm të kompanive greke në fushën e shëndetit, në industrinë ushqimore e tregti. Të gjithë këta sektorë duken të konsumuar tashmë për shanset e investimeve greke.

 

Sipërmarrësit grekë vijmë me “energji”

Tashmë kur burimet e investimeve janë “konsumuar” në sektorët e shërbimeve financiare apo komunikacion, strategjia e bashkëpunimit grek me Shqipërinë po orientohet drejt një fushe tjetër, me rëndësi edhe për Europën, atë të energjisë.

Presidenti grek në Shqipëri, javës së kaluar, shoqërohej nga sipërmarrës e disa ministra që mbulojnë fusha të ndryshme të ekonomisë. Në forumin e biznesit Shqipëri-Greqi, kryefjala e bisedimeve ishte energjia. Ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë Ionannis Maniatis tha se “bashkëpunimi në energji është rruga më e rëndësishme për t’u ndjekur mes dy vendeve”. Të ndërgjegjshëm për burimet e kufizuara financiare brenda vendit të tyre, sipërmarrësit grekë “shpresojnë” të punojnë e investojnë fonde europiane për sektorin e energjisë. Maniatis theksoi se për vetë rëndësinë që ka energjia është një sektor që po mbështetet me grante nga bashkimi europian.

Projektet e reja të Greqisë për qasjen e financimeve në Ballkan, shihen nga ekspertë të ekonomisë si një gjetje e Greqisë për të ruajtur pozitën ekonomike në Ballkan.

Frymëzimi për nisma të përbashkëta në energji (si ajo e linjës Jon-Adriatik të përmendur nga kryeministri grek) e ka burimin te projekti tashmë i miratuar TAP.

“Një marrëdhënie e vjetër, shpeshherë e mirë, por nganjëherë edhe e komplikuar”, e ka quajtur ministri i Energjisë Damian Gjiknuri marrëdhënien tonë me fqinjin grek. Por, sipas tij, gjetjet nuk mungojnë. “Nuk gjej më mirë sesa sektori i energjisë, një dritare të re për bashkëpunimin tonë, pasi si dy fqinjë të vjetër kanë një nevojë të përbashkët: atë që quhet energji”. Sipas Gjiknurit, energjia është sfidë e përbashkët e të dyja vendeve. Shqipëria mund të mësojë nga përvoja greke, sipas tij, e madje të krijojë mundësi për sipërmarrjet që punojnë atje. “Vendi ynë është një lojtar i ri në fushën e energjisë, me burime të shumta, por jo shumë mirë të shfrytëzuara. Ne duhet të ftojmë aktorët që kanë hyrë edhe në Greqi, qoftë edhe ata që janë jashtë hapësirës europiane siç është kompania SOCAR e Azerbajxhanit, për të parë mundësitë e shtrirjes në Shqipëri”, theksoi Gjiknuri.

Por, planet greke për energjinë shkojnë edhe më tej. Gjatë vizitës në Shqipëri, kryeministri grek Karolo Papulias përmendi mundësinë e realizimit të projektit të gazsjellësit të Adriatikut dhe të Jonit, i cili shtrihet deri në Kroaci. Një projekt i madh në dukje, por i pamundur, pas realizimit të një projekti të madh ndërkombëtar si TAP.

 

Gjiknuri: Sektori i energjisë është një dritare re për bashkëpunimin tonë, pasi dy fqinjë të vjetër kanë një nevojë të përbashkët: atë që quhet energji

 

Si shihet ekonomia greke në “sytë” e të tjerëve

Recesioni financiar do të zbresë gjatë vitit 2014 në 4% nga 6.4%, sipas parashikimeve financiare të siguruara nga Komisioni Europian, të publikuara në Bruksel javën e kaluar.

Olli Rehn, komisioneri europian për ekonominë dhe çështjet financiare prezantoi formalisht parashikimet e ashtuquajtura të vjeshtës ekonomike. “Ka shenja në rritje që ekonomia europiane ka arritur në një pikë kthese, por është shumë herët për të deklaruar fitore”, thotë Rehn. Ai theksoi se një çështje kyçe është fakti se “papunësia ka mbetur në nivele të larta të papranueshme”. Sipas parashikimeve, papunësia në Greqi po arrin 27% në 2013 dhe pritet të zbresë në 24% në 2015-n. Në Bashkimin Europian papunësia pritet të jetë 11.1%, ndërsa vitin e ardhshëm do të zbresë lehtësisht në 11%.

Për tregun helen, zhvillimet në eksport dhe rritja e të ardhurave nga turizmi pritet të kontribuojë gradualisht në rimëkëmbjen e Eurozonës.

Ministrja greke e Turizmit, Olga Kefalogianni, është shprehur për mediat ndërkombëtare, se sektori i turizmit në Greqi pritet të rritet me 10% në 2014-n dhe do të ndihmojë në rimëkëmbjen e ekonomisë greke. Për këtë, sipas saj, do të ndihmojë edhe ulja e TVSH-së për pije e produkte ushqimore.

 

Të besh biznes në Greqi në 2014-n

Raporti i Bankës Botërore “Të bësh biznes 2014”, e rendit Greqinë në vendin e 72-të mes 189 vendeve të vrojtuara. Krahasuar me një vit më parë, ajo ka zbritur në renditje me 6 vende.

Nga dhjetë parametrat ekonomikë që mat ky raport, në katër prej tyre është përkeqësuar, e po në kaq tregues ka shënuar përmirësim. Hapat më të rëndësishëm janë bërë në fillimin e biznesit, pasi Greqia renditet në vendin e 30. Një vit më parë ishte e 147-a. Edhe për mbrojtjen e investitorëve, Greqia ka bërë reforma vitin e fundit. Por në të njëjtën kohë, janë bërë hapa mbrapa në respektimin e kontratave dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of