Parlamenti ka shtyrë afatin e rritjes progresive të vlerës minimale të dëmeve, në variantin përfundimtar të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Sipas ligjit të ri, prej 1 korrikut 2021 kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në aksident do të rritet në 22 milionë lekë, nga 20 milionë lekë që është aktualisht. Projektligji i paraqitur nga Ministria e Financave parashikonte që ky kufi të rritej me dy milionë lekë çdo vit për periudhën 2021-2025.
Por, duke qenë se miratimi i ligjit u bë me vonesë krahasuar me afatet e parashikuara nga qeveria, rritja progresive e limitit të përgjegjësive do të fillojë nga 1 janari 2022. Në periudhën 2022-2026 ky limit do të rritet me dy milionë lekë çdo vit, duke arritur në nivelin final prej 30 milionë lekësh në vitin 2025.
Të njëjtën shtrirje do të ketë edhe rritja e kufijve të përgjegjësive për çdo ngjarje sigurimi. Projektligji kishte parashikuar që këto përgjegjësi të rriteshin me katër milionë lekë çdo vit për periudhën 2021-2025, ndërsa në ligjin e miratuar ky interval shtyhet në periudhën 2022-2026.
Sipas ligjit të ri, kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo mjet do të jetë 55 milionë lekë, ndërsa në rastin e autobusëve ky kufi do të jetë 150 milionë lekë. Gjatë katër viteve të ardhshme, ky kufi do të rritet gjithsej me 16 milionë lekë.
Ligji i ri parashikon për herë të parë mundësinë e aplikimit të sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshme të mjeteve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ndryshe nga sa kishte propozuar fillimisht AMF, sistemi bonus malus nuk do të jetë i detyrueshëm dhe aplikimi i tij në projektligj parashikohet si e drejtë e kompanive të sigurimit. Sistemi bonus-malus mbështetet në përcaktimin e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit.
Ky sistem nënkupton se drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë dëme mund të paguajnë prim sigurimi më të lartë, ndërsa ata drejtues që nuk shkaktojnë dëme prim më të ulët. Sistemi gjithashtu mund të përmbajë edhe elementë të tjerë rreziku, të përcaktuara nga vetë kompanitë.
Ligji i ri u miratua së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë dhe pritet të hyjë në fuqi në 1 korrik të këtij viti. Megjithatë, ai ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.