Qeveria ka nxjerrë për konsultim një projekligj që lidhet me prokurimet. Referuar relacionit rezulton që projekti të sjellë një sërë risish që ligji aktual nuk i parashikon duke nisur nga kontrtat e përziera tek paraqitja e sigurimit të ofertës e deri tek modifikimet e kontratave. Këto ndryshime sipas relacionit janë bërë në funksion të përafrimit të legjilacionit me direktivat e BE-së si dhe duke marrë parasysh rekomandime nga insiucione të tilla si Komisioni Europian, Banka Botërore, OECD/SIGMA, si dhe rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si rezultat i problematikave të ndryshme të hasura në praktikë gjatë procesit të prokurimit apo edhe kërkesave për ndryshime nga institucione te ndryshme, sipas fushave respektive të kompetencës.
Por cilat janë risitë që sjell projektligji? Së pari bëhet qartësim i fushës së zbatimit të ligjit, përjashtimet specifike dhe kontrata të përziera të prokurimit. Po kështu parashikimi për herë të parë i konceptit të kontratave të rezervuara dhe kontratave ndërmjet subjekteve brenda sektorit publik;
Drafti sjell parashikim të njoftimeve paraprake dhe periodike te informacionit, si mjete qe rrisin transparencën, dhe i japin mundësi operatorëve ekonomikë të njihen kohë më parë me të dhënat e një objekti konkret prokurimi të planifikuar. Gjithashtu draftligji përcakton kufij të ulët dhe të lartë monetar, ku për të gjitha procedurat mbi kufirin e lartë monetar ruhen parashikimet e direktivës, ndërkohë që parashikohen afate më të shkurtuara për procedurat nën këtë kufij, pra për procedurat kombëtare;
Një tjetër element është parashikimi i procedurave të prokurimit, sipas Direktivave përkatëse të BE, duke parashikuar procedura të reja prokurimi, me faza, siç janë: Procedura Konkuruese me Negocim, Dialogu Konkurrues dhe Partneriteti për Inovacion;
“Procedura më të thjeshtuara në prokurimin e veprimtarive të sektorit sektoral. Draft ligji trajton në tërësinë e tij, si prokurimin e sektorit klasik, ashtu edhe atij sektoral, me përcaktime në nenet që vlejnë për të dy sektorët, si dhe një kre të posaçëm, me rregullime specifike për sektorin sektoral (i cili, përfshin veprimtari që kanë të bëjnë me shërbimet e transportit, ujit, energjisë, gazit, shërbimet postare, portet dhe aeroportet);
Lehtësimi i pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik, nëpërmjet përdorimit të Formularit Përmbledhës të Vetdeklarimit, në vend të disa vërtetimeve të lëshuara nga autoritetet publike ose palë të treta;
Parashikimi i përdorimit të kriterit për vlerësim “oferta ekonomikisht më e favorshme”, e cila identifikohet në bazë të çmimit dhe kostos, duke përdorur metodën e efektivitetit të kostos;
Paraqitja e Sigurimit të Ofertës, si një masë mbrojtëse për autoritetet kontraktore, në rast të tërheqjes së ofertuesit. Në referim të parashikimeve në Direktivë, draftligji njeh për herë të parë, konceptin e reduktimit të numrit të operatorëve ekonomikë të kualifikuar, në procedurat me faza, nëse një gjë e tillë përcaktohet si mundësi nga autoriteti kontraktor që në dokumentat e tenderit. Ulja e afatit minimal të periudhës së përjashtimit të operatorëve ekonomikë nga e drejta për të fituar kontrata publike, duke filluar nga 3 muaj” vijnë si të tjera risi.
I njëjti sjell rritje të rolit kontrollues të APP, në drejtim të verifikimit të zbatimit të ligjshmërisë në procedurat e prokurimit, përfshi ato të anuluara, dhe monitorimit të zbatimit te kontratave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.