Sipas një raporti të Sports Business Group të Deloitte, klubi i Liverpool-it ka pasur një ndikim 497 miliardë sterlina, në lidhje me Vlerën e Shtuar Bruto (GVA – Gross Value Added) në ekonominë e qytetit të Liverpool gjatë sezonit 2017 – 2018.
Raporti nxjerr në pah ndikimin ekonomik të ndeshjeve të skuadrës së Liverpool dhe të aktiviteteve të përditshme në qytet, në rajonin e qytetit të Liverpool dhe në Mbretërinë e Bashkuar në tërësi për të gjithë sezonin. Në sezonin e kaluar, impakti ekonomik për qytetin ishte 454 milionë sterlina në GVA dhe 575 milionë sterlina në gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
4500 persona me kohë të plotë janë të punësuar në aktivitetet e klubit (2,3% vende pune në Liverpool), ky numër shkon në 5700 persona në rajonin e Liverpool.
Në sezonin 2017-18 kanë ardhur më shumë se 1,5 milionë tifozë në Anfield, impakti i të cilëve reflektohet në 102 milionë sterlina, nga të cilat 42 milionë sterlina të shpenzuara për qëndrimin, 28 milionë sterlina në restorante, kafe dhe bare të zonës, 15 milionë sterlina shpenzime udhëtimi, 12 milionë sterlina në tregti rajonale dhe 5,4 milionë sterlina në ushqim dhe artikuj të tjerë.
Përtej ndeshjeve, raporti i Deloitte tregon se koncertet që do të zhvillohen në Anfield në verë do të kenë ndikim të madh ekonomik në Liverpool. Impakti i këngëtarëve të famshëm si Bon Jovi, Pink dhe Take That mund të arrijë në 4,1 milionë sterlina për event falë shpenzimeve të vizitorëve.
Drejtori ekzekutiv i Liverpool, Peter Moore, deklaroi: “Është e rëndësishme të kuptojmë se si klubi ynë ka ndikim në të gjithë qytetin, si nga pikëpamja ekonomike, edhe sociale. Është e qartë se shumë prej vizitorëve ditorë kanë ardhur në Liverpool për futbollin, por njëkohësisht shëtisin edhe në qytet. Ky është një cikël i vazhdueshëm sa i përket ndikimit që po krijojmë”.