Sindikata e Doganës ka paralajmëruar se çdo devijim për të mos zbatuar Ligjin për Paga do të jetë i papranueshëm për ta.
70 për qind e punëtorëve në sektorin publik në Kosovë, ku prej muajsh pritet që të marrin pagat me rritje, por disa ditë para ekzekutimit të tyre, Avokati i Popullit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Ky veprim ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi të shumta, veçmas te sindikatat që mbrojnë të drejtat e punëtorëve.
Tri sindikata; ajo e shëndetësisë, e arsimit dhe policisë kanë paralajmëruar edhe greva për këtë çështje, vendim ky që erdhi pas takimit me Albin Kurtin, i vetmi që iu kundërpërgjigj thirrjes së tyre.
Sot këtyre tri sindikatave iu ka bashkangjitur edhe ajo e Doganës.
Përmes një komunikate për media, Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës thotë se përkrah çdo ligj të favorshëm dhe i cili ndikon drejtpërdrejtë në ngritjen dhe ruajtjen e mirëqenies sociale të punonjësve.
“Referuar ligjit në fjalë Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës – SPDK konsideron se ligji i pagave i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe votuar nga shumica e deputeteve të Parlamentit të Republikës së Kosovës gëzon përkrahjen e shumicës së të punësuarve në institucionet Republikës së Kosovës. Andaj mbi bazën e kësaj Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës përkrah dhe kërkon zbatimin e Ligjit të Pagave ashtu siç është, pasi që i njëjti mund të plotësohet nëse janë bërë lëshime teknike gjatë procesit”.
Sipas tyre, çdo devijim nga moszbatim i “Ligjit për Paga” për Sindikatën e Pavarur të Doganës së Kosovës do të jetë i pa pranueshëm.
Dje, drejtues të sindikatave të Shëndetësisë, të Policisë dhe të Arsimit janë takuar me kryetarin e Vetëvendosjes, njëherësh pretendentin për kryeministër Albin Kurti.
Tre drejtuesit sindikalistë thanë se pas dërgimit në Kushtetuese të Ligjit për Paga, gjendja është alarmante, teksa nuk i mohuan grevat e përgjithshme.
Ata i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që të marrë vendim të drejtë dhe mos të pezullojë Ligjin për Paga, por vetën të bëhen ndryshime në ata sektor ku ka pakënaqësi.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se për të gjitha veprimet që do t’i ndërmarrin do të vendosen nga Këshilli Drejtues i SBAShK-ut.
Ai ka thënë se ka frikë se kjo javë do të jetë edhe java kur do të ndodhin veprimet e para sindikale.
“Jam tepër i sigurt nga ajo që po komunikoj me kolegët e mi nëpër komuna dhe në universitete do të marrin veprim që të fillohet me veprime sindikale, çfarë do të jenë ato nuk mund të flas, pra nuk mund të preudikoj ngase është vendim i tyre dhe unë po them e imja është që vendimin e Këshillit Drejtues dhe të kryetarëve do ta zbatoj. Unë kam frikë se në këtë javë nëse ka lëvizje negative se kjo javë do të shënoj edhe veprimet e para sindikale. Nga situata dhe nga ajo çka kam parë dhe nga zhgënjimi te punëtorët e arsimit kamë frike se në këtë javë mund të ketë veprime të para sindikale, nëse Gjykata e pezullon”.
Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik.
Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro./Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.