Duket se të rinjtë, të sapodiplomuar ose jo, të gjendur përballë fatit që nga njëra anë, tregu i punës po rrudhet dita-ditës dhe nga ana tjetër, eksperienca u mungon, shohin si një alternativë të mirë kontratat e punës jashtë, ku ato në Emiratet e Bashkuara Arabe po lulëzojnë. Agjencitë: kemi 500 aplikime në javë nga Shqipëria…
Briseida Sinaj, 29 vjeçare, prej një viti jeton e punon në Dubai. Aplikoi për punë, pas një rekomandimi, direkt në një kompani angleze, Chris Garrod, e specializuar në arredimin e brendshëm të hoteleve. Pasi kompania e mori në telefon, realizoi intervistën, dha një provim dhe u punësua si asistente ekzekutive e drejtorit rajonal të Azisë dhe Lindjes së Mesme. Briseida shprehet mjaft e kënaqur me punën e saj, jo vetëm për të ardhurat, që janë disa herë më të larta se ato që merrte në Shqipëri si shefe buxheti, por dhe vlerësimi dhe mundësitë për të ecur në karrierë, pa pasur miq, siç ndodh rëndom në Shqipëri.
Ajo pohon se ka mjaft individë nga Shqipëria, që po vijnë në Dubai në kërkim të një alternative dhe pune më të paguar në atë që po quhet si Amerika e Lindjes dhe që vetëm vitet e fundit është “zbuluar” nga shqiptarët.
Të punësuarit janë nga mjekë e dentistë e deri tek kamarierë. Ata që vijnë përmes agjencive kanë një pagë mesatarisht 1000-1500 USD në muaj, nëse aplikon direkt tek një kompani, ka më shumë shanse për një pagë më të lartë. Është shumë e vështirë të marrësh pashaportë, apo letra qëndrimi, pasi jepen vetëm viza pune.
Moti është i nxehtë dhe tre muajt e verës ka pak kontakte me ajrin direkt; muajt e tjerë janë si vera në Shqipëri. Ndryshe nga perceptimi i krijuar për një vend mysliman, Briseida thotë se në Dubai femrat e huaja nuk janë të detyruara të mbulohen dhe mund të shohësh nga të gjitha. Megjithëse Dubai të jep mundësinë të kesh një jetë luksi, përsëri Shqipëria i mungon…
Agjencitë: Hoteleria ofron më shumë mundësi
Hoteleria duket si mundësia më e mirë për të gjithë të rinjtë që aplikojnë për punësim jashtë vendit dhe ku vendet si Arabia Saudite po joshin me pagat e majme dhe kontratat e leverdishme. Ermal Jauri, nga “Europe Agency”, thotë se pjesa më e madhe e kontratave për jashtë janë në sektorë të hotelerisë, duke filluar nga shërbimet por edhe vende të tjera që kërkojnë profesionalitet më të lartë.
Një kontratë në fushën e hotelerisë, si ndihmës, recepsionist, profesionist i marrëdhënieve me klientët, marketing e deri te menaxher, paga mujore neto nis nga 700 dollarë deri te 4000 për pozicionet e larta.
I pyetur se pse të rinjtë janë të interesuar për vende të tilla, ai përgjigjet se “në kushtet ku në Shqipëri një të sapodiplomuari i kërkohet llogari se pse nuk ka përvojë, jashtë mendësia është ndryshe. Programet e punësimit nuk kërkojnë eksperiencë të veçantë (ndryshe është në vende vakante tejet profesionale), ndaj dhe të rinjtë tërhiqen nga shërbimet në hoteleri, ku dhe pjesa më e madhe e tyre kanë një bazë të mirë anglishteje, por që njëkohësisht trajnohet paraprakisht nga ne si agjenci përpara se të dërgohet jashtë, ku dhe merr një tjetër formim trajnues, para nisjes së punës”,- përfundon Jauri.
Në mënyrë të veçantë, ai shtoi se të rinjtë kërkojnë për mundësi jashtë, të pakënaqur me nivelin e pagave në Shqipëri, si dhe të nxitur nga fakti se një agjenci e kësaj kategorie realizon edhe kontratat me kompanitë jashtë, nuk është thjesht “hapësirë” ekspozimi i vendeve vakante.
Aplikimet në Shqipëri
Sipas statistikave të një agjencie të punësimit “Europa Agency”, në të tria zyrat në rajon (Tiranë, Podgoricë, Prishtinë) bëhen 700-800 aplikime në javë. Nga këto, 500 janë aplikues nga Shqipëria. Ata shtojnë se n.q.s të 500 këta janë të mirë dhe përzgjidhen, të gjithë mund të punësohen, pasi kapaciteti i ofruar është i madh, vendet e lira të punës janë të shumta. Kudo jashtë, por më tepër, sipas tyre në Arabinë Saudite
“Në Tiranë, ne bëjmë minimalisht dy prezantime në javë, pra dy persona të përzgjedhur pas aplikimit për të kryer intervistën online me kompaninë jashtë. Sipas të dhënave, mbi 70% e aplikantëve që përzgjidhen për të kryer intervistën përzgjidhen për vendin e punës dhe vijojnë më tej fazat e punësimit”,- thekson Ermal Jauri.
Pozicionet menaxheriale, ja eksperienca e një shqiptari
Erand Saliaj, punonjës prej vitesh në një ndër bankat kryesore në vend, “përqafon” idenë e të punuarit jashtë, sapo ai shikon një mundësi të artë, nga paga dhe përvoja profesionale. Ai aplikon dhe pasi kalon të gjithë procedurat, përzgjidhet si menaxher financiar i një kompanie të njohur ndërtimi në Dubai dhe nis punë në qershor të këtij viti.
Duke qenë se paga mujore e një pozicioni të tillë prestigjioz përfshin atë të një viti në vendin tonë, pas kalimit të të gjitha etapave, ai vendos të shpërngulet në vendin e nxehtë, së bashku me bashkëshorten e tij, pas fitimit të një kontrate të garantuar 2-vjeçare. Për më tej, ai thotë se ende nuk e di se si do të vijojë, por qëllimi është krijimi i një përvoje shumë të mirë, që Shqipëria nuk e ofron dhe fitime të mira, kundrejt faktit se bazën e jetesës e ke të paguar (banesën, udhëtimin në punë etj).
Vendet vakante më të kërkuara (paga mujore)
Kamerier/e në Lindjen e Mesme, (Dubai, Abu Dhabi, Bahrain, Katar, Oman) – Pagesa: $ 450 – $ 1000 neto/muaj
Infermier/e në Lindjen e Mesme Kuvajt, Bahrejn, Katar, Oman, Arabi Saudite) Pagesa: 1870 $ – 2300 $ neto/muaj
Recepsionist/e Dubai (Rroga 2000 $ në muaj)
Marrëdhënie me klientët (hoteleri), Dubai (Rroga 700 $/muaj)
Shofer Dubai (rroga fillon nga 850 $ neto/muaj)
Air Hostess, Abu Dhabi (rroga fillon 1500 dollarë/muaj)
Parukiere, estetikë, Abu Dhabi (rroga 800$ – 1600$ /muaj)
Edukatore kopështi në Abu Dhabi (rroga 2000 $ në muaj)
Staf servisi makinash, Abu Dhabi (rroga 600 – 1000 $/muaj)
Security Officer, Dubai/Abu Dhabi (rroga fillestare 800 – 1200$/muaj)
Mjek veteriner, Dubai (rroga 4000 $ në muaj)
Mjek i përgjithshëm, Abu Dhabi (rroga fillestare nis me 15 000$/muaj)
Burimi: Website online të Europe Agency, Ande-Lm, Vela Consulting
—————-
Intervistë
Intervistë me z. Ermal Jauri, drejtori ekzekutiv i “Europe Agency”
“Dubai udhëheq listën e vendeve me më tepër kërkesa punësimi, vetëm këtë vit 3850 vende vakante”
Pse zgjodhët punësimin jashtë për pjesën më të madhe të kontratave që ofroni?
Fillimisht, ideja lindi për të ofruar diçka ndryshe. Kjo sepse të gjitha agjencitë e punësimit, sidomos nëpërmjet panaireve, ofrojnë punë brenda vendit, por dihet tashmë “mania” e të rinjve, të cilët joshen nga kontrata të mira jashtë, duke pasur parasysh se duan të udhëtojnë jashtë dhe se pagesat atje janë më të larta.
Në cilat shtete keni lidhur kontrata që ofrojnë punësim për shqiptarët?
Aktualisht, kemi ekskluzivitet për Ballkanin (zyrat tona në Kosovë, Mal i Zi, Shqipëri) kemi për Lindjen e Mesme, ku dhe kërkesat janë të larta për punësim. Ndërsa në Amerikë, Kanada dhe Australi, i kemi më tepër në formën e “Work and Study”, tremujore, për studentët.
Cilat janë grupmoshat që aplikojnë kryesisht për punë jashtë? Çfarë niveli arsimor kanë?
Fillojnë nga 18-20 vjeç e vijojnë deri në moshën 35 vjeç. Mbi 80% e aplikantëve janë me arsim të lartë. Kjo sepse mundësitë e punësimit pas diplomimit janë shumë të ulëta në Shqipëri, pasi tregu i punës është aktualisht i vogël. Një mendësi e gabuar në vendin tonë është edhe kërkimi i eksperiencës, që të sapodiplomuarit nuk e kanë. Ndërsa në botën jashtë, përvoja është e ndërtuar në bazë të trajnimit ndaj dhe të rinjtë shqiptarë pranohen, le të themi, lehtësisht nga kompanitë jashtë, pasi ata i vetëtrajnojnë. Sigurisht po flasim për pozicione junior, jo profesionale.
Si funksionon procedura e përzgjedhjes nga kompanitë jashtë?
Fillimisht ne listojmë vendet vakante nga kompani të ndryshme jashtë, me të cilat kemi marrëveshje bashkëpunimi. Një javë pas aplikimit, n.q.s personi i interesuar plotëson kriteret e kërkuara për një x vend pune, atëherë realizohet një intervistë, që bëhet në zyrat tona, nëpërmjet Skype. E nëse arrin të kesh një performancë të mirë, brenda një muaji shkon në Abu Dabi p.sh. (një ndër vendet që kanë më tepër vende vakante nga e gjithë Lindja e Mesme, në mesin edhe të shteteve si Kuvajt, Bahrejn, Katar, Oman).
Sa aplikime bëhen?
Sipas statistikave tona, në të tria zyrat në rajon (Tiranë, Podgoricë, Prishtinë) bëhen 700-800 aplikime në javë. Nga këto, 500 janë të Shqipërisë. Nga kapacitetet që ne kemi, n.q.s të 500 këto janë të mirë dhe përzgjidhen, të gjithë mund të punësohen. Vendet vakante janë të shumta (kudo jashtë, më tepër në Arabinë Saudite).
Në Tiranë, ne bëjmë minimalisht dy prezantime në javë, pra dy persona të përzgjedhur pas aplikimit për të kryer intervistën online me kompaninë jashtë. Sipas të dhënave tonë, mbi 70% e aplikantëve që përzgjidhen për të kryer intervistën përzgjidhen për vendin e punës dhe vijojnë më tej fazat e punësimit.
Në cilat shtete janë vendet e lira më të shumta?
Në Emiratet e Bashkuara Arabe. Vetëm këtë vit, kam sjellë 3850 vende pune nga fusha të ndryshme. Kryesisht hoteleri, por edhe mjekësi, infermieri, mësuesi etj. Gjithsesi, nis nga ndihmës deri në pozicione manaxheriale. Deri në fillim të verës, kemi mbi 200 veta të punësuar realë në Emirate. Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, pjesa më e madhe e të punësuarve kanë qenë në pozicione supervizori, menaxheri.
Sa është koha mesatare në një kontratë pune?
Mesatarisht ofron vende pune për dy vjet. Por, edhe për më gjatë, ashtu sikurse edhe për periudha 3-6-mujore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.