Lisbona, kryeqyteti i Portugalisë, vlerësohet për atmosferën e tij të pakohë. E pasur me histori, ky qytet ndërthur natyrshëm kulturën, jetën e natës dhe argëtimin. Lisbona tashmë ka edhe një anë të re, që ndoshta nuk e prisni: anën “green” (të gjelbër)
Lisbona është vlerësuar “European Green Capital” për vitin 2020, një çmim prestigjioz, i dhënë nga komisioneri europian për Mjedisin, Punët Detare dhe Peshkimin, Karmenu Vella, gjatë ceremonisë në Nijmegen, në Holandë, i zgjedhur European Green Capital për vitin 2018.
Përveç vlerësimit, Lisbona mori edhe një ndihmë ekonomike nga Komisioni Europian prej 350 mijë eurosh për të nisur vitin e saj “green”. Nisma është bërë më e rëndësishme se kurrë. Lisbona është zgjedhur falë menaxhimit më të mirë mjedisor, planifikimit më të kujdesshëm urban dhe sjelljes së qytetarëve.
Këta të fundit, me një ndjenjë të madhe qytetarie, kanë treguar se si t’i shndërrojnë sfidat mjedisore në mundësi dhe për ta bërë qytetin e tyre një vend të shëndetshëm dhe argëtues, ku mund të jetosh e punosh. Juria vlerësoi se Lisbona mund të përfaqësojë një model për shumë qytete të tjera të Bashkimit Europian dhe dëshmon se qëndrueshmëria mjedisore dhe rritja ekonomike shkojnë përkrah njëra-tjetrës.
Ekspertët nënvizuan se kryeqyteti portugez është në avangardë në menaxhimin e qëndrueshëm të territorit, në fushën e transporteve, falë lëvizshmërisë së qëndrueshme, inovacionit ekologjik, asgjësimit të mbeturinave dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.
Doni fakte? Lisbona është kryeqyteti i parë në Europë që firmosi Paktin e Ri të Kryebashkiakëve për Ndryshimet Klimatike dhe Energjinë n]ë vitin 2016.
93.3% e banorëve jetojnë jo më larg se 300 metra nga një stacion i transportit publik, 76% e njerëzve i kanë jo më larg se 300 metra nga shtëpia hapësirat e gjelbra. Ndër të tjera, Lisbona ka reduktuar me 50% emetimet e CO2 nga viti 2002 në vitin 2014, konsumin e energjisë me 23% dhe atë të ujit me 14% nga viti 2007 në vitin 2013. Ky është një shembull virtuoz për t’u marrë në të gjithë vendet e botës.