Sa vlen klubi i Liverpool pas fitores së titullit të gjashtë të Champions League? Siç shkruan Bloomberg, John Henry, aksioneri kryesor i Fenway Sports Group, shoqëria mëmë e investimeve që kontrollon klubin anglez të Liverpool dhe Boston Red Sox (skuadër bejsbolli) ka parë investimin fillestar t’i shumëfishohet me pesë herë gjatë periudhës 2010 – 2019.
Fenway Sports Group e bleu klubin e Liverpool në vitin 2010 për rreth 500 milionë dollarë dhe sot, vlera e klubit kampion të Europës, sipas vlerësimeve të KPMG, është rreth 2,4 miliardë dollarë. Kjo vlerë është e destinuar të rritet falë fitores së Champions League në sfidën e së shtunës në mbrëmje përballë Tottenham, e cila u luajt në stadiumin Wanda Metropolitano në Madrid.
“Kur një klub arrin rezultate të rëndësishme sportive – shpjegoi për Bloomberg, Dan Jones, lider global për biznesin sportiv në Deloitte, – rritet edhe vlera e tij ekonomike, falë një shikueshmërie më të madhe që tërheq edhe sponsorë të rinj”.
Sa vlen Liverpool, bilanci 2018
Në pritje të rezultateve të bilancit 2018-2019 (vetëm nga fitorja e Champions League, Red-sat do të marrin shpërblim 19 milionë euro), bilanci 2017-2018 i Liverpool u mbyll me fitime rekord prej 121 milionë eurosh. Kjo ka ardhur, në pjesën më të madhe, nga shitja e Coutinho tek Barcelona, por edhe falë rritjes së të ardhurave karakteristike.
Qarkullimi i Reds në sezonin 2017 – 2018 u rrit më shumë se 102 milionë euro, duke arritur në 520 milionë euro. Në rritje edhe të ardhurat nga të drejtat televizive (+75 milionë), të drejtat tregtare (+19 milionë) dhe shitja e biletave (+8 milionë).
Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje vjen si pasojë e rezultateve të arritura në sezonin e kaluar të Champions League, ku Liverpool u përball në finale, por humbi përballë Real Madrid.