Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të dielën ka thënë se deri tani janë siguruar 1 milion e 220 mijë doza të vaksinave kundër COVID-19.
Kurse, ditë më parë kryeministri Avdullah Hoti ka treguar se Kosova ka siguruar gati 2 milionë vaksina. E gjatë javës kompania Pfizer dhe BioNTech ka përgënjeshtruar Qeverinë e Kosovës për sigurimin e vaksinave. Qytetarët ende nuk e dinë se çfarë saktësisht po ndodh me këto vaksina.
Më 13 mars, në Kosovë janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus, ndërkaq tani, pas gati dhjetë muajsh, shifrat kanë shënuar rritje të madhe.
Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar afro 54 mijë raste pozitive me koronavirus.
Prej tyre, 1.377 pacientë kanë vdekur. Kurse, numri i përgjithshëm i të të shëruarve është 46.259.
Ndërkohë, komuna me më së shumti raste pozitive në vend vazhdon të mbetet Prishtina.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, të dielën ka ftuar qytetarët të vazhdojnë me respektimin e masave kundër përhapjes së pandemisë. Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka përmendur situatën me rritjen e numrit të të infektuarve në Evropë, por ka thënë se Kosova po vazhdon ta menaxhojë mirë gjendjen.
Zemaj pretendon se tashmë janë siguruar 1.220.000 vaksina kundër koronavirusit.
“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm që keni pasur me institucionet e vendit, për respektim të masave anti Covid, ju ftoj që edhe më tej të vazhdojmë bashkë luftën kundër Covid 19. Jam përpjekur maksimalisht që kuadrit profesional dhe shumë të përkushtuar, t’i shtohen 1.500 specializantë, punësimin e të gjithë mjekëve të papunë, si dhe shtimin e personelit shëndetësor për 608 punonjës. Kuadri profesional, ka gjetur angazhim të plotë në sistemin shëndetësor të vendit dhe largimi i mjekëve nga Kosova është zvogëluar shumë duke gjetur këtu perspektivën. Edhe një herë ju siguroj qytetarë të vendit tim që tashmë kemi siguruar 1,220,000 vaksina anti-Covid. Deri në arritjen e vaksinave anti-Covid, të vazhdojmë t’i respektojmë masat, të mos i ngarkojmë institucionet shëndetësore dhe të gjithë të hospitalizuarit jo vetëm me Covid por edhe për nevojat dhe shërbimet tjera shëndetësore”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Lexo edhe këtë: Kryeministri i Kosovës: Janë siguruar gati dy milionë vaksina anti-Covid, të parat vijnë në shkurt
Më herët, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kanë shpalosur strategjinë e imunizimit, ku kanë thënë se grupet e para që do të vaksinohen do të jenë punëtorët dhe stafi shëndetësor, personat mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.
Kryeministri në detyrë, Hoti ka thënë se Kosova ka siguruar edhe 600 mijë doza të vaksinës – pa specifikuar se të cilës kompani janë – nga shteti i Austrisë.
“Janë konkretizuar marrëveshjet me Pfizer për 535 mijë vaksina, edhe me Austrinë për 600 mijë vaksina, si dhe me COVAX më herët janë kryer proceduar për 720 mijë vaksina”.
Ai shtoi se në të gjitha komunat, dhe në bazë të kësaj strategjie komunat me qendrat e mjekësisë familjare udhëzohen të përgatisin listat e qytetarëve sipas këtyre kritereve.
Mirëpo, ditë me parë kompania amerikane, Pfizer nuk e ka konfirmuar një marrëveshje me Qeverinë në detyrë të Kosovës, për sigurimin e dozave të vaksinës kundër koronavirusit.
“Jemi në diskutime me Qeverinë e Kosovës për t’i ofruar qasje në vaksinë. Diskutimet me qeverinë janë konfidenciale dhe ne nuk kemi asnjë njoftim të ri për të bërë në këto momente”, kanë thënë nga kompania Pfizer.
Ndërkohë, për parandalim të përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Kosovës nga fillimi i shfaqjes së rasteve të para e deri më tani, ka marrë një sërë masash.
Masat që janë tani në fuqi, kufizojnë lëvizjen e qytetarëve dhe punën e lokaleve të gastronomisë, varësisht zonës që gjenden qytetet, sipas numrit të të infektuarve gjatë një jave.
Momentalisht, Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, janë në zonën e kuqe, apo të rrezikut të lartë të përhapjes së virusit.
Në zonën e verdhë, atë të rrezikut mesatar për përhapje të virusit, janë Mitrovica e Jugut, Ferizaj, Lipjani, Podujeva. Vushtrria, Parteshi dhe Juniku.
Në zonën e gjelbër, apo të rrezikut të ulët të përhapjes së virusit, janë Gjakova, Kllokoti, Kamenica, Peja, Drenasi, Skenderaj, Istogu, Deçani, Shtëprca, Klina, Shtimja, Novobërda, Vitia, Prizreni, Suhareka, Kaçaniku, Rahoveci, Malisheva, Hani i Elezit, Dragashi, Mamusha, Gjilani, Ranillugu dhe Graçanica.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.