Lidhjet e reja në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike duhet të plotësojnë një sërë kushtesh që Enti Rregullator i Energjisë i ka përcaktuara në rregulloret e tij.
Por së fundmi Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial i cili ka nën monitorim tregje si karburantet, gazin dhe energjinë sa u takon instalimeve dhe respektimit të standardeve ka kërkuar që subjekteve të reja që lidhen në rrjetin e shpërndarjes t’iu kërkohet dokumentacion shtesë. Konkretisht bëhet fjalë për dokumentin që lëshohet nga Inspektorati duke garantuar kështu që instalimet janë bërë sipas parashikimeve ligjore. Në një dokument dërguar ERE, Inspektorati sjell në vëmendje kuadrin ligjor të miratuar ndër vite ku janë disa vendime qeverie të vitit 2016 dhe 2020 ku nënvizohen rregullat teknike që duhet të zbatohen.
“Këto rregulla teknike kanë marrë fuqi ligjore të detyrueshme për zbatimin nga ana e operatorëve ekonomikë dhe përdoruesve që veprojnë në treg. Në veçanti pa përjashtuar kërkesat teknike dhe standardet që kanë vendosur të detyrueshëm për zbatim, kërkohet që përpara vënies në shfrytëzim të instalimit/ linjës/ impiantit elektrik të cilat nuk janë në pronësi të kompanive të transmetimit dhe ose shpërndarjes, pronari/ personi përgjegjës duhet ta regjistrojë atë pranë inspektoratit përgjegjës kërkesë kjo e ligjit 10489 datë 15.12.2011”Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e produkteve jo ushqimore”. Regjistrimi kryhet mbi bazën kërkesës që bëjnë subjektet që kanë detyrimin për të bërë regjistrimin. Mosregjistrimi nga ana e subjekteve përbën shkelje të dënueshme me masë administrative nga ligji dhe çon në shmangien e detyrimeve ligjore të sigurisë elektrike” thuhet në shkresën e ISHTI.
Në këtë kuadër është kërkuar që ERE në rregulloren për lidhjet e reja në sistemin e shpërndarjes të trajtojë detyrimin e subjektit për të bërë regjistrimin si kusht ligjor përpara vënies në shfrytëzim (dhënies tension)vërtetuar me dokumentin përkatës lëshuar nga ISHTI.
Po kështu në të njëjtën rregullore në pjesën e dytë të saj ku renditet dokumentacioni, Inspektorati propozon që të shtohet si kërkesë projekti elektrik si detyrim ligjor. Pra çdo instalim elektrik duhet të ketë projektin përkatës, çdo montim apo rikonstruksion në instalimet elektrike bëhet me projekt. /N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.