Zgjidhja e të ashtuquajturit “problem i TPL”, sipas ekspertëve është relativisht e thjeshtë. Kërkohet vullnet politik në zbatimin e ligjeve, konkurrencë e lirë, dëmshpërblim në kohën dhe vlerën e duhur, kontroll nga AMF, si organ i caktuar nga ligji. Pjesa tjetër, sipas ekspertëve, janë çështjet teknike (si llogaritja e primit apo Bonus-Malus). Ata thonë se rasti i fundit, kur shoqëritë e sigurimit nuk e pyesin AMF-në dhe nuk zbatojnë një urdhër të saj përbën një kulm në një marrëdhënie, ku shteti është i “pafuqishëm” ndaj “biznesit”. Sipas tyre, argumentimi se një nga shkaqet e rritjes së tarifave erdhi për shkak të rritjes së taksës nuk qëndron, pasi ajo u vendos kur u hoq TVSH-ja
Nga Elona Bedalli
Në datë 24 gusht, tarifat e sigurimit të detyrueshëm TPL u rritën me rreth 25% në krahasim me ato të zbatuara deri në muajin korrik të këtij viti. Një lëvizje e pritshme? Ndoshta. Shoqëritë e sigurimit kishin qëndruar ‘urtë’ dhe nuk kishin reaguar pas rritjes së taksës kombëtare për sigurimet që në janar të këtij viti u rrit me 7% (nga 3% u bë 10%). Në një intervistë për “Monitor”, drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare pati argumentuar se: “Për sa i takon ndikimit, që taksa e rritur në 10% mund të ketë në çmimet e sigurimit, kjo do të varet tërësisht nga politika që ndjek secila shoqëri sigurimi nëse taksa e re pasqyrohet në çmimin e sigurimit. Përgjithësisht, në ekonominë shqiptare, ndryshimet në rritje të ngarkesës fiskale kanë tentuar të përfshihen të plota në çmimet e produkteve dhe të shërbimeve, pra t’i ngarkohen konsumatorit. Përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm veprimi nuk bëjnë as produktet financiare, dhe konkretisht të sigurimeve”.
E në fakt, rritja e taksës ishte një nga argumentet që shoqëritë e sigurimeve përdorën për të paraqitur si të domosdoshme ndryshimet e tarifave. Argumente të tjera kishin të bënin me rritjen e shpenzimeve, shtimin e numrit të aksidenteve etj.
Por, shoqëritë nuk e kishin njoftuar mbikëqyrësin për këtë lëvizje të beftë, sikundër është detyrimi.
Në njoftimin për shtyp, AMF u shpreh se: “Tarifat e sigurimit të detyrueshëm janë të liberalizuara, duke i dhënë të drejtën shoqërive të sigurimit t’i përcaktojnë vetë ato, sipas kushteve të tregut. Bazuar në kuadrin ligjor e rregullativ, AMF nuk miraton çmimet e sigurimit, por miraton rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm, si dhe nivelin e provigjoneve teknike, që përfaqësojnë përgjegjësitë aktuale dhe të pritshme që rrjedhin nga kontratat e sigurimit”.
Madje mbikëqyrësi bëri edhe një përllogaritje sipas së cilës rritja mesatare e primit të sigurimit për kategoritë e automjeteve (duke konsideruar edhe taksën mbi primin e shkruar ishte në vlerën 20%).
Megjithatë nuk kaloi shumë dhe AMF i nisi një letër secilës prej shoqërive që operon në tregun e Jo-Jetës duke i kërkuar që të riktheheshin te tarifat e vjetra, duke qenë se nuk kishin depozituar përllogaritjet aktuariale që do të justifikonin motivet e ndryshimit të çmimeve.
Ligjërisht kompanitë duhet t’i ishin bindur menjëherë urdhrit të AMF-së, por kjo nuk ndodhi dhe policat e sigurimit të detyrueshëm u shitën në bazë të tarifave të reja.
Nga ana tjetër, edhe Autoriteti i Konkurrencës është duke monitoruar tregun dhe në bazë të informacionit që do të mbledhë Komisioni do të vendosë nëse do të fillojë apo jo procesi i hetimit.
Për të gjithë aktorët, kjo nuk është gjë tjetër veçse një “deja vu” që përsëritet shpesh, të paktën që nga viti 2011, kur ndodhi liberalizimi i tregut. Problematika është po ajo, sjellja e aktorëve gati–gati e njëjtë, tarifa që vendosen ‘on block’, ndarje tregu, vendime gjykatash që hedhin poshtë penalitetet etj.
Zbatimi i sistemit Bonus–Malus (vendosja e vlerës së sigurimit të lidhur me cilësinë e shoferin dhe aksidentet e ndodhura) do të ishte zgjidhja e vetme që tregu më në fund të ishte efikas, konkurrues dhe në shërbim të konsumatorit, i cili, duke qenë në fund të zinxhirit, duhet të mbartë gjithmonë kostot.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.