Ligji për paga,  Kontrolli ajror sërish në grevë

20/05/2019 11:24 AM 0 komente

Në Kosovë kundërshtimet për Ligjin e pagave po vazhdojnë edhe pas miratimit të tij në Kuvend. Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës ka paralajmëruar se do të futet sërish në grevë. Përmes një njoftimi për media kjo sindikatë ka njoftuar se do të hyjë në grevë pasi nuk janë përmbushur kërkesat e tyre. Ligji i pagave është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt të këtij viti.

 

Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës (SINKON), ka vendosur të hyjë në grevë sërish për shkak të mos zbatimit të marrëveshjes së mirëkuptimit të nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

SINKON thotë se më datë 27 maj do ta mbajë grevë paralajmëruese në kohëzgjatje prej një ore, konkretisht nga ora 08:00 deri në ora 09:00. Ndërsa më datën 28 maj, greva do zgjasë prej orës 08:00 deri në ora 16:00.

Sipas kësaj shoqate, miratimi i ligjit të pagave kishte shkaktuar pakënaqësi të mëdha te kontrollorët e trafikut ajror dhe kishte rezultuar me mbajtje të grevës në muajin shkurt.

Shoqata ka sqaruar se gjatë kësaj kohe si rrjedhojë e mirëkuptimit të ndërsjellë mes Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit me datë 22 shkurt, ishte nënshkruar një memorandum i mirëkuptimit me qëllim që me bashkëpunim në mes të MIT dhe SINKON të rregullohet statusi ekonomiko-financiar për kontrollorët e trafikut ajror përmes amandamentimit të Ligjit të ASHNA-së ose përmes zbatimit të Marrëveshjes Kolektive Sektoriale(MKS).

“Në kohën e hartimit të MoU, shprehja e vullnetit pozitiv për të adresuar pakënaqësitë e Kontrollorëve të Trafikut Ajror në lidhje me Ligjin e Pagave gjatë takimeve me ministrin Pal Lekaj ishte shpresëdhënëse se gjërat më në fund po shkonin në drejtimin e duhur. Sot më 20.04.2019 janë bërë 86 ditë që nga data e nënshkrimit të MOU në mes të MIT dhe SINKON. Përkundër insistimeve te SINKON për takim me MIT si dhe kërkesave për zbatim të marrëveshjes në afat kohor të përcaktuar, SINKON nuk ka marrë përgjigje konkrete apo zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit”.

“ Për t’i dhënë hapësirë krerëve të institucioneve, respektivisht Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, anëtarësia e SINKON njëzëri vendosi që të shpallë grevë paralajmëruese në kohëzgjatje prej një ore më datë 27.05.2019 (prej orës 08:00 deri në ora 09:00). Ndërsa më datën 28.05.2019, greva do zgjasë prej orës 08:00 deri në ora 16:00. Duke qenë se Ligji për Greva në nenin 17 njeh kontrollin e trafikut ajror si shërbim jetik, gjatë kohëzgjatjes së grevës, kontrollorët do të sigurojnë minimumin e procesit të punës duke i ofruar shërbime të trafikut ajror fluturimeve ushtarake, shtetërore dhe ambulantore në Kosovë”.

SINKON ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të reflektojnë dhe i ftojnë përsëri në zhvillim të dialogut social, përndryshe masat sindikale do të përshkallëzohen si përgjigje ndaj pasigurisë në punë që është duke u krijuar për arsyeje të mos zbatimit të marrëveshjes së mirëkuptimit.

Ligji i pagave është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, kurse në zyrën e Presidentit ka arritur më 12 shkurt, por gjatë hartimit u ndryshua disa herë, pasi u shtuan pakënaqësitë sociale, nga punonjës në sektorë të ndryshëm publikë, të cilët kërkonin rritjen e koeficientit, përkatësisht rritjen e pagave.

Pas miratimit të këtij ligji, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli patën deklaruar se me miratimin e këtij ligji janë respektuar standardet më të mira, duke vlerësuar meritat e secilës kategori që paguhet nga buxheti i shtetit. Ky ligj, u tha se siguronte rritje të pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik.

Por, Ligji për pagat, pas miratimit është kundërshtuar nga shërbyesit civilë të Kosovës, kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, Sindikata e Korporatës Energjetike e Kosovës, Sindikata e punëtorëve në Shërbimin Korrektues, Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë në Kosovë (KOSTT), po ashtu edhe nga mësimdhënësit e ciklit të ulët.

Kurse për 14 ditë më radhë, para miratimit të ligjit, mësimdhënësit e të gjitha niveleve kanë mbajtur grevë, duke kërkuar rritjen e koeficientit të pagës për 30 për qind, rrjedhimisht rritjen e pagave.

Ndryshe, udhëheqës të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë shprehur shqetësimin se Ligji i pagave nuk do të ketë ndonjë ndikim buxhetor gjatë këtij viti, megjithatë sipas tyre, 2020, do të jetë pothuajse e pamundur që ndarja buxhetore për paga të jetë në përputhje me kufizimet sipas rregullit. /Monitor.al/.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of