Ligjvënësit rumunë miratuan një projektligj për shtyrjen me dy vjet të çdo plani për listimin ose privatizimin e kompanive në pronësi të shtetit, një veprim i cili, sipas analistëve dhe investitorëve, do të pengojë tregjet e kapitalit dhe do të izolojë ekonominë.
Projektligji për mbrojtjen e interesave kombëtare, i paraqitur nga socialdemokratët – me partinë më të madhe në Parlament – vjen në një kohë kur ekonomia po përpiqet të rimëkëmbet pas një bllokimi dymujor me synimin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Sidoqoftë, nuk është e sigurt nëse ai do të bëhet ligj. Kryeministri Ludovic Orban, i cili udhëheq një qeveri të pakicës qendrore, tha se projektligji ishte një çmenduri dhe se Partia Liberale do ta sfidonte atë në Gjykatën Kushtetuese.
Nëse sfida dështon, presidenti mund ta dërgojë projektligjin sërish në Parlament për rishqyrtim, para nënshkrimit të tij.
Me një kapitalizim në tregun e aksioneve prej 9.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2019, Bursa e Bukureshtit renditet ndër më të voglat në Europën Qendrore dhe Lindore dhe ka shumë nevojë për likuiditet, ashtu si edhe fondet e pensioneve private, që janë disa nga investitorët më të mëdhenj institucionalë të Rumanisë.
Shtyrja e shitjeve të aksioneve në ndërmarrjet shtetërore mund të dëmtojë bursën pikërisht në një kohë kur ajo po përgatitet për një azhurnim të FTSE Russell, nga treg “kufitar” në treg “në zhvillim”.
Një ofertë publike fillestare e planifikuar për aksione minoritare në Hidroelectrica, prodhuesi më i madh i energjisë në Rumani, gjithashtu do të vuante nga miratimi i këtij ligji.
Para përhapjes së koronavirusit, kompania kishte synuar të listonte deri në 20% të aksioneve të saj.
Fondi i investimeve Fondul Proprietatea, i cili mban aksione minoritare në ndërmarrjet shtetërore të transportit dhe energjisë, përfshirë Hidroelectrica, dhe mund të përfitojë nga listimet e mundshme, tha se projektligji “do të rrezikonte seriozisht rimëkëmbjen ekonomike të Rumanisë duke penguar zhvillimin e tregut të kapitalit dhe duke shkurajuar investimet e mundshme”.
“Listimet gjithashtu luajnë rol kritik në azhurnimin e mundshëm të Rumanisë në statusin e tregut në zhvillim, i cili rrezikon të shtyhet për një kohë të pacaktuar, çka do të thotë se Rumania do të sabotonte objektivin e vet”, tha fondi në një deklaratë.
Shoqatat e industrisë së analistëve bankarë dhe financiarë gjithashtu e kritikuan projektligjin.