Media sociale dhe punësimi. Kompanitë nuk duhet të përpiqen më t’i bëjnë të heshtin punonjësit e tyre
A mund ta humbisni me të vërtetë punën tuaj sepse postuat një mendim në Twitter, apo se klikuat “Like” në mesazhin e dikujt tjetër? Sado e çuditshme që mund t’u duket kjo, disa punonjësve, të cilët presin që kompanitë ku punojnë t’u përshtaten orëve të tyre të pazakonta të punës, të respektojnë shijet e tyre për kafenë dhe kafshët shtëpiake, përgjigja shpesh është po, shkruan The Economist.
Pascal Besselink, një avokat punësimi në Holandë, thotë se rreth një në dhjetë shkarkime të papritura nga puna, kanë të bëjnë me sjelljen e personave në mediat sociale. Një herë e një kohë, mendimet polemike shpreheshin nëpër lokale, pas orarit të punës dhe nuk përhapeshin më tej. Sot Twitter dhe media të tjera sociale transmetojnë mendimet e punonjësve; ato gjithashtu e bëjnë të lehtë që kushdo që ofendohet të mbledhë pas vetes një grup ndjekësish online dhe të hakmerret ndaj postuesit dhe punëdhënësit të tij. Disa kompani përgjigjen duke e pushuar nga puna shkelësin. Disa të tjera, si “General Motors”, kanë paraqitur kode sjelljeje, të cilat diktojnë fjalët e punonjësve të tyre edhe jashtë orarit të punës.
Një kompani mund të mbrojë me të drejtë interesin e saj personal duke ndëshkuar punonjësit që flasin. Shoqata Kombëtare e Basketbollit e Amerikës mund të ketë humbur me qindra miliona dollarë këtë sezon, për shkak të një bojkotimi kinez, pasi menaxheri i përgjithshëm i Houston Rockets postoi në Twitter një mesazh ku mbështeste demokracinë në Hong-Kong. Shkarkimi i tij nga puna do të kishte qenë i kushtueshëm, por jo aq i kushtueshëm sa pasojat e mësipërme.
Megjithëse lejimi i shprehjes së lirë të mendimit nuk është në interesin e kompanive, ai është në interesin e shoqërisë. Liria e fjalës, përfshirë edhe për punonjësit, është një nga themelet e demokracisë. Në kohët e tanishme, punonjësit është shumë e lehtë t’i detyrosh të heshtin.
Në vende si Amerika, shumica e të punësuarve nuk kanë mbrojtje të mjaftueshme ndaj punëdhënësve ndëshkues. Në vende të tjera, ligjet e hartuara për të mbrojtur lirinë fetare po zgjerohen për të qeverisur bindje dhe pikëpamje të tjera. Gjykatësit britanikë kanë vendosur që veganizmi etik meriton mbrojtje ligjore. Një grup u vendos që kishte vepruar ligjërisht kur nuk rinovoi kontratën e një studiueseje pasi ajo shkroi në Twitter se seksi biologjik është i pandryshueshëm. Ky zhvillim rast pas rasti i lë punonjësit dhe punëdhënësit në një situatë të pasigurt, duke mos ditur se cilat pikëpamje janë të pranueshme dhe ku.
Në përcaktimin e rregullave më të qarta, ligjvënësit duhet të kenë parasysh se ofendimi dhe ngacmimi janë dy gjëra të ndryshme. Nuk është e arsyeshme që kompanitë të përpiqen të parandalojnë punonjësit e tyre të shprehin pakënaqësi ndaj martesave homoseksuale – pavarësisht se të tjerët nuk janë aspak dakord – të paktën nëse kjo nuk lidhet me punën që bëjnë. Por një punonjës që thotë vazhdimisht në punë se homoseksualët janë të mallkuar, edhe pasi i është kërkuar të ndalojë, e ka kapërcyer kufirin në ngacmim.
Kjo duhet të jetë arsye për pushim nga puna. Gjithashtu, ekziston një ndryshim midis asaj që njerëzit bëjnë në punë dhe asaj që bëjnë jashtë saj. Fjala e lirë është si një kod veshjeje. Ashtu siç kompanitë kanë të drejtë të kërkojnë që punonjësit e tyre të respektojnë kodin e veshjes në punë, ato duhet të kenë të drejtën të kufizojnë çfarë thuhet brenda mjedisit të punës, me kusht që të jenë të qarta dhe të drejta për këtë.
Kur njerëzit kthehen në shtëpi, ata duhet të jenë në gjendje të shprehin mendimet e tyre lirisht, njëlloj siç janë të lirë të ndërrohen dhe të veshin xhinse dhe një bluzë. Për shembull, një grua që u pushua nga puna në vitin 2004 nga një kompani strehimi, ngaqë kishte ngjitur në makinën e saj një afishe që shprehte mbështetjen për John Kerry, u trajtua në mënyrë të padrejtë. Situata është më e ndërlikuar, kur bëhet fjalë për figura publike, siç janë yjet e sporteve, të cilët në të vërtetë shesin edhe imazhin përveç punës së tyre.
Kompanitë do të lobojnë për të ruajtur liritë e tyre. Por ligje të forta kundër largimit të padrejtë nga puna që mbrojnë lirinë e fjalës, do t’i ndihmonin kompanitë për t’u bërë ballë ankesave nga turmat e zemëruara dhe qeveria kineze. Politikanët duhet të qëndrojnë të patundur. Shumë njerëz ankohen se klima është bërë aq ideologjike dhe e ndarë, saqë ata kanë harruar si të bisedojnë me të tjerë që kanë pikëpamje të kundërta. Hapësirat gjeografike dhe teknologjike po bëhen gjithnjë e më të veçuara. Kjo e bën akoma më të rëndësishme që njerëzit të ndeshin pikëpamje të ndryshme në punë – dhe veçanërisht jashtë saj.