Numri i llogarive të jorezidentëve në sektorin bankar shqiptar arriti në pothuajse 45 mijë në fund të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar numri i llogarive të jorezidentëve shënoi një rritje të ndjeshme me 13.3%, rritje kjo dukshëm më e lartë në raport me llogaritë e rezidentëve, që vitin e kaluar u zgjeruan me 2.9%.
Numri i llogarive të jorezidentëve ka arritur nivelet më të larta historike dhe dominohet me llogaritë e individëve, me pothuajse 96% të totalit. Paralelisht, rritja e numrit të llogarive në vitet e fundit po shoqërohet edhe me rritje me ritme relativisht të larta të depozitave të jorezidentëve.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar depozitat e jorezidentëve në bankat tregtare shqiptare arritën vlerën e 18 miliardë Lekëve ose 150 milionë Eurove. Gjatë vitit të kaluar, depozitat e jorezidentëve u rritën me 34%, normë rritje rreth tre herë e gjysëm më e lartë krahasuar me vitin 2020. Tendenca rritëse e depozitave të jorezidentëve po vazhdon me ritme të larta edhe në pjesën e parë të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit maj depozitat e jorezidentëve arritën vlerën rekord të 22.3 miliardë Lekëve, në rritje me 23.5% që nga fillimi i vitit. Megjithatë, vlera e depozitave të jorezidentëve ende nuk ka arritur nivelet më të larta historike, që u regjistruan në vitin 2014.
Depozitat e jorezidentëve janë një nga zërat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë të ndjekur nga Banka e Shqipërisë në raportimin e statistikave. Rrjedhimisht, rritja e tyre nuk reflektohet në treguesin statistikor të depozitave të përfshira në paranë e gjerë, që përdoret përgjithësisht për të raportuar ecurinë e depozitave bankare.
Megjithatë, tendenca e depozitave të jorezidentëve tregon një rritje në periudhën pas pandemisë, në linjë me ecurinë e përgjithshme të depozitave në sektorin bankar, madje me ritme më të larta. Ndërkohë, kjo rritje po vazhdon e qëndrueshme edhe në pjesën e parë të këtij viti, ndryshe nga ecuria e depozitave të rezidentëve, ku rritja është frenuar ndjeshëm, duke reflektuar ndoshta rritjen e çmimeve të konsumit dhe uljen e aftësisë së familjeve për të kursyer.
Sidoqoftë, pesha specifike e depozitave të jorezidentëve kundrejt totalit të depozitave bankare është e ulët, me rreth 1.5% të totalit të tyre. Në fund të muajit maj, totali i depozitave në sektorin bankar shqiptar arriti vlerën e rreth 1.49 trilionë Lekëve.
Depozitat e jorezidentëve në sektorin bankar shqiptar kane qenë historikisht të lidhura me emigrantët, që një pjesë të kursimeve të tyre kanë zgjedhur t’i mbajnë në bankat shqiptare.
Në dekadën e fundit, depozitat e jorezidentëve arritën kulmin në fund të vitit 2014, për një shumë totale prej 24 miliardë Lekësh. Gjatë viteve në vazhdim, vlera e depozitave të jorezidentëve pësoi një rënie graduale, duke zbritur në intervalin mes 13 dhe 14 miliardë Lekëve para pandemisë. Në dy vitet e fundit, ecuria e depozitave ka një tendencë të dukshme në rritje.
Për aq sa kjo tendencë mund të jetë e lidhur me emigrantët, ajo përputhet edhe me një cikël të ri të rritjes së remitancave, që mund t’i atribuohet kryesisht valës së re të emigracionit të shqiptarëve në dekadën e fundit. Ky cikël i ri emigracioni po përfshin gjithnjë e më shumë të rinjtë e arsimuar, që po shfrytëzojnë nevojën për punë të specializuar në vende të ndryshme të BE-së
Vitin e kaluar, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 761 milionë Eurove, niveli më i lartë që prej vitit 2009./E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.