LinkedIn azhurnohet me një imazh të ri grafik dhe me disa risi të kohës – me Storie dhe videochat, edhe me Zoom. Rrjeti profesional në pronësi të Microsoft, me më shumë se 700 milionë përdorues të regjistruar, njoftoi ndryshimin e imazheve dhe funksioneve të reja, pesë vjet pas ndryshimit të fundit – në një postim të CEO-s, Ryan Roslansky.
Vizualisht, LinkedIn do të ketë një gamë më të ngrohtë ngjyrash, me forma të rrumbullakosura duke krijuar një ndërfaqe më të butë përdorimi. Hapësirat dhe përmasat do të përmirësohen, duke i dhënë më shumë rëndësi përdoruesve dhe përvojave të tyre. Në tërësi, aspekti i faqes do të thjeshtohet, falë një përdorimi më të madh të hapësirave të bardha dhe reduktimit të linjave ndarëse. LinkedIn njoftoi se ende nuk është i disponueshëm funksioni “dark mode”.
Ndër risitë do të jenë edhe Stories, përmbajtjet që eliminohen pas 24 orëve, të lançuara së pari nga Snapchat dhe të adoptuara edhe nga aplikacionet e ekosistemit të Facebook, Instagram dhe WhatsApp. Zhvendosja drejt një komunikimi viziv është në bazë edhe të përditësimit të mesazheve me mundësinë e videochat nëpërmjet Teams të Microsoft por edhe Zoom dhe BlueJeans të Verizon.