Miratimi i ligjit të ri të Metrologjisë do të sjellë rregulla të reja në treg, si dhe do të jetë edhe në mbrojtje të konsumatorit.
Metrologjia është studimi i matjes që vërteton dhe verifikon standardet e produkteve të para paketuara si në shishe dhe enë matëse.
“Nëpërmjet këtij projektligji dhe këtij produkti, ne garantojmë mbrojtjen e konsumatorit në treg, në shërbime të cilat ju ofrohen nëpërmjet operatorëve ekonomikë. Në ekonomitë e zhvilluara , sistemi i metrologjisë është një prej komponentëve kyç të infrastrukturës së çdo shteti”, deklaroi ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj.
“Ky ligji i ri sjell disa risi në garantimin e qarkullimit të lirë të instrumenteve në treg, ku ndër më kryesoret më lejoni të evidentoj 2:
- Unifikon kërkesat dhe procedurat e vlerësimit të konformitetit gjatë kontrollit metrologjik të instrumenteve/pajisjeve matëse, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, shëndetin publik, mjedisin, sigurisë teknike dhe shmangien e barrierave teknike në tregti;
- Zgjeron infrastrukturën e nevojshme laboratorike, për të siguruar gjurmueshmërinë e matjes që nevojitet nga industria dhe ekonomia e vendit, kundrejt kërkesave të organizmave evropiane dhe ndërkombëtarë.
Komisioni i veprimtarisë prodhuese ka bërë dy parashikime të ndryshme nga versioni i propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe unë do të ndaloj pak këtu për të shprehur me argumente pse Ministria e Financave është kundër këtyre dy propozimeve të cilat janë aprovuar në komision.
- Së pari, detyrimet që të gjithë instrumentet matës, ligjërisht të kontrolluar të jenë inteligjentë(smart), duke vendosur afate deri në 2023 për importimin e instrumenteve dhe në vitin 2028 për vendosjen në treg. Siç e thashë, qëndrimi i Ministrisë së Financave është kundër pasi kufizimi për produktet me markim “CE” për të qenë vetëm inteligjent (“smart”) siç është parashikuar në këtë projektligj, mund të sjellë: kosto të shtuara për bizneset dhe kjo kosto mund të reflektohet edhe tek vetë qytetarët.
- Objektivi i fushës së meteorologjisë është saktësia e matjeve dhe jo transmetimi i të dhënave. Nëpërmjet leximit në distancë nuk mund të kontrollohet performanca teknike e instrumentit matës, kjo realizohet vetëm nëpërmjet verifikimit dhe kalibrimit. Ky propozim nuk është i aplikueshëm për shumë instrumente matëse të cilat përdoren në marrëdhënie tregtar-konsumator apo vetë tregtarët për përdorimin e brendshëm për të dhëna të cilat janë konfidenciale. Gjithashtu, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka propozuar vendosjen e një pragu lidhur me problematikat e vërejtura në treg, aktualisht 5%, ku nëse kalohet ky prag, atëherë do të kemi një dyfishim të verifikimeve që padyshim do të shoqërohen me kostot përkatëse. Aktualisht verifikimi periodik i instrumenteve matëse, ligjërisht të kontrolluara kryhet dy herë në vit duke iu referuar dhe Organizatës Ndërkombëtare të OEML në lidhje me frekuencat e verifikimit, ku Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë është anëtare me të drejta të plota.
Projektligji “Për Metrologjinë” është pjesë e objektivave të përcaktuara në Strategjinë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjen e Tregut 2016 – 2020.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.