Pas kërkesës së Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial që lidhjet e reja në rrjetin e energjisë të bëhen duke kërkuar edhe vërtetim pranë tij, Enti Rregullator i Energjisë ka bërë ndryshimet në rregulloren përkatëse duke shtuar edhe këtë kusht.
Në një vendim të miratuar nga Bordi i ERE nënvizohet se tashmë për lidhjet e reja në rrjetin e shpërndarjes do të kërkohet përveç të tjerash edhe vërtetimi i regjistrimit pranë ISHTI-t përpara vënies në shfrytëzim (dhënies së tensionit) vërtetuar me dokumentin përkatës. Po kështu deklaratë instalimi dhe protokoll tokëzimi, i lëshuar nga inxhinier.
Ndryshimet vijnë pas një kërkesë të Inspektoratit i cili ka nën monitorim tregje si karburantet, gazin dhe energjinë sa u takon instalimeve dhe respektimit të standardeve duke kërkuar që subjekteve të reja që lidhen në rrjetin e shpërndarjes t’iu kërkohet dokumentacion shtesë. Konkretisht bëhej fjalë për dokumentin që lëshohet nga Inspektorati duke garantuar kështu që instalimet janë bërë sipas parashikimeve ligjore. ISHTI bazonte këtë kërkesë në kuadrin ligjor të miratuar ndër vite ku janë disa vendime qeverie të vitit 2016 dhe 2020 ku nënvizohen rregullat teknike që duhet të zbatohen.
“Këto rregulla teknike kanë marrë fuqi ligjore të detyrueshme për zbatimin nga ana e operatorëve ekonomikë dhe përdoruesve që veprojnë në treg. Në veçanti pa përjashtuar kërkesat teknike dhe standardet që kanë vendosur të detyrueshëm për zbatim, kërkohet që përpara vënies në shfrytëzim të instalimit/ linjës/ impiantit elektrik të cilat nuk janë në pronësi të kompanive të transmetimit dhe ose shpërndarjes, pronari/ personi përgjegjës duhet ta regjistrojë atë pranë inspektoratit përgjegjës kërkesë kjo e ligjit 10489 datë 15.12.2011”Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e produkteve jo ushqimore”. Regjistrimi kryhet mbi bazën kërkesës që bëjnë subjektet që kanë detyrimin për të bërë regjistrimin. Mosregjistrimi nga ana e subjekteve përbën shkelje të dënueshme me masë administrative nga ligji dhe çon në shmangien e detyrimeve ligjore të sigurisë elektrike”, thuhej në shkresën e ISHTI.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.