Intervistë me Ledia Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë vlerëson se ligji i ri “Për shërbimet e pagesave” do të nxisë konkurrencën, eficiencën dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të pagesave në Shqipëri. Në një intervistë për revistën “Monitor”, Ledia Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave,
Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, shpjegon se në mënyrë të tërthortë, shërbimet e parashikuara nga ligji i ri do t’i shërbejnë edhe nxitjes së tregtisë elektronike. Sipas saj, bazuar në përvojën e vendeve të Bashkimit Europian, kostot e ofrimit të shërbimit të tregtisë elektronike, një objektiv me interes në nivel kombëtar, vlerësohet se do të reduktohen ndjeshëm.
Zonja Bregu thotë se interesi nga institucionet financiare për t’u licencuar për shërbimet e parashikuara nga ligji i ri është i lartë. Banka e Shqipërisë po punon për hartimin e të gjitha akteve të nevojshme nënligjore brenda këtij viti, gjë që do t’i hapë rrugë edhe nisjes së licencimeve për këto shërbime.
Që nga fillimi i janarit ka hyrë në fuqi ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”. Cilat janë risitë kryesore që parashikon ligji dhe çfarë ndikimi prisni të ketë ligji në tregun e pagesave?
Miratimi i ligjit “Për shërbimet e pagesave” shënoi një nga arritjet e vitit 2020 dhe konsiderohet si një hap thelbësor në përmbushjen e Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023) kryefjala e së cilës është përfshirja financiare dhe përdorimi i pagesave elektronike.
Zbatimi në praktikë i ligjit pritet të reformojë tregun e pagesave me vlerë të vogël në të gjitha aspektet e funksionimit të tij. Fillimisht, nëpërmjet prezantimit të aktorëve dhe shërbimeve të reja, e më tej, duke nxitur konkurrencën në tregun e pagesave (kryesisht atyre elektronike) falë ridimensionimit të veprimtarisë aktuale të institucioneve financiare jobanka që ofrojnë shërbime pagesash dhe transfertash.
Besimi ynë se do të ndikohet konkurrenca e për rrjedhojë, efikasiteti i tregut, mbështetet në faktin se ligji i ri krijon një ambient të balancuar midis bankave dhe jo bankave, duke i vënë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme për të vepruar në mënyrë të barabartë me bankat në fushën e shërbimeve të pagesave dhe kryesisht atyre në formë elektronike.
Për më tepër, prezantimi i dy veprimtarive inovative, ajo e inicimit të shërbimit të pagesës dhe ajo e informimit mbi llogarinë, përtej promovimit të inovacionit nxisin konkurrencën e mëtejshme. Ofrimi i këtyre shërbimeve nga të ashtuquajturat kompani fintech, nxisin përdorimin e tregtisë elektronike.
E thënë më thjesht, shërbimi i inicimit të pagesës nga Institucionet e Pagesave, do t’i mundësojë individit që përdor shërbimet e homebanking të mund të kryejë pagesa direkte nga llogaria e tij për blerjet online, ndërkohë nga pikëpamja e bizneseve që ofrojnë blerje online priten përfitime në drejtim të reduktimit të kostos për ofrimin e tregtisë elektronike. Bazuar në përvojën e vendeve të Bashkimit Europian e më gjerë, kostot e ofrimit të shërbimit të tregtisë elektronike, një objektiv ky me interes në nivel kombëtar, vlerësohet se do të reduktohen ndjeshëm.
Nga ana tjetër, shërbimet e informimit të llogarisë u mundësojnë konsumatorëve dhe bizneseve të kenë një pamje gjithëpërfshirëse mbi gjendjen e tyre financiare, për shembull, duke u mundësuar konsumatorëve të konsolidojnë llogaritë e ndryshme rrjedhëse që mund të kenë me një ose më shumë banka dhe të kategorizojnë shpenzimet e tyre sipas tipologjive të ndryshme (ushqim, energji, qira, kohë të lirë etj.), duke i ndihmuar në buxhetimin dhe planifikimin financiar.
Zhvillimi dhe promovimi i këtyre shërbimeve të reja në tregun shqiptar, ka qenë edhe një nga arsyet që Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash për të stimuluar përdorminin e shërbimeve homebanking nëpërmjet politikave lehtësuese të komisioneve të aplikuara nga bankat për klientët e tyre.
Në mbështetje të këtyre dy veprimtarive inovative, ligji operacionalizon konceptin e bankës së hapur (open banking) ku institucioni, i cili ka llogaritë e klientit u ofron informacion në mënyrë të mirëkontrolluar dy ofruesve të shërbimeve të lartpërmendura. Çështje të tjera me rëndësi të rregulluara nga ky ligj janë dhe krijimi i një kuadri të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit, duke krijuar kushte si për transparencën ashtu edhe për të drejtat dhe detyrimet e palëve.
Për më shumë, ligji parashikon edhe ngritjen e një njësie të posaçme për adresimin e mosmarrëveshjeve jashtë gjykate, që vlerësohet të ketë ndikim të ndjeshëm në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit. Krijimi i një kuadri prudent për mbrojtjen e konsumatorit bëhet edhe më domethënës në kushtet e një tregu me edukim dhe përfshirje financiare të limituar.
A ka interes nga biznesi për ofrimin e shërbimeve të reja të parashikuara nga ligji i ri për shërbimet e pagesave? Keni pasur deri tani aplikime ose licencime të kompanive për shërbimet e reja?
Gjatë periudhës së hartimit dhe miratimit të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, interesi nga aktorë të ndryshëm ka qenë i lartë, i cili vijon të jetë edhe sot nga institucione të ndryshme që janë afruar për të nisur rrugën e licencimit.
Banka e Shqipërisë është ende në proces hartimi të akteve nënligjore në zbatim të ligjit, mbi bazën e të cilave, institucionet e reja mund të aplikojnë, ndaj një panoramë më të qartë të përkthimit të interesit në angazhim konkret licencimi do ta kemi me miratimin e akteve të para në zbatim të Ligjit që mbështet procedurën e licencimit të Institucioneve të Pagesave.
Kur do të jenë gati aktet nënligjore në zbatim të ligjit? Cilat janë rregullimet më të rëndësishme nënligjore të nevojshme?
Sipas parashikimeve të ligjit, Banka e Shqipërisë duhet të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore në zbatim të ligjit 12 muaj nga hyrja në fuqi e tij, duke nënkuptuar që miratimi i akteve duhet të ketë përfunduar deri në fillim të muajit janar 2022. Banka e Shqipërisë, që prej muajit nëntor 2020, ka krijuar një grup pune për hartimin e akteve nënligjore në zbatim. Grupi i punës, në procesin e hartimit të këtyre akteve, po asistohet nga Banka Botërore ashtu si dhe gjatë hartimit të ligjit.
Me qëllim lehtësimin e procesit të kësaj periudhe tranzitore për tregun, është hartuar një plan veprimi, i cili përcakton prioritetet e akteve në varësi të rëndësisë që ato kanë për zbatimin e ligjit nga subjektet, sipas afateve të përcaktuar në ligj. Në këtë linjë, prioritet përbëjnë rregulloret, të cilat lidhen me procesin e licencimit dhe ose /regjistrimit të subjekteve, si dhe aktet rregullative në lidhje me specifikimet teknike të zhvillimeve të Application Programming Interface (API) dhe Autentifikimin e Thelluar të Klientit që mbështesin zbatimin e konceptit Open Banking.
Me ligjin e ri, a mund të kenë institucionet financiare të shërbimeve të pagesave akses në sistemet e pagesave që administrohen nga Banka e Shqipërisë? Nëse po, në ç’formë?
Sikurse përmendëm më parë, ligji synon të krijojë një ambient të balancuar për ofrimin e shërbimeve të pagesave nga aktorë të ndryshëm. Në këtë kuadër, ligji parashikon dhe dispozita të cilat synojnë të garantojnë qasjen e institucioneve të pagesave në sistemet e pagesave.
Në mënyrë specifike, neni 29 i ligjit, trajton pikërisht pjesëmarrjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave në sistemet e pagesave. Dispozita e ligjit parashikon parimet themelore të cilat duhen respektuar në krijimin e rregullave për anëtarësimin e këtyre ofruesve në sistemet e pagesave, duke parashikuar krijimin e kushteve jodiskriminuese dhe proporcionale për hyrjen në sistemet e pagesave, të personave juridikë, të licencuar ose të regjistruar.
Megjithatë, duke marrë në konsideratë rëndësinë që kanë sistemet e pagesave me rëndësi sistemike për stabilitetin financiar dhe atë ekonomik, Bashkimi Europian ka krijuar një regjim prudencial për mbrojtjen e këtyre sistemeve, i ashtuquajturi parimi i finalitetit të shlyerjes, i transpozuar në legjislacionin shqiptar nëpërmjet ligjit “Për sistemet e pagesave”.
Në këto kushte, ashtu si edhe vetë direktiva PSD 2, ligji “Për shërbimet e pagesave” parashikon që kushtet e qasjes në sistemet e pagesave të cilat mbrohen nga finaliteti i shlyerjes të mos jenë detyruese dhe në asnjë rast të mos ekspozojnë sistemin ndaj pjesëmarrësve të cilët mund të mbartin rrezik të shtuar (rreziku i shlyerjes, rreziku operacional, rreziku i biznesit) dhe të sigurojnë mbrojtjen e stabilitetit financiar dhe operacional të sistemit të pagesave.
Megjithatë, projektligji krijon hapësira për një pjesëmarrje të tërthortë nëpërmjet një pjesëmarrësi të drejtpërdrejtë (ku si rregull janë bankat) duke parashikuar dhe hapësira për ankimim në rast të një refuzimi të padrejtë për pjesëmarrje të tërthortë.
Ashtu si mund të evidentohet, ligji parashikon dispozita rregulluese në nivel parimor. Banka e Shqipërisë, me qëllim akomodimin e nevojave konkrete të tregut në muajin qershor 2020 miratoi rregulloret e reja të sistemit AIPS dhe AECH. Këto rishikime, ndër të tjera akomoduan dhe zgjerimin e pjesëmarrjes në sistemin sistemin AECH me institucionet financiare jo banka dhe krijimin e kërkesave të mirëpërcaktuara për pjesëmarrjen e tërthortë në të dy këto sisteme, duke synuar aderimin e rreziqeve të mbartura nga këto ndërlidhje.
Zgjerimi i pjesëmarrjes së institucioneve financiare jo banka, të cilat ofrojnë shërbime pagesash dhe paraje elektronike, synon të nxisë ndërveprimin midis këtyre institucioneve dhe bankave, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve sa më efikase nga këto institucione, të cilat vlerësohet se adresojnë shërbime kryesisht për ato kategori të popullsisë që nuk kanë qasje bankare.
Shqipëria është ekonomi me përdorim shumë të lartë të parasë cash. Pse ndodh kjo dhe si mund të nxitet përdorimi i formave alternative të pagesave?
Banka e Shqipërisë, me synim reformimin e tregut dhe hartimin e një strategjie dhe më konkretisht “Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël” ka ndërmarrë një sërë analizash dhe studimesh me qëllim identifikimin e boshllëqeve dhe nevojave për ndërhyrje. Rezultatet e këtyre analizave dhe studimeve diktojnë se arsyet për përdorimin ende të ulët të pagesave që nuk kryhen me para fizike në Shqipëri variojnë dhe janë shumëdimensionale.
Më kryesoret mund të përmendim se ndikim në këtë drejtim kanë: numri i ulët i personave madhorë që kanë një llogari, forma e produkteve të pagesave të disponueshme në vend, infrastruktura e limituar në shërbim të pranimit të pagesave elektronike, niveli i ulët i kulturës financiare dhe informaliteti në ekonomi e në tregun e punës.
Në këtë kontekst, vlerësojmë se adresimi i kësaj situate mund të ndryshohet me krijimin e një tregu e pagesash me vlerë të vogël, i cili mund t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë më shumë mundësi zgjedhjeje të alternativave të ndryshme, për të kryer transaksionet e tyre të përditshme, në mënyrë të lehtë dhe me kosto efektive, duke mbështetur objektivin e një përfshirjeje më të gjerë financiare.
Përmbushja e planit të veprimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël, nëpërmjet plotësimeve dhe përmirësimeve ligjore e rregullative, zhvillimeve infrastrukturore, edukimin financiar dhe bashkërendimit të përpjekjeve ndërinstitucionale do të përmirësojnë ndjeshëm situatën e evidentuar.
Sa e ka ndikuar pandemia përdorimin e pagesave elektronike nga publiku shqiptar?
Bazuar në të dhënat që ne disponojmë evidentohet se gjatë vitit 2020, pagesat elektronike kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Analizimi i pagesave sipas instrumenteve tregojnë se deri në fund të vitit 2020, është reflektuar një rritje e vazhdueshme e pagesave të iniciuara nga klientët me kartë, si dhe pagesa me para elektronike e njëkohësisht edhe e pagesave home-banking.
Rritjen kryesore gjatë kësaj periudhe e kanë shënuar pagesat me kartë duke zënë peshën kryesore prej 50.11% ndaj totalit (në numër) të pagesave të kryera me instrumente pagesash. Rritja e konsiderueshme e këtyre pagesave, ka bërë që pagesat me kartë të tejkalojnë për herë të parë transfertat e kreditit në formë letër, një nga format më tradicionale të përdorura në tregun shqiptar.
Në terma absolute, numri dhe vlera e pagesave me kartë është rritur ndjeshëm në fund të vitit 2020 me rreth 36.82%, ndërsa vlera e tyre është rritur për 44.51%, krahasuar me fundin e vitit 2019. Vlen të theksohet se një peshë të konsiderueshme të pagesave me kartë, rreth 50% e zënë pagesat në internet, duke diktuar, nga njëra anë, familjarizimin dhe aftësimin e përdoruesve të kartave dhe nga ana tjetër, nevojën e shtuar për zhvillime të mëtejshme në këtë drejtim, i cili aktualisht, pavarësisht ecurisë pozitive në vitin 2020, mbetet ende në faza fillestare të zhvillimit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikim pozitiv në këtë drejtim, do të ketë padyshim dhe zbatimi i Ligjit 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”.
Rritje gjatë 2020 është evidentuar edhe në pagesat e kryera nëpërmjet shërbimeve “home banking”, përkatësisht prej 13.69% e volumit dhe një rritje e lehtë e vlerës së këtyre transaksioneve prej 8.84%, krahasuar me një vit më parë. Kontribut kryesor në këtë rritje vlerësohet të ketë sjellë nënkategoria mobile banking, ku numri i pagesave të kryera përmes shërbimit mobile banking arriti në 1.2 milionë transaksione dhe krahasuar me vitin e mëparshëm paraqet një rritje të ndjeshme prej 65.79%, ndërsa vlera e tyre arriti në 149 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 54.14%.
Rritja e pagesave të iniciuar nëpërmjet këtyre shërbimeve vlerësohet se reflektojnë dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë, në kuadër të promovimit të këtyre mënyrave alternative të pagesave, nëpërmjet rregullimit të komisioneve të aplikuara për këto shërbime. Ne vlerësojmë se këto masa janë reflektuar në shtimin e llogarive të aksesueshme në distancë me rreth 32.64% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Edhe pagesat me para elektronike kanë reflektuar një rritje të ndjeshme krahasuar me totalin e vitit 2019, por gjithsesi vëllimi i këtyre pagesave mbetet në nivele të ulëta (0.04% ndaj totalit të të gjithë pagesave për vitin 2020). Numri i pagesave me para elektronike në vitin 2020 është rritur për rreth 37.42%, ndërsa vlera është rritur për 68.59% krahasuar me fundin e vitit 2019.
Në çfarë faze janë projektet e tjera, pjesë e strategjisë për zhvillimin e pagesave me vlerë të vogël, si shlyerja kombëtare e transfertave në euro, instant payments apo sistemi kombëtar i card switch?
Në lidhje me zhvillimet infrastrukturore, gjithashtu gjatë kësaj periudhe është shënuar progres. Veçanërisht ka avancuar projekti i shlyerjes së pagesave kombëtare në euro, i cili po vijon punën në drejtim të zhvillimit të sistemeve të përfshira në këtë projekt, për të cilat parashikohet të testohen, implementohen e vihen në zbatim brenda vitit 2021.
Projekti infrastrukturor i Instant payment dhe Switch-it kombëtar janë përfshirë në planin e veprimit të strategjisë, si projekt ku është e nevojshme të vlerësohet krijimi/përdorimi i infrastrukturave në varësi të përfitimeve të tregut dhe mundësive për krijimin e tyre.
Për sa i përket Instant payment, Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2019, përqendroi përpjekjet e saj në analizimin e mundësive në përdorimin e faciliteteteve të infrastrukturës TIPS të krijuara nga Banka Qendrore Europiane (BQE) për të ofruar shërbimet e instant payment në tregun shqiptar.
Mundësia e një zhvillimi të tillë do të ishte mjaft efektive për tregun shqiptar, si nga pikëpamja e kostove për investime, ashtu edhe në kuadër të krijimit të një shërbimi me standarde europiane që do të ndihmonte ndërveprimin në të ardhmen me vendet e tjera të Bashkimit Europian në faza më të avancuara të integrimit. Megjithatë, aktualisht një opsion i tillë vlerësohet i pazbatueshëm për shkak të vendimit (BQE) në nëntor të vitit 2019 për të shtyrë zgjerimin e pjesëmarrjes së vendeve jashtë Bashkimit Europian në sistemin TIPS.
Në vijim të këtij zhvillimi, Banka e Shqipërisë e mbështetur edhe nga Banka Botërore, ka vijuar punën për hartimin e studimit të fizibiliteitit të këtij projekti, duke eksploruar të gjitha mundësitë e krijimit të një platforme të tillë në nivel kombëtar. Gjatë vitit është realizuar vrojtim/analizë pranë bankave, me qëllim evidentimin e situatës aktuale të tregut dhe nevojave për ndërhyrje. Gjithashtu, po në këtë kuadër po finalizohet edhe një raport “ALBANIA: A Review of Implementation Options for Fast Payment System”, i cili do të shërbejë për finalizimin e studimit të fizibilitetit.
Në lidhje me Switch-in Kombëtar, Banka e Shqipërisë ka hartuar deri tani një analizë mbi rëndësinë, përfitimet e mundshme, avantazhet e dizavantazhet sipas mundësive të krijimit/operimit nga aktorë të ndryshëm, si dhe ka zhvilluar takime e prezantime për të nxitur zhvillime të mundshme në këtë drejtim nga ana e tregut.
Të gjitha këto zhvillime e diskutimi i ecurisë së tyre për vitet e ardhshme ishin pjesë e axhendës së Mbledhjes VI të Komitetit Kombëtar të Sistemeve të Pagesave, ku të gjithë aktorët e fushës së pagesave bashkëpunojnë për zhvillimin e tregut dhe përgatiten për mirëpritjen e zhvillimeve të reja.
Intervistoi: Ersuin Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.