Në fillim të këtij viti, në Shqipëri hyri në fuqi ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, që reflekton direktivën e dytë europiane të pagesave (PSD 2). Koncepti më novator që solli direktiva PSD 2 dhe që reflektohet edhe në ligjin shqiptar është ai i open banking (bankingut të hapur).
Ligji i ri do t’iu japë të drejtë institucioneve financiare jo banka të licencuara të kenë akses në informacionet bankare të klientëve të tyre. Bankat do të jenë të detyruara të japin akses në këto të dhëna, me aprovimin e titullarit të llogarisë dhe vetëm për qëllime të transaksioneve të pagesave. Mbështetur në konceptin e mësipërm, do të krijohen dy shërbime të reja, ai i informacionit mbi llogaritë dhe i inicimit të pagesave. Aktualisht, individët mund t’i aksesojnë llogaritë e tyre bankare vetëm përmes platformave të bankave përkatëse. Me ligjin e ri, individët dhe bizneset do të kenë mundësi që t’i aksesojnë të gjitha llogaritë e tyre në banka të ndryshme përmes një platforme të vetme dhe gjithëpërfshirëse, që mund të ofrohet nga institucionet financiare që do të licencohen për këtë qëllim. Edhe inicimi i pagesave mund të bëhet nga një platformë e vetme, nëpërmjet të cilës klienti mund të kryejë pagesa nga llogari që mund të ndodhen në banka të ndryshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.