Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NMV) kroate do të përfitojnë nga një linjë e re kredie 142.5 milionë euro, e rënë dakord midis Bankës Europiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës Kroate për Rindërtim dhe Zhvillim (HBOR), nënshkruar në Zagreb dhe Luksemburg. Ky është kësti i dytë i një pakete prej 400 milionë eurosh për NVM-të, si marrëveshje midis bankës së BE-së dhe HBOR-së.
Linja e kredisë do të mbështesë kompanitë që kërkojnë financim më të përballueshëm për të ruajtur likuiditetin, vendet e punës, për të mbështetur investimet dhe për të nxitur rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë kombëtare nga pandemia COVID-19.
Që nga fillimi i operacioneve në Kroaci, BEI ka mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të Kroacisë, me 6.71 miliardë euro të investuara në vend. Banka e BE-së ka mbështetur NVM-të kroate, duke zhbllokuar burime të reja financash me vlerë rreth 3.75 miliardë euro.
Dario Scannapieco, zëvendëspresidenti i BEI-së, përgjegjës për aktivitetet e bankës në Kroaci, tha: “BEI vazhdon të mbështesë Kroacinë për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar më shpejt, duke u siguruar që NVM-të mund të vazhdojnë të ushqejnë rimëkëmbjen më të shpejtë të ekonomisë kombëtare nga pandemia COVID-19. Jam shumë krenar me shpejtësinë e mbështetjes së BEI-t dhe HBOR-së në Kroaci, pasi ky është operacioni i dytë i nënshkruar që nga fillimi i pandemisë në mars 2020, duke zhbllokuar më shumë se 240 milionë euro në kredi më të përballueshme për NVM-të e vendit”.
Presidentja e Bordit Drejtues të HBOR-së, Tamara Perko, tha: “Kredia ka për qëllim sigurimin e kredive të përballueshme për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme që kanë nevojë për fonde për ruajtjen e likuiditetit, ruajtjen e vendeve të punës dhe investime të mëtejshme me qëllim sigurimin e rimëkëmbjes më të shpejtë nga pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19. Kjo kontratë është një konfirmim tjetër i bashkëpunimit tonë të suksesshëm me BEI-n dhe përfaqëson një burim shtesë financimi për dhënien e kredive në kushte të favorshme dhe uljen e vazhdueshme të normave të interesit për sipërmarrësit që punësojnë persona nën moshën 30 vjeç”.
Ky operacion është gjithashtu pjesë e nismës së BEI-t, “Punë për të rinjtë” nën të cilën, Banka e BE-së zgjat afate më të favorshme për kompanitë që krijojnë vende pune për të rinjtë. Nisma e trajton papunësinë e të rinjve si një nga sfidat më të mëdha sociale dhe ekonomike për Kroacinë dhe Europën.
Kjo është paketa e dytë e mbështetjes së rimëkëmbjes ndaj COVID-19 midis BEI-t dhe HBOR-së në Kroaci që nga fillimi i pandemisë në mars 2020. Në tetor, BEI nënshkroi një hua prej 100 milionë eurosh për rimëkëmbjen më të shpejtë të NVM-ve kroate nga pandemia. Vetëm dy operacione krijuan burime të reja financimi për NVM-të, me vlerë më shumë se 240 milionë euro.
BEI në Kroaci:
Deri tani, BEI ka mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të Kroacisë, duke investuar 6,71 miliardë euro në operacione që mbulojnë sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Kroacisë, duke përfshirë transportin, mjedisin, infrastrukturën e energjisë, prodhimin dhe shërbimet.
Një tjetër komponent kyç i aktiviteteve të BEI-t në Kroaci është mbështetja për NVM-të, nëpërmjet krijimit të opsioneve të financimit afatgjatë në bashkëpunim me institucionet financiare lokale. Deri tani, BEI ka mbështetur NVM-të kroate duke zhbllokuar burime të reja financash, me vlerë rreth 3,75 miliardë euro.