Intervistë me Stela Shkodrani, Drejtore e Përgjithshme e VeloxPay, institucion i parasë elektronike
Disa prej institucioneve të parasë elektronike po operojnë tashmë me teknika të identifikimit dhe firmës në distancë, duke e dixhitalizuar plotësisht marrëdhënien me klientin dhe duke shmangur nevojën për praninë e tij fizike.
Stela Shkodrani, Drejtore e Përgjithshme e VeloxPay, thotë për “Monitor” se identifikimi dhe nënshkrimi në distancë kryhet nëpërmjet ofruesve të këtij shërbimi nё vendet e Bashkimit Europian, pa pasur nevojë që klienti të paraqitet fizikisht në njё sportel.
Procesi kryhet nёpёrmjet shkarkimit tё aplikacionit nё telefonin celular dhe duke ndjekur hapat e instruktuar pёr dhёnien e tё dhёnave, ngarkimin e mjetit identifikues tё vlefshёm, e deri nё skaninim e të dhënave biometrike të klientit, pёr t’i verifikuar nëse ato përputhen me dokumentin e identitetit.
Një nga sugjerimet kryesore të institucioneve të parasë elektronike lidhur me projektligjin e ri “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara” është që ofruesit e këtyre shërbimeve në vendet e Bashkimit Europian të lejohen të operojnë në Shqipëri, pa qenë nevoja për të ndjekur një proces të plotë regjistrimi ligjor, që do të përfshinte regjistrimin tatimor, vlerësimin e posaçëm teknik të konformitetit, ofrimin e garancive financiare, apo përmbushjen e kushteve të tjera, që parashikohen në projektligj për ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar.
Cilat janë pengesat kryesore ligjore për të mundësuar ofrimin e plotë të shërbimeve financiare në distancë, pa praninë fizike të klientit?
Nëse në vitin 2015, kur u prezantuan konceptet e para legjislative të mënyrës së operimit të një Institucioni të Parasë Elektronike, filluan punë vetëm dy ente të tilla, tashmë në vitet e fundit janë 9 Institucione që disponojnë një licencë të tillë në tregun shqiptar.
Duke ndjekur implementimin e Direktivës së Dytë të Sistemit të Pagesave (PSD2), shumë institucione në Shqipëri, dhe në veçanti Institucionet e Parasë Elektronike, kanë tentuar gjithnjë e më tepër të ofrojnë shërbime në kohë reale, të shpejta e të sigurta në distancë, pa pasur nevojën e pranisë fizike, përfshirë këtu edhe momentin e parë, që në hapjen e llogarisë së klientit.
Konkretisht, këto institucione janë të parat që luftojnë në bazë ditore për të mundësuar ofrimin e shërbimit financiar, pa prani fizike të klientit duke lëvizur gjithnjë e më tepër drejt dixhitalizimit dhe lehtësimit të jetës së konsumatorit, por që gjatë këtij rrugëtimi, hasin pengesa të ndryshme ligjore.
Pengesa parësore qëndron se në Shqipëri nuk ka ende një kuadër plotësisht funksional e lehtësisht të zbatueshëm ligjor për identifikimin dhe nënshkrimin elektronik të klientit.
Aktualisht pritet të dalin në zbatim disa ndryshime në ligjin “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave e Kundër Financimit të Terrorizmit” për njohjen e identifikimit pa prani fizike të klientit në momentin e hapjes dhe aktivizimit të llogarisë, si dhe pritet miratimi i projektligjit “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”.
Jo vetëm miratimi i tyre, por edhe implementimi i saktë i tyre në praktikë, përfshirë këtu ofrimin e shërbimit të identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara nga ente me zgjedhje të avancuara teknologjike, përbën një nga sfidat kryesore në ofrimin e shërbimeve financiare në distancë, pa praninë fizike të klientit.
Sektori financiar, së fundmi, ka eksploruar zgjidhje për të mundësuar ofrimin e shërbimeve financiare pa praninë e klientit. Cilat janë rrugët që janë përdorur dhe si e vlerësoni përvojën e deritanishme në këtë drejtim?
Aktualisht në Shqipëri, Institucionet e Parasё Elektronike, si dhe disa prej bankave tё nivelit tё dytё, e aplikojnë identifikimin dhe nënshkrimin në distancë, nëpërmjet ofruesve të këtij shërbimi nё vendet e Bashkimit Europian, pa pasur nevojë që klienti të paraqitet fizikisht në njё sportel.
Procesi kryhet lehtёsisht nёpёrmjet shkarkimit tё aplikacionit nё telefonin celular dhe duke ndjekur hapat e instruktuar pёr dhёnien e tё dhёnave, ngarkimin e mjetit identifikues tё vlefshёm, e deri nё skaninim e të dhënave biometrike të klientit, pёr t’i verifikuar nëse ato përputhen me dokumentin e identitetit.
Kur identiteti konfirmohet dhe klienti pranon kushtet dhe afatet e shёrbimit, klienti regjistrohet me njё llogari me institucionin financiar dhe mё tej mund tё kryejё çdo shёrbim tё ofruar nga ky institucion. Ky proces vlerёsohet maksimalisht nё kuadёr tё përvojës sё klientit, pasi ёshtё i shpejtё, i lehtё dhe komod.
Cilat janë risitë kryesore që sjell projektligji “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, në perspektivën e lehtësimit të ofrimit të produkteve dhe shërbimeve financiare në distancë?
Projektligji i ri “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara” pritet të zgjidhë një pjesë të konsiderueshme të pengesave të hasura në ofrimin e shërbimeve të plota të identifikimit dhe të firmosjes elektronike.
Risia kryesore që ky projektligj sjell është njohja e identifikimit fillestar në distancë siç specifikohet edhe në Nenin 8 të këtij Projektligji: “identifikimi fillestar në distancё i kryer me metoda të tjera të identifikimit, që garantojnë siguri ekuivalente ndaj pranisë fizike të konfirmuar nga një Organizëm i Testimit dhe Konfirmimit, sipas standardeve europiane, për këtë fushë”.
Por, ky projektligj, nё versionin i cili aktualisht është në proces rishikimi të komenteve të ngritura nga lojtarët e tregut shqiptar, të cilët preken direkt nga ky Ligj, ka krijuar disa paqartësi.
Cilat janë vërejtjet tuaja kryesore rreth projektligjit dhe në cilat drejtime mendoni se drafti mund të përmirësohet?
Deri nё datёn 10 janar 2023, tё gjithё subjektet e prekura nga projektligji patёn mundёsinё tё dёrgojnё komentet e tyre mbi ndryshimet e propozuara. Institucionet e Parasё Elektronike, si dhe Bankat e Nivelit tё Dytё, luajtёn rol tepёr aktiv nё ngritjen e disa pikave pёr sqarime e propozimeve pёr ndryshime, tё shprehura jo vetёm nё letër, por edhe nё takime direkt me Autoritetin propozues tё ndryshimeve.
Bazuar nё përvojën e çdo Institucioni Paraje Elektronike, apo edhe tё disa prej Bankave tё Nivelit tё Dytё, sugjerimi parёsor i tё gjithёve ёshtё traspozimi i plotё i projektligjit sipas Direktivës Numër 910/2014 të Bashkimit Europian, ku tё merren pёr bazё edhe standardet e operimit tё BE mbi metodat dhe specifikimet teknike pёr ofrimin e identifikimit elektronik dhe shërbimeve tё besuara.
Gjithashtu, kemi sugjeruar që edhe ofruesit e këtyre shërbimeve në vendet e Bashkimit Europian të lejohen të operojnë në Shqipëri, pas një procesi regjistrimi në shtetin tone, por jo rilicencimi.
Kjo garanton edhe ruajtjen e standardeve të BE-së, por edhe shmang bllokimin e operimit në mungesë të operatorëve të licencuar, apo me zgjidhje teknike të përshtatshme vendase, duke qenë para faktit se Institucionet e Parasë Elektronike, si dhe disa prej Bankave, tashmë operojnë me operatorë të tillë.
Aktualisht jemi në pritje të draftit përfundimtar, duke shpresuar në marrjen parasysh të sugjerimeve, fakt që do të nxiste dhe lehtësonte së tepërmi punën tonë drejt dixhitalizimit dhe shmangies së radhëve, shkresave e pranisë fizike të klientit të shërbimeve financiare në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.