Ligji i ri për mbrojtjen civile krijohet kaos në administrimin e situatës me tërmetet

27/11/2019 11:03 PM 0 komente

Para pak muajsh ky hyrë në fuqi një ligj i ri për Mbrojtjen civile, po vonesat në plotësimin e kuadrit ligjor me akte dhe VKM kanë krijuar një situatë konfuze në administrimin e situatës (një VKM për organizimin dhe funksionimin  e Agjnecisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile u publikua me urgjencë në mbrëmjen e të mërkurës).

Ligji i ri njeh funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes civile, një strukture e re. Ligji i ri gjithashtu e detyron qeverinë që të miratojë planin kombëtar për emergjencat civile dhe të nxjerrë së paku edhe tre VKM që të rregullojnë procesin.

Si pasojë edhe e kësaj situate, tërmeti i datës 26 nëntor me gjithë dëmet që krijoi, i gjeti të shkrehura strukturat e shtetit që duhet të koordinojnë këto situata. Kanë kaluar dy dite nga ngjarja dhe nuk ka ende asnjë raportim zyrtar për situatën.

Ish drejtori i shtabit të emergjencave civile, Shemsi Premçi tha për Monitor se qeveria nuk tregoi minimumin e seriozitetit për administrimin  e situatës.

Vullnetarët nuk po dinë ku të dorëzojnë ndihmat dhe qindra persona që kanë dhuruar strehë dhe nuk dinë si të lidhen me nevojtarët.

Premçi tha se aksionet e kërkim shpëtimit ditën e parë u bënë nga policia dhe jo profesionistët. Persona me kostum e kollare dhe pistoleta në brez në krye të aksionit të shpëtimit ishin shfaqja e paaftësisë së emergjencës.

Premçi tha se sido që të jetë fatkeqësia shteti nuk kapet në befasi, pasi strukturat e emergjencës janë të përgatitura për këtë ditë dhe planet operacionale janë gati.

Eksperti tha se nuk do të kishte kaq jetë të humbura nëse në krye të aksionit do të kishte profesionistë.

Edhe pse nga tërmeti i 21 shtatorit duhet të kishte shërbyer si leksion,  qeveria jo vetëm që nuk mori masa por neglizhenca u bë shkak për humbje jetësh.

Pallati në Thumanë ishte bërë i pabanueshëm nga tërmeti i 21 shtatorit, por banorët u rifutën sërish brenda me forcë nga policia, pohuan të afërt me familjen Cara, e cila u shua tërësisht.

Nje banor në Lezhë tha se pallati është bërë i pabanueshëm nga tërmeti i fundit, por pronari i pallatit po riparon suvatë për të shmangur përgjegjësitë, për shkak se pallati është brenda garancisë.

Banorët u shprehen të frikësuar pasi çarjet janë të thella dhe se jeta e tyre është e rrezikuar seriozisht.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of