Pas më shumë se një viti punë, ekspertët francezë ndihmuan administratën tatimore për të hartuar nga e para një ligj për TVSH-në, me koncepte krejt të reja, ashtu si e kërkon BE-ja
Ishte hartuar në vitin 1995 dhe me ndryshimin e tregut dhe zhvillimin e tij e kishte hasur praktikisht në situata absurde të mostrajtimit si duhet të rasteve.
Ligji për TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) kishte shumë mangësi, duke nisur nga shërbimet, faturimi elektronik, tatimi për mallrat e përdorur etj.,
të cilat nuk i trajtonin rastet, duke detyruar administratën tatimore të nxirrte shkresa, udhëzime apo urdhra të posaçme, duke iu përmbajtur direktivave të Bashkimit Europian.
“Ishte pothuajse e pamundur të punohej, pasi nuk i trajtonte të gjitha llojet e aktiviteteve apo shërbimeve.
Tashmë në të i gjen të gjitha sqarimet”, thotë eksperti i fushës së TVSH, Artur Papajani. Ishin francezët që u afruan të parët, që më pas u shpallën fitues të projektit (në garë me spanjollët), të financuar nga BE, me vlerë 2 milionë euro.
Tashmë drafti ka përfunduar dhe “Monitor” disponon një kopje, i cili pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Tatimor, ku janë anëtarë disa përfaqësues nga sektorë të ndryshëm të biznesit.
Edhe pse drafti ka përfunduar, mendohet që zbatimi i tij do të realizohet në fund të këtij viti, pasi ministri i Financave ka kërkuar që më parë të njihen të gjitha grupet e interesit.
Nuk përjashtohet mundësia e zbatimit të ndryshimeve pjesë-pjesë, megjithatë çdo vendim do të merret pas konsultimeve.
Me mbi 150 nene, draftligji konsiderohet një hap përpara drejt BE-së dhe direktivave të saj për taksën e TVSH-së. Pas doganave me ligjin i ri “Për akcizat”, apo Kodit të ri Doganor,
tashmë edhe tatimet po reformojnë sistemin e mbledhjes së TVSH-së. Ajo çfarë konsiderohet si risi ka të bëjë me trajtimin e furnizimit me shërbime, apo me shitjen e mallrave të përdorura, të cilat nuk prekeshin me ligjin e vjetër.
Furnizimi i shërbimit
Me furnizim shërbimesh kuptohet çdo furnizim që nuk është furnizim mallrash, përveç rasteve që në këtë ligj përcaktohet ndryshe. Kështu e nis përcaktimin neni 10 i draftligjit për TVSH,
duke trajtuar për herë të parë një veçori në transaksionet e biznesit dhe individëve.
Kështu, furnizimi i shërbimeve të bëra prej një të punësuari për punëdhënësin e tij për arsye të punësimit nuk është furnizim shërbimi nga i punësuari.
Sikurse me “shërbime telekomunikacioni” do të kuptohet, furnizimi i shërbimeve që lidhen me transmetimin, emetimin apo recepsionin (kapjen, marrjen) e sinjaleve, fjalëve,
imazheve dhe tingujve apo informacione të çdo natyre me anë të aparateve “wire”, radios, etj.
Të tjera furnizime shërbimi konsiderohen kalimi i një pasurie të patrupëzuar (jomateriale), pavarësisht nëse përfaqësohet ose jo me tituj, operacionet mbi aksionet, pjesëmarrjet në shoqëri,
obligacionet dhe tituj të tjerë, të ndryshme nga ato të përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji, si dhe operacionet e ndërtimit, kryerja e procesit të ndërtimit si dhe të mirëmbajtjes.
Furnizimi i shërbimit konsiderohet i kryer kundrejt pagesës, tërësisht ose pjesërisht, nëse furnizuesi direkt a indirekt merr apo ka të drejtë të marrë pagesë në para a në natyrë, për atë furnizim,
si prej personit të furnizuar apo ndonjë personi tjetër. Do të konsiderohet si furnizim shërbimi kundrejt pagesës,
gjithashtu secili nga operacionet, si: a. Përdorimi për qëllime private i mallrave që bëjnë pjesë në pasurinë e ndërmarrjes nga personi i tatueshëm apo stafi i tij,
apo përgjithësisht për qëllime të ndryshme nga ato të veprimtarisë së tij ekonomike,
në qoftë se ka kredituar tërësisht apo pjesërisht TVSH-në në blerje të mallit që përdor.
b.Furnizimi i shërbimeve të kryera pa pagesë nga një person i tatueshëm për nevojat e tij personale apo të stafit të tij, apo përgjithësisht për qëllime të ndryshme nga ato të veprimtarisë së tij ekonomike.
c. Furnizimi i shërbimeve nga një person i tatueshëm për nevoja të ndërmarrjes së vet nëse furnizimi me këtë shërbim prej një personi tjetër të tatueshëm nuk do t’i jepte atij të drejtën e kreditimit tërësor të TVSH-së; dhe
d. Furnizimi i shërbimeve pa pagesë ose kur pagesa është dukshëm më e vogël se ç’duhej të ishte, nëse qëllimi i furnizuesit ka qenë fitimi për këtë dhe furnizime të ngjashme.
Mallrat e përdorur
Konsiderohet një ndër çështjet më të debatuara mes biznesit dhe qeverisë, sidomos sektori i makinave, ai i koncesionarëve. Ky treg, sikurse edhe të tjerët, nuk trajtoheshin fare,
duke shkaktuar amulli në shumë biznese, kurse tani ka pasqyruar rastet sesi do të veprohet, madje dhe me marzhin e fitimit.
Po cili është kuptimi i dhënë në ligjin e ri ‘mall i përdorur’? Në pikën 1 të nenit 29 thuhet se quhen mallra materiale të luajtshme,
që janë të përshtatshme për përdorim të mëtejshëm në gjendjen që janë ose pas riparimit, përveç veprave të artit, objekteve të koleksionit dhe antikitetit.
Në ligj janë vendosur edhe “veprat e artit”, “objekte të koleksionit” dhe “objektet e antikitetit”, sikurse edhe “personat e tatueshëm rishitës”,
i cili është çdo person i tatueshëm që, në kuadër të veprimtarisë së tij ekonomike, me qëllim për të rishitur,
blen, përdor për qëllime të aktivitetit të tij ose importon mallra të përdorura, vepra arti, objekte të koleksionit apo antikiteti,
qoftë për llogari të vetën, qoftë për llogari të të tretëve mbi bazën e një kontrate për të cilën paguan komision për blerjet ose shitjet.
“Organizator i shitjeve në ankand” është personi i tatueshëm, i cili në kuadër të veprimtarisë së tij ekonomike, në emër të tij, por për llogari të porositësit,
nxjerr mallin e porositësit në ankand për t’ia shitur ofertuesit më të mirë.
Regjimi i marzhit aplikohet për furnizimet e kryera nga një person i tatueshëm rishitës i mallrave të përdorura, veprave të artit,
objektet e koleksionit ose të antikitetit, të cilat i janë furnizuar atij brenda territorit të Shqipërisë nga personat që nuk janë të tatueshëm për TVSH-në,
apo person i tatueshëm nëse furnizimi i mallrave që ai kryen përjashtohet nga TVSH (neni 54) ose furnizon mallra për të cilat nuk ka pasur të drejtën e zbritjes së TVSH-së (neni 74).
Vlera e tatueshme
Vlera e tatueshme e furnizimit të mallrave sipas nenit 130 të këtij ligji është marzhi i realizuar nga subjekti, zvogëluar me vlerën e TVSH-së që lidhet me vetë marzhin.
Marzhi i realizuar nga personi i tatueshëm është i barabartë me diferencën ndërmjet çmimit të shitjes të kërkuar nga personi i tatueshëm rishitës dhe çmimit të blerjes.
Për kategori të caktuara të personave të tatueshëm rishitës, vlera e tatueshme për furnizimet e mallrave për të cilat aplikohet e njëjta tarifë TVSH-je,
përbëhet prej marzhit total të realizuar për periudhën për të cilën personi i tatueshëm rishitës detyrohet të paraqesë deklaratë sipas nenit 106 të këtij ligji,
zvogëluar me TVSH-në që lidhet me vetë marzhin total. Marzhi total është diferenca ndërmjet vlerës totale të furnizimeve me vlerën totale të blerjeve të mallrave që i nënshtrohen këtij regjimi,
të kryera gjatë çdo periudhe për të cilën personi i tatueshëm rishitës detyrohet të deklarojë. Nëse gjatë një periudhe, vlera totale e blerjeve është më e madhe se vlera totale e furnizimeve të kryera,
diferenca i shtohet totalit të blerjeve të muajit pasardhës.
Personi i tatueshëm rishitës që zbaton këtë regjim bën një rregullim vjetor si më poshtë:
Nëse diferenca midis vlerës së stokut të datës 31 dhjetor me vlerën e stokut të datës 1 janar të të njëjtit vit është negative, ajo i shtohet blerjeve të kryera në periudhën e parë të vitit pasardhës;
dhe nëse diferenca midis vlerës së stokut të datës 31 dhjetor me vlerën e stokut të datës 1 janar të të njëjtit vit është pozitive, ajo i zbritet blerjeve të kryera në periudhën e parë të vitit pasardhës.
Kryerja e veprimeve rregulluese mbi vlerën e tatueshme nuk sjell përfitim të personit të tatueshëm rishitës, asnjë të drejtë rimbursimi të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që lidhet me ato transaksione.
Faturimi dhe kontabiliteti
Personat e tatueshëm rishitës, të cilët zbatojnë regjimin e marzhit, nuk duhet të llogarisin apo të pasqyrojnë të ndarë vlerën e TVSH-së në faturën e lëshuar.
Në çdo faturë të lëshuar që i nënshtrohet regjimit të marzhit, personi i tatueshëm rishitës duhet të shënojë: Shitje që i nënshtrohet regjimit të marzhit të fitimit.
Për çdo furnizim, për të cilin zbatohet regjimi i marzhit, personi i tatueshëm rishitës mund të zbatojë rregullat për TVSH-në si për çdo person tjetër të tatueshëm.
Në këtë rast personi i tatueshëm rishitës gëzon të drejtën e zbritjes së TVSH-së për mallrat e blera me TVSH.
E drejta e zbritjes lind në momentin në të cilin realizohet shitja e mallit për të cilën personi i tatueshëm rishitës zgjedh opsionin sipas pikës 1 të këtij neni.
Personat e tatueshëm, të cilët kryejnë operacione që lidhen me mallrat e përdorura, veprat e artit, objektet e koleksionit apo të antikitetit duhet të mbajnë në mënyrë të ndarë llogaritë për operacionet e kryera me këto mallra,
sipas regjimeve të ndryshme që zbatojnë.
Faturimi elektronik
Në përjashtim nga pika 2 e nenit 24 të këtij ligji, vendi i furnizimit të shërbimeve të furnizuara elektronikisht një personi të patatueshëm, të detajuara si më poshtë:
– Furnizimi i website, web-hosting, mirëmbajtjes në distancë të programeve dhe pajisjeve
– Furnizimi me software dhe azhurnimi i tyre;
– Furnizimi i imazheve, teksteve dhe informacioneve dhe vlefshmëria e bazës së të dhënave (database)
– Furnizimi me muzikë, filma dhe lojëra, përfshirë lojërat e fatit dhe basteve, si dhe transmetimeve e ngjarjeve politike, kulturore, artistike, sportive, shkencore dhe argëtuese
– Furnizimi i shërbimit të mësimdhënies në distancë
kur furnizohen nga një person i tatueshëm me seli aktiviteti në Shqipëri apo që ka një vendndodhje të qëndrueshme në Shqipëri nga ku furnizohet shërbimi, ose,
në mungesë të një selie apo vendndodhje të qëndrueshme, ka adresën e përhershme apo zakonisht banon në Shqipëri, do të jetë në vendin ku personi i patatueshëm është vendosur, ka adresën ose banon zakonisht.
Kur furnizuesi i shërbimit dhe marrësi i tij komunikojnë përmes postës elektronike, kjo në vetvete nuk do të thotë që shërbimi i furnizuar është një shërbim i furnizuar elektronikisht.
Arkëtimet, rritja më e ulët në 11 vite
Ecuria vitet e fundit ka treguar se taksa e TVSH-së sa vjen dhe redukton ritmin rritës të arkëtimeve.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është taksa që nisi zbatimin për herë të parë në vitin 1996, me shkallë tatimore
12.5 për qind, kurse në vitin 1997 u bë 20 për qind dhe deri atëherë nuk ka lëvizur. Pavarësisht kësaj, taksa që mban peshën kryesore në
totalin e të ardhurave, gati 40 për qind, duket se vitet e fundit ka humbur “shkëlqimin”.
TVSH është taksa që identifikon forcën blerëse në vend, qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve, në njëfarë kuptimi emblema
ekonomike, nga kuptohet edhe niveli i konsumit.
Viti 2011 rezulton negativ për TVSH, me rreth 119 miliardë lekë
arkëtime, kur plani ishte 113 miliardë lekë, pra gati 1 për qind më pak, duke pasur parasysh faktin se buxheti pësoi rishikim me ulje në korrik.
Në raport me vitin 2010, kemi një rritje me 4.6 për qind, nivel ky më i vogli në 11 vitet e fundit, raportuar nga vetë financat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.