Muaji dhjetor i këtij viti dhe janari i vitit të ardhëm mund ta gjejë Kosovën me protesta e greva në sistemin arsimor, kështu po thotë kryetari i Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Rrahman Jasharaj.
Kurse, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar miratimin e Ligjit të Pagave, duke thënë se institucionet po i rrezikojnë qytetarët.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se janë në hall të madh dhe se kanë frikë që arsimi në vend të kthehet në një situatë të pakëndshme.
Në tryezën e AAK-së për pagat në sektorin publik, Jasharaj tha se janë të detyruar të thërrasin veprime sindikale nëse Qeveria dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nuk i takojnë.
“SBASHK-u duke u gjendur në situatë të pakëndshme, ka paralajmëruar veprime sindikale. I kemi drejtuar letër subjekteve politike shqiptare që janë brenda Kuvendit. Jemi në hall të madh, padashjen tonë frikësohem që arsimi dhe shëndetësia do të kthehet në një situatë tepër të pakëndshme. Qeveria Kurti ka muaj që ka ardhur po nuk i ka hapur dyert e dialogut”, deklaroi ai.
I pari i SBASHK-ut theksoi se muaji janar i 2022-s do ta gjejë vendin me protesta e greva, nëse Qeveria e ministri Murati nuk i takojnë krerët e kësaj sindikate.
“SBASHK-u mund ta kuptojë pak kryeministrin Kurtin se ndoshta ka detyra tjera, por s’ka mundësi të kuptojë ministrin Murati i cili ka harruar se është edhe ministër i Punëve dhe Mirëqenies Sociale. Ne jemi në presion më të madh të anëtarësisë ,ata po kërkojnë çfarë me ligjin e pagave”, tha tutje.
Jasharaj potencoi se nëse nga vendi largohen mësimëdhënësit për shkak të pagave, do të mbesin vetëm “më të dobëtit” dhe ikja do të bëhet edhe nga mësimdhënësit që punojnë në institucione private.
“Mos i drejtoni shigjetat nga ne, nëse s’ka përgjigje nga Qeveria do të gjendemi në greva e protesta. Më 4 dhjetor me protesta, me 18 me të tjera, janari do të na gjej me greva”.
Kurse, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi miratimin e ligjit të pagave, duke thënë se institucionet po i rrezikojnë qytetarët.
“Nëse ne nuk e përcjellim trendin e rritjes lineare që është një mandat 4 vjeçar mbi 20% fuqizojmë këtë ligj tani ne jemi ka e rrezikojmë krejt sektorit publik në Kosovë. Institucionet nuk po e rrezikojnë vetëm administratën, ose vetëm arsimin e shëndetësinë, por po e rrezikojnë direkt qytetarin, për shkak se ai është përfitues i këtyre shërbimeve”.
Ai tha se me gjendjen aktuale do të ketë varfërim të sektorit privat dhe kualitet më të dobët në shërbim
“Problemi ka me qenë që me kalimin e kohës jo vetëm që do të varfërohen këta që janë në sektor publik, sepse janë rritur çmimet e po ndodh rritja e kostos së jetës, por problemi do të jetë shumë më i madh, pra përpos demotivimit, kjo do të jep kualitet më të dobët në shërbim, pra cilido shërbim do të bie në cilësi”.
“Por, jo vetëm kaq, do ta humbim kuadrin, cilido kuadër i nivelit të mirë do ta ketë problem ta vazhdoi besnikërinë e vet ose përcaktimin e tij me qenë shërbyes publik për shkak të ofertës në treg ose për shkak të ofertës që i japin edhe palët e tjera, si rasti i vendeve të BE-së e i ekonomive të tjera. Sipas meje është mjaftë e nevojshme që ta sjellim në parlament Ligjin e Pagave menjëherë, duke mos u vonuar, pra mos ta pengojmë ne këtë ligj në asnjë mënyrë, t’ia fillojë me kohë, të ketë planifikim buxhetor për vitin që vjen, të ndodh pastaj edhe rritja lineare, ajo ka qenë praktik dhe duhet vazhduar”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.