Përplasja e Lituanisë me Kinën në lidhje me Tajvanin ka sjellë një përfitim të papritur për vendin e vogël baltik, përfitim ky që shtete si Franca dhe Gjermania vetëm mund ta ëndërronin: investime në prodhimin e mikroçipëve.
Europa ka mbetur shumë prapa në industrinë e rëndësishme të gjysmëpërçuesve dhe një pikë kyçe e strategjisë industriale të BE-së, që synon ta mbajë Europën në ligën e madhe ekonomike me rivalë si Kina dhe SHBA-ja, është pikërisht nxitja e prodhimit të mikroçipëve. Megjithëse vendet e mëdhaja të BE-së kanë kërkuar bashkëpunim me lojtarët e rëndësishëm aziatikë (dhe që janë vende demokratike) në fushën e elektronikës si Tajvani dhe Koreja e Jugut, hapat e tyre deri më tani kanë dhënë shumë pak progres në këtë drejtim.
Megjithatë, ky ngërç duket se mund të tejkalohet, pasi një mosmarrëveshje e ashpër tregtare midis Lituanisë dhe Kinës po e kthen Vilniusin dhe Taipein në një çift të pazakontë Davidësh gjeopolitikë, në aleancë kundër Goliathit në Pekin. Për shkak të përmirësimit të marrëdhënieve diplomatike midis Lituanisë dhe Tajvanit, Kina ka filluar një embargo shumë strikte kundër vendit baltik – duke bojkotuar jo vetëm eksportet e tij, por edhe mallrat nga vendet e tjera të BE-së që prodhohen me komponentë që vijnë nga Lituania.
Për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjes të aleatit të saj më të fortë europian, Tajvani ka bërë publik një plan investimi prej 200 milionë dollarësh. Ky plan rrit perspektivën e bashkëpunimit në fushën e mikroçipëve.
Planet e investimeve të Tajvanit në Lituani nuk janë finalizuar ende, pasi janë në pritje të studimeve që do të kryhen nga një ekip ekspertësh tajvanezë gjatë muajve të ardhshëm. Por, në një intervistë me Politico, kryediplomati tajvanez në Vilnius tha se asgjë nuk përjashtohet dhe se Lituania mund të shërbejë si një portë hyrëse për pjesën tjetër të tregut europian të gjysmëpërçuesve.
“Kjo është hera e parë që qeveria tajvaneze ka përgatitur një fond të tillë investimi,” tha Eric Huang, kreu i Zyrës së Përfaqësimit të Tajvanit në Vilnius. “Kur të studiojmë mundësinë për investimin në Lituani për gjysmëpërçuesit, do ta shqyrtojmë çështjen duke pasur parasysh të gjithë tregun e Bashkimit Europian, sepse në këtë mënyrë ky plan do të jetë më i qëndrueshëm dhe më fitimprurës”.
Miq të fuqishëm
Edhe thjesht përmendja e këtij partneriteti me një fuqi si Tajvani është i jashtëzakonshëm. Kompania e Prodhimit të Gjysmëpërçuesve të Tajvanit është përballur me presion nga shumë qeveri të huaja për të diversifikuar prodhimin e saj. Megjithatë, deri më tani, Tajvani i ka trajtuar ofertat me shumë kujdes, duke u siguruar që vetëm partnerë të tillë strategjikë si Shtetet e Bashkuara dhe Japonia – vende që mund të mbrojnë ishullin në rast lufte – të marrin mikroҫipe.
Europës i është dashur të përballojë mungesën e theksuar të mikroçipëve, veçanërisht gjatë pandemisë së koronavirusit. Vendet me prodhim shumë të lartë, siҫ është rasti i Gjermanisë, kanë pasur probleme në sektorë të tillë si autoelektronika.
Megjithatë, duhet një pasqyrë më e qartë për paratë e nevojshme për të hapur një fabrikë të tillë. Investimi i propozuar nga Tajvani është vetëm një pikë në oqean krahasuar me atë që do të nevojitej për një fabrikë të prodhimit të mikroҫipëve. Për shembull, fabrika e Kompanisë së Prodhimit të Gjysmëpërçuesve të Tajvanit e cila ndodhet në Arizona dhe do të fillojë prodhimin deri në vitin 2024, kërkon një investim prej 12 miliardë dollarësh.
Një zyrtar i Komisionit Europian hodhi gjithashtu dyshime mbi aftësinë financiare dhe logjistike të Lituanisë për të menaxhuar fabrika të tilla, duke theksuar nevojën për energji elektrike të lirë dhe furnizim të bollshëm me ujë.
Huang pranoi se do të ishte e vështirë për çdo vend të BE-së që të kopjonte modelin tajvanez të zotërimit të një zinxhiri të plotë furnizimi për prodhimin e mikroçipëve, të cilin ky ishull e ka zhvilluar gjatë katër dekadave të fundit.
Secili prej vendeve të BE-së, shtoi ai, duhet të zhvillojë pikat e tij të forta në këtë sistem dhe Tajvani është zotuar tashmë se do të ndihmojë Lituaninë të fokusohet në një fushë tepër të kërkuar: zhvillimin e talenteve.
“Tajvani po i luan kartat e veta ekonomike me zgjuarsi,” tha Mathieu Duchâtel, drejtor i Programit të Azisë në Institutin Montaigne në Paris. “Është e qartë se Tajvani ka diçka konkrete për të ofruar për të forcuar ekosistemin europian të gjysmëpërçuesve dhe mesazhi është se kjo është e lidhur me zgjerimin e hapësirës ndërkombëtare të Tajvanit – pra, kemi të bëjmë me një formë të përdorimit të mjeteve ekonomike për të përmbushur objektivat e politikës së jashtme”.
Ministri i Këshillit të Zhvillimit Kombëtar të Tajvanit, Kung Ming-hsin, i cili është gjithashtu anëtar i bordit të Kompanisë së Prodhimit të Gjysmëpërçuesve të Tajvanit, do të presë ditën e martën në një takim homologun e tij lituanez, Ministrin e Ekonomisë Aušrinė Armonaitė./ Politico.eu