Prej muajit dhjetor të këtij viti pritet të fillojë të zbatohet Ligji për Pagat në Kosovë, e deri më tani janë bërë dhjetëra ankesa nga sindikata e grupe të caktuara, të cilat kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij ligji. Njëra nga sindikatat më të mëdha të punëtorëve ka paralajmëruar edhe protesta nëse zbatohet ligji në fjalë. Sot do të merret edhe vendimi për për fillimin e protestave dhe grevave.
Udhëheqja e Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës sot në zyrat e BSPK–së në ora 14:00 mban takim me kryetarë të disa shoqatave ku do merret vendim për fillimin e protestave dhe grevave për punëtorët e sektorit privat.
Kërkesat e tyre janë rritja e pagave dhe zbatimi i ligjit të punës, marrëveshjes kolektive etj.
Ditë më parë, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kishte mbajtur një takim ku ishte biseduar për kushtet e rënda të punëtorëve të këtij sektori.
Në atë takim u theksua se ka ende punëtorë që paguhen ende me pagë 130 dhe 170 euro. Ata kërkojnë kushte më të mira të punës dhe paga mbi 350 euro.
Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së re të Korporatës Energjetike të Kosovës ka thwnw treguar se kanw bërë edhe ankesë tek Avokati i Popullit për këtë çështje.
“Ne kemi bërë ankesë tek Avokati i Popullit për arsye se është edhe cenim i ekonomisë së tregut të lirë dhe ne e konsiderojmë shumë të dëmshëm këtë Ligjin për Paga, sidomos për Korporatën Energjetike të Kosovës duke u bazuar në kushtet e vështira të punëtorëve. Në anën tjetër Qeveria e Kosovës punëmarrësit i paguan me buxhetin e Qeverisë me koeficient prej 1 deri në 10 kurse ne që i japim deri në 30 milionë euro në vit Buxhetit të Kosovës, i japim paga edhe atyre, e kemi koeficientin prej 1 deri në 7. Kjo përveç tjerash edhe diskriminim njerëzor”.
Llumnica nuk ka përjashtuar mundësinë që të në ardhmen të mbajnë edhe protesta e greva, si hapa në kundërshtim të këtij ligji.
Ndërkohë institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se deri më tani ka pranuar 19 ankesa të natyrave të ndryshme për Ligjin për Pagat, si nga sindikatat ashtu edhe nga grupe të ndryshme ankuesish.
“Avokati i Popullit deri më tani ka pranuar nëntëmbëdhjetë (19) ankesa lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, jo vetëm nga sindikatat, por nga grupe ankuesish të ndryshëm, të cilët konsiderojnë se Ligji për Pagat ndikon negativisht në interesat e tyre. Ankesat e paraqitura tek Avokati i Popullit janë të ndryshme, varësisht nga pozita dhe institucionet që kanë paraqitur ankesë, përmes të cilave shfaqen pakënaqësinë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik”.
Ky institucion ka bërë të ditur se për këto ankesa nuk mund t’i drejtohen Kushtetueses më herët se 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.
“Ligji Nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2019. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Avokati i Popullit mund të ngritë çështjen e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën brenda afatit prej gjashtë (6) muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit. Afati ligjor për ngritjen e çështjes në fjalë fillon të rrjedhë nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat”, thuhet në përgjigje.
Kurse duke folur për këtë ligj, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se shpreson që ligji të respektohet e mos të ketë rritje të pagave jashtë parametrave të rritjes ekonomike.
“Shpresoj që ai ligj do të respektohet e të mos lejohet rritje e pagave jashtë parametrave të rritjes ekonomike. Mendoj se nuk do të duhej të kishte rritje të vazhdueshme të pagave në sektorin publik për shkak se në raport me sektorin privat është krijuar ai hendeku dhe ajo konkurrenca e padrejtë e cila nuk shkon pastaj në dobi të një rritje ekonomike afatgjatë”.
Ndryshe, ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.
Sipas afateve të parapara në Ligj, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje.
“Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij Ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të Buxhetit”, thuhet në nenin 23 të Ligjit, i cili përcakton vlerën e koeficientit dhe fondet për shtesa./Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.