Barcelona, me të drejtë, njihet për arkitekturën e saj, por qyteti ka shumë më tepër se Gaudi dhe Sagrada Familia, e cila nuk ka përfunduar ende.
Këtë vit, Katalonja përkujton njëqindvjetorin e vdekjes së Lluís Domènech i Montaner (1849-1923), një prej bashkëkohësve të Gaudit dhe një nga personalitetet e lëvizjes së modernizmit katalan.
Gjatë vitit do të zhvillohen konferenca, video dhe takime që përkujtojnë punën e këtij arkitekti të madh, si dhe një guidë, që do të përfshijë disa nga 26 ndërtesat e tij, 11 prej të cilave ndodhen në Barcelonë.
Domènech, i cili ishte i shquar në lëvizjen e Rilindjes Kulturore Katalanase, e njohur si “renaixença”, ndërthuri teknikat moderne si struktura prej çeliku, me konceptet nostalgjike dhe shpesh romantike të kulturës spanjolle dhe katalanase.
Dekorimet në hekur, qeramika dhe qelqi i ngjyrosur, karakterizojnë ndërtesat e tij.
Këtu janë pesë nga ndërtesat më emblematike të arkitektit.
Castell dels Tres Dragons, Barcelona
Castell dels Tres Dragons, që ndodhet në cepin veriperëndimor të Parc de la Ciutadella, u ndërtua në 1888 si një kafene dhe restorant për Ekspozitën Universale.
Edhe pse një ndër veprat e para, Domènech kishte zhvilluar tashmë stilin e tij të veçantë të tullave të dukshme dhe strukturave prej hekuri. Ka elemente mesjetare, si dhe një nuancë ndaj stilit mudejar spanjoll-arab, me motive heraldike dhe imazhe të bimëve dhe kafshëve.
Kapitelet dhe kolonat në kafene frymëzohen nga sinagoga e shekullit XII në Toledo. Castell pati një jetë të mëvonshme si muzeu i historisë natyrore të qytetit, por tani është zhvendosur dhe ndërtesa po restaurohet.
Palau de la Música Catalana, Barcelona
Salla e koncerteve me strukturë çeliku e ndërtuar për korin Orfeó Català në 1908, u financua nga donacionet publike dhe përgjithësisht shihet si kryevepra më e plotë e Domènech.
Ashtu si me Castell, fasada përbëhet nga tulla dhe hekur të ekspozuar dhe mozaikë dekorativë me elemente të arkitekturës spanjolle dhe arabe. Në brendësi, elementi dominues është xhami me ngjyra.
Edhe balustrat në shkallë janë prej xhami dhe vetë salla e koncerteve rrethohet me xham, në mënyrë që gjatë verës shfaqjet të fillojnë në dritën e ditës, duke dhënë ndjesinë e dëgjimit të muzikës në një kopsht.
Akustika është çuditërisht e mirë, duke pasur parasysh sasinë e xhamit. Gjatë gjithë vitit zhvillohen koncerte me muzikë klasike, xhaz dhe flamengo.
Hospital de Sant Pau, Barcelona
Puna në atë që është ndërtesa më e madhe e artit Nouveau në Europë, filloi në vitin 1901, por nuk u përfundua deri në vitin 1930, pas vdekjes së arkitektit.
Me pamje nga deti në mënyrë që pacientët të mund të ndienin flladin e Mesdheut, ndërtesa përfshin ide moderne për atë kohë, për kujdesin shëndetësor dhe higjienën, me ventilim dhe hapësira të hapura.
Ai përfshin një sërë ndërtesash të lidhura mes tyre, ku secila kujdeset për patologji të ndryshme. Sipërfaqet e lakuara dhe të veshura të sallave të operacionit, pa të çara ku mund të grumbullohen papastërtitë, pasqyrojnë ndërgjegjësimin në rritje të nevojës për një mjedis steril.
Ndërtesa kryesore e administratës karakterizohet nga qeramika, qelqi dhe zbukurimet, ndryshe nga çdo spital i projektuar më parë apo që atëherë. Sant Pau ka qenë një nga spitalet kryesore të qytetit deri në vitin 2009.
Së bashku me Palau de la Música Catalana, ai u shpall vend i trashëgimisë së UNESCO-s në vitin 1997.
Casa Navàs dhe Pere Mata, Reus
Reus, një orë e 20 minuta në jug të Barcelonës me tren, tani e ka humbur rëndësinë. Por dikur ishte një qytet i pasur tekstili.
Shtëpia u porosit nga Joaquim Navàs Padró, një tregtar tekstili, dhe Domènech filloi të punojë për të në vitin 1901 në bashkëpunim me arkitektin për projektimin e mjediseve të brendshme, Gaspar Homar.
Së bashku, ata krijuan një shtëpi të pasur me detaje dhe ku sërish protagonistë janë xhamat me ngjyra dhe qeramika. Pavarësisht se është dëmtuar gjatë Luftës Civile Spanjolle, aty ruhen ende ka të gjitha mobiliet origjinale.
Ndërsa jeni në Reus, mund të vizitoni edhe ndërtesa të tjera të Domènech atje, veçanërisht spitalin psikiatrik Pere Mata.
Casa Museu Domènech, Canet de Mar

Domènech e ndërtoi këtë shtëpi për familjen e tij të madhe. Ai projektoi disa nga veprat e tij më të famshme në studion e ndërtesës. Që nga viti 1998 godina është shndërruar në muze ku, përveç vizitës në ndërtesë, ekspozohen vepra që ilustrojnë punën e tij jo vetëm si arkitekt, por edhe shkrimtar.
Domènech ndërtoi gjithashtu Ateneu, qendrën kulturore të qytetit, e cila është e ngjashme me Castell dels Tres Dragons. Muzeu organizon një turne të punës së tij dhe të arkitektëve të tjerë modernistë në qytet, i cili është një orë udhëtim me tren në veri të Barcelonës. / The Guardian